Policët në Francë nuk u rreshtuan me protestuesit

6

Pretendimi: Kjo video tregon pamje nga protestat studentore në Francë ku policia marshon me popullin, në vend t’i kundërvihet

Verdikti: Mungon konteksti

—————————————————————–

Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon oficerë policie në Francë që marshojnë krahas protestuesve, duke mos pranuar t’i kundërvihen.

Në Francë, që nga fundi i shtatorit janë duke u zhvilluar protesta studentore për të kërkuar kushte më të mira studimi. Këto protesta janë zgjeruar më pas, duke përfshirë mbrojtjen e fuqisë blerëse dhe kërkesa për shërbime publike më efikase.

Megjithëse video e mësipërme tregon pamje nga këto protesta, ato nuk tregojnë oficerë të policisë franceze që ecin krah për krah me protestuesit, sepse i mbështesin kërkesat e tyre.

Me anë të motorit të kërkmit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video e mësipërme është botuar fillimisht në rrjet nga fotoreporteri francez Samuel Clauzier.

Përshkrimi që shoqëron videon sqaron se turma eci pas një pranie të konsiderueshme policore, të vendosur në krye të marshimit.

Media vendase gjithashtu raportuan dhe fotografuan oficerë nga Kompanitë e Sigurisë Republikane (CRS), një forcë e posaçme policore e ngarkuar me menaxhimin e turmave dhe trazirave, teksa ruanin marshimin e 24 tetorit.