BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookStarbucks pësoi rënie të aksioneve, por jo për shkak të bojkotit në vendet arabe

Starbucks pësoi rënie të aksioneve, por jo për shkak të bojkotit në vendet arabe

Vlera e Starbucks është ulur me miliarda dollarë. Dhe njerëzit në internet po pretendojnë se shkak janë bërë thirrjet për një bojkot të Starbucks pas nisjes së luftës në Gaza. Verifikimet tregojnë se rënia e vlerës së kompanisë gjigande të kafesë nuk është e lidhur vetëm me bojkotin e pretenduar në rrjet.

Një postim në rrjetin social X më 6 dhjetor pretendonte se Starbucks humbi 12 miliardë dollarë pasi u përball me bojkot në mbarë botën pasi nisi lufta në Gaza. Postime të ngjashme u përhapën me shpejtësi edhe në platforma të tjera. 

“Ja çfarë do të thotë te jene muslimanët e bashkuar. Starbucks humbet vlerën e tregut në shitje prej 12 miliardë dollarësh për shkak të bojkotimeve mbi Izraelin.”, shkruan një përdorues i rrjetit social facebook në Shqipëri. 

Në tetor, pak pasi kishte nisur konflikti në Gaza, në profilin në platformën X të sindikatës së punëtorëve të kompanisë Starbucks me bazë në Seattle, u postua një mesazh mbështetje për Palestinën në platformën X. Ata shkruan fjalën “solidaritet” mbi një imazh që tregonte anëtarët e Hamasit duke kapërcyer një gardh në Rripin e Gazës me anë të një buldozeri, pamje të lidhura me sulmin e armatosur të Hamas në datë 7 tetor ndaj civilëve izraelitë. Zyrtarisht u raportuan rreth 1200 viktima nga ky sulm si dhe u morën peng mbi 240 persona të pafajshëm. 

Edhe pse ky profil i sindikatës e fshiu postimin më vonë, kompania Starbucks u detyruar të dalë me një qëndrim të saj zyrtar duke u distancuar nga postimi në mbështetje të Hamas. “Ne i dënojmë pa mëdyshje këto akte terrorizmi, urrejtjeje dhe dhune, dhe nuk pajtohemi me deklaratat dhe pikëpamjet e shprehura nga sindikata Ëorkers United dhe anëtarët e saj. Fjalët dhe veprimet e Workers United u përkasin atyre dhe vetëm atyre.”

Ky qëndrim zyrtar shërbeu si pikënisje për etiketimin e kompanisë si një mbështetëse e Izraelit dhe thirrjeve online për të bojkotuar kafen dhe produktet e tjera të Starbucks në shumë vende arabe. 

Për t’i bërë edhe më të vështira gjërat për kompaninë, në 16 nëntor, në “ditën e filxhanëve të kuq”, kur ka më shumë xhiro në dyqanet e kompanisë në mbarë botën, një pjesë e mirë e punonjësve të saj bojkotuan punën duke kërkuar më shumë kushte në kontratat e punës dhe mbrojtje në rast largimi nga puna. Kjo grevë e organizuar nga sindikata e punonjësve nuk kishte lidhje me incidentin e postimit pro-Hamas në degën në Seattle, por sigurisht që ndodhi në një situatë të nderë mes menaxhimit qendror dhe sindikatës. 

Pas këtyre zhvillimeve, të dhënat e dobëta financiare të Starbucks të publikuara në muajin dhjetor ngjallën shumë dyshim. 

Ekspertët financiarë konfirmojnë rënien e vlerës së kompanisë duke sqaruar se Starbucks nuk ka humbur 12 miliardë dollarë, por ka humbur një vlerë tregu prej 12 miliardë dollarësh, e cila përbën një rënie prej 9.4% në vlerën e tregut. 

Të dhënat e mbledhura nga palët e treta sugjerojnë se transaksionet dhe shitjet e saj mund të jenë nën pritshmëritë e Ëall Street. Nuk është domosdoshmërisht se shitjet nuk po rriten, është se ato nuk po rriten aq sa mendonin investitorët.

Të konsultuar nga mediat ekonomike prestigjioze, dy ekspertë financiarë pranojnë një dëmtim të pjesshëm, por jo thelbësor të kompanisë nga bojkoti i nxitur nga postimet online.  

“Aksionet e Starbucks po përjetojnë një seri humbjesh historike, të ndikuar nga një ndërthurje faktorësh,” tha Siye Desta, analiste e kapitalit në CFRA Research.

Nick Setyan, një analist i kërkimit të kapitalit në Wedbush, i bëri jehonë kësaj çështjeje. “Bojkotet… mund të bëjnë pak diferencë në marzh, një ndikim shumë i vogël. Nuk e shoh që kjo të ketë një ndikim të qëndrueshëm”, tha ai.

Esmeralda Topi
Esmeralda Topi
Redaktore Esmeralda Topi është gazetare pranë qendrës Faktoje prej vitit 2022. Ajo ka punuar si gazetare ekonomie që nga viti 2010, në televizion, shtypin e shkruar dhe atë online. Esmeralda ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës për “Gazetari”. Në të njëjtin fakultet ajo ka kryer edhe studimet në nivelin “Master Shkencor” për “Marrëdhënie me Publikun”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img