BallinaProjekteNxitja e llogaridhënies së zyrtarëve të lartëAsnjë plan për investime infrastrukturore në Kudhës

Asnjë plan për investime infrastrukturore në Kudhës

Gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet vendore, kandidati socialist Jorgo Goro u premtoi banorëve të fshatit Kudhës të Himarës, investime infrastrukturore. Në fakt, derimë tani, bashkia Himarë nuk ka asnjë plan konkret për pune infrastrukturore në Kudhës, pas rregullimit të qendrës së fshatit në vitin 2015, si pjesë e rilindjes urbane, që i kushtoi Himarës rreth 60 milionë lekë.

Jona Plumbi

Gjatë fushatës elektorale përpara zgjedhjeve të 14 Majit, kandidati socialist për bashkinë Himarë, Jorgo Goro vajti në fshatin Kudhës ku i premtoi qytetarëve investime.

Ujësjëllësi i ri një projekt i mbështetur nga ana e Qeverisë Gjermane. Shtojmë këtu edhe rikualifikimin urban të sheshit, rrugëve të lagjeve dhe shtëpive, rruga e re aksesi me Rrugën e Lumit të Vlorës. Pra, gjithçka tjetër në investime infrastrukture për ta bërë Kudhësin të jetueshëm dhe të përparuar ekonomikisht, është sfida jonë!”shkruan Goro në publikimin e tij të takimit me banorët e Kudhësit.

Goro nuk i fitoi zgjedhjet vendore në Himarë edhe pse me një diferencë të vogël në vota me rivalin e tij nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”.

*Rezultati i votimeve për kryebashkiak në himarë, zgjedhje vendore 14 Maj 2023

Por për shkak të mbajtjes në qeli të kryetarit të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri i cili nuk u lejua të kryejë betimin për të marrë zyrtarisht mandatin, Goro ka vijuar të qëndrojë në krye të bashkisë.

Informacioni zyrtar

Nisur nga kjo situatë ne kërkuam informacion zyrtar nga bashkia Himarë për të kuptuar në çfarë faze janë përgatitjet për investimet infrastrukturore të rrugëve, ato të lagjeve dhe rrugës së re, që i jep akses tek Rruga e Lumit të Vlorës.

Në përgjigjen e saj Bashkia Himarë na informoi se nuk ka një plan konkret për Kudhësin, edhe pse rikualifikimi i rrugëve mbetet prioritet i Bashkisë Himarë. Në vijim Bashkia na informoi për rregullimin e qendrës së fshatit.

Bashkia e Himarës do të ketë prioritetj rikualifikimin e rrugëve të brendshme të këtij fshati. Vlen të përmendet se në fshatin Kudhës janë realizuar 2 lote si investim në infrastrukturë për rehabilitimin e sheshit të qendrës duke restaurauar dhe fasadat pjesë përbërëse të këtij sheshi dhe njëkohësisht restaurimin e shtëpive dhe infrastrukturës përkatëse në lagjen e sipërme të fshatit si një lot i dytë i investimeve, e cila është një shembull shumë i mirë për vijmësine për zonat e tjera të këtij fshati.” – njofton bashkia e Himarës.

Në fakt, qendra e fshatit Kudhës është rehabilituar si pjesë e programit të rilindjes urbane në vitin 2015 dhe ka kushtuar rreth 60 milionë lekë.

Verifikimi në terren

Për të parë nga afër fshatin Kudhës udhëtuam drejt Himarës. Rruga që çon në këtë fshat është ajo e Lumit të Vlorës, ku ndodhet edhe kthesa për në Kudhës.

Fillimisht rruga duket e shtruar, por pasi kalon 200 metrat e parë, ajo ngushtohet dhe duket e shtruar me beton.

*fillimi i rrugës pas kthesës drejt fshatit Kudhës, 22 Dhjetor 2023
*vijimi i rrugës së fshatit Kudhës pas 200 metrave të parë

Rruga është mjaft e ngushtë, e pjerrët dhe gjarpëron me kthesa të forta mes ullishteve të fshatit.

E tillë vijon rruga deri lart në fshat.

Një zotëri që ka banuar gjithë jetën në Kudhës, i cili preferoi të mos identifikohej, na tregoi se rruga e fshatit është shtruar që prej viti 2004 dhe që atëherë nuk është vënë ndonjëherë dorë.

Unë s’di të ketë ndonjë plan për rrugën e fshatit” – tregon banori i Kudhësit për Faktoje – “ajo që di është që mua më shkulën 45 rrënjë ullinj për të bërë rrugën e re të Lumit të Vlorës dhe nuk mi zëvendësuan asnjëherë.”

Kur mbërritëm tek qendra e rikonstruktuar e fshatit, aty nuk gjendej këmbë njeriu.

*qendra e fshatit Kudhës, Himarë 22 Dhjetor 2023

Një godinë mban tabelën “Kafe Kudhësi”, por dyert janë të mbyllura dhe aty nuk ka njeri. Godinat e tjera është e pamundur të kuptohet për çfarë përdoren.

Në kthim, takojmë dy zonja në rrugë. Ato na treguan se kanë mbetur shumë pak njerëz në fshat.

Tek qendra që rregulluan ka një dyqan po nuk e mban hapur ai se ska njerëz kush t’i blejë. E hap në darkë shumë pak po aq. Ne bukën dhe miellin i marrim me furgon nga Vlora.” – tregojnë zonjat, banore në Kudhës.

Përfundim

Gjatë takimit elekroral përpara zgjedhjeve të 14 majit, kandidati socialist Jorgo Goro vajti në fshatin Kudhës të Himarës dhe premtoi investime infrastrukturore, ndër të cilat edhe “rrugën e re që jep akses tek rruga e Lumit të Vlorës”.

Në përgjigje të informacionit të kërkuar për një plan të rregullimit të kësaj rruge, Bashkia na informoi se ky është prioritet i Bashkisë, pa dhënë një dokument apo projekt konkret. Edhe banorët e zonës në Kudhës nuk kanë dëgjuar të ketë ndonjë plan për rregullimin e rrugës së fshatit, që është e shtruar me beton prej vitit 2004.

Investimi i fundit në infrastrukturë i kryer në fshatin Kudhës të Himarës, si na informoi edhe Bashkia Himarë, është rregullimi i qendrës së fshatit, i kryer në vitin 2015 nga kryebashkiaku i kohës Jorgo Goro.

Sot, thuajse 10 vjet më pas, qendra e fshatit Kudhës nuk i shërben askujt. Banorët tregojnë se në fshat nuk ka më njerëz, ndaj ska kush punon, dhe për kë.

Në mungesë të një plani konkret për investimet infrastrukturore në fshatin Kudhës, premtimin e kryebashkiakut në detyrë Jorgo Goro e konsiderojmë deri tani të pambajtur.

*“Faktoje”, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img