BallinaGjurmo ParanëShumica e bashkive të rindërtimit fshehin listat emërore në publikimin e VKB-ve

Shumica e bashkive të rindërtimit fshehin listat emërore në publikimin e VKB-ve

Transparenca është cilësuar si një nga parimet kryesore të rindërtimit nga ministri Ahmetaj, që në fillim të këtij procesi. Një element i rëndësishëm i transparencës është publikimi i Vendimeve të Këshillit Bashkiak, mbi përfituesit e programit të rindërtimit, nga bashkitë që ishin pjesë e këtij procesi. Faktoje kërkoi për 11 bashkitë, që u përfshinë si pjesë të procesit të rindërtimit, por publikimet e rregullta të VKB-vë me listën emërore, nuk i gjetëm në shumicën e tyre dërrmuese.

28 shkurt, gjatë prezantimit të modeleve të reja të rindërtimit në një konferencë për shtyp, ministri i Rindërtimit, zoti Arben Ahmetaj, theksoi transparencën si parim kyç të këtij procesi.

“I gjithë kuadri i prezantimit ka të bëjë me një nga parimet kryesore të rindërtimit, transparenca.” – tha ai.

Programi i rindërtimit pas tërmetit të nëntorit 2019 është shtrirë në 11 bashki të vendit, përkatësisht në Bashkinë Tiranë, Durrës, Krujë, Kurbin, Lezhë, Kavajë, Shijak, Vorë, Kamëz, Rrogozhinë dhe Mirditë. Bashkitë ishin njësi zbatuese për identifikimin e familjeve që merrnin bonus qeraje apo përfitonin nga programi i rindërtimit, për rikonstruksionin e banesave në varësi të dëmit. Ne kërkuam në faqet zyrtare të secilës prej këtyre bashkive, por Vendimet e Këshillave Bashkiakë për miratimin e listave të përfituesve nga programi së bashku me listën emërore të bashkëlidhur, e gjetëm vetëm në Bashkinë Durrës.

Bashkia Tiranë

 Në faqen online të Bashkisë Tiranë, e cila është funksionale, mund të gjenden Vendimet e Këshillit Bashkiak në format dokumenti word. Ne kërkuam në vendimet për miratimin e listave emërore përfituese të programeve të rindërtimit, të tilla si lista e personave të dëmtuar nga tërmeti që përfitonin bonus qeraje. Në faqen e Bashkisë Tiranë, në asnjë rast nuk gjetëm listën emërore bashkëlidhur me vendimin.

 

Vendimi i Këshillit Bashkiak, publikuar në faqen zyrtare të Bashkisë Tiranë

 Megjithatë, versionin origjinal të së njëjtës VKB (në format pdf), ne e gjetëm të publikuar në faqen Vendime.al, pavarësisht se faqja e Bashkisë Tiranë nuk të orienton drejt kësaj faqeje të dytë. Kjo faqe është ndërtuar dhe mirëmbajtur nga një organizatë jofitimprurëse, Infoçip. Në këtë version të VKB, i cili është një skanim i vendimit origjinal me vulë dhe firmë, ne gjetëm edhe listën bashkëlidhur.

Vendimi i Këshillit Bashkiak, publikuar në faqen Vendime.al

Bashkia Durrës

Në faqen online të Bashkisë Durrës, VKB mund të gjenden formatin pdf, i cili është skanim i dokumentit origjinal. Vendimet për miratimin e listave emërore përfituese kanë bashkëlidhur edhe listat përkatëse.

Vendimi i Këshillit Bashkiak, publikuar në faqen zyrtare të Bashkisë Durrës

Megjithatë, në faqen e bashkisë Durrës mund të gjenden vetëm VKB që i përkasin viteve 2020 dhe 2021, ndërsa për sa i përket vitit 2019, nuk figurojnë në këtë faqe.

Bashkia Krujë

VKB në faqen e Bashkisë Krujë janë të lidhura në mënyrë të drejtpërdrejtë me faqen Vendime.al, duke të kaluar automatikisht aty nëse kërkon vendimet. Në vendimin nr.10 të datës 30 janar 2020, shtohet fakti që lista e familjeve të miratuara me VKB nr. 106 të datës 29 dhjetor 2019 do të përfitojë qera për 11 muaj.

Vendimi i Këshillit Bashkiak të Bashkisë Krujë, publikuar në faqen Vendime.al

Por kur ne kërkuam në VKB e vitit 2019 të Bashkisë Krujë, ne nuk e gjetëm dot VKB nr. 106 të muajit dhjetor 2019 dhe si rrjedhoje as listën emërore. Kjo për shkak se VKB e fundit të bëra publike të Bashkisë Krujë për vitin 2019 i përkisnin muajit maj, duke mos patur asnjë VKB të publikuar për periudhën qershor-dhjetor 2019.

Bashkia Kurbin

Bashkia Kurbin aktualisht nuk ka një faqe zyrtare online, kështu nuk gjetëm asnjë VKB mbi procesin e rindërtimit. Në faqen Vendime.al, VKB e fundit e bërë publike nga Bashkia Kurbin i përket muajit tetor të vitit 2019, një muaj përpara tërmetit të 26 nëntorit 2019.

VKB e Bashkisë Kurbin në faqen Vendime.al

Bashkia Lezhë

Faqja zyrtare të Bashkisë Lezhë, njofton që në hyrje se kjo është faqja e re e bashkisë dhe kur u përpoqëm të klikonim seksionin e Këshillit Bashkiak, na doli njofitimi se faqja është në ndërtim e sipër dhe, rezultuan vetëm 3 VKB të pranishme gjithsej.

Faqja zyrtare e Bashkisë Lezhë, 6 gusht 2021

Nga ana tjetër, në faqen Vendime.al, mundëm të gjenim VKB e publikuara të Bashkisë Lezhë. Por, në VKB nr. 118 e datës 16 dhjetor 2019, për miratimin e pagesës së qerasë për familjet e prekura, vendimi nuk është bashkëlidhur me listën emërore të përfituesve, ashtu siç citohet në fund të pikës 1.

Vendimi i Këshillit Bashkiak të Bashkisë Lezhë, publikuar në faqen Vendime.al

Bashkia Kavajë

Faqja online e Bashkisë Kavajë nuk funksiononte në momentin kur u përpoqëm ta aksesojmë.

Faqja e Bashkisë Kavajë, 9 gusht 2021

Vendimet e fundit të Këshillit Bashkiak të bëra publike nga Bashkia Kavajë në faqen Vendime.al i përkasin muajit shtator 2019, dy muaj përpara tërmetit. Në këtë formë, nuk mundëm të gjenim asnjë VKB të Bashkisë Kavajë, për sa i përket programit të rindërtimit.

VKB e Bashkisë Kavajë në faqen Vendime.al

Bashkia Shijak

Ashtu si për Bashkinë Krujë, edhe faqja zyrtare e Bashkisë Shijak të drejton tek faqja Vendime.al kur përpiqesh që të aksesosh Vendimet e Këshillit Bashkiak. Në faqen Vendime.al, mundëm të gjenim VKB e Bashkisë Shijak, ku u ndalëm tek VKB nr. 3 e datës 20 janar 2021, e cila kishte si objekt miratimin e listës paraprake të familjeve që përfitojnë bonus qeraje. Por edhe në këtë VKB, nuk gjetëm listën emërore të bashkëlidhur, siç pretendohet në pikën 1.

Bashkia Vorë

Në faqen zyrtare të Bashkisë Vorë nuk ka asnjë Vendim të Këshillit Bashkiak të publikuar.

Faqja e Bashkisë Vorë, 6 gusht 2021

Në faqen Vendime.al, Bashkia Vorë nuk kishte publikuar asnjë Vendim të Këshillit Bashkiak për vitet 2019 dhe 2020. Megjithatë, në VKB nr. 5, të datës 14 janar 2021, së bashku me vendimin për ndryshimin e nivelit të dëmit nga tërmeti, kishtë përfshirë edhe listën emërore të familjeve.

Vendimi i Këshillit Bashkiak të Bashkisë Vorë, publikuar në faqen Vendime.al

Bashkia Kamëz

Në faqen zyrtare të Bashkisë Kamëz numri i VKB-ve të publikuara i përket një kohe shumë të shkurtër, me VKB më të hershme që është i datës 18 dhjetor 2020. Pikërisht kjo VKB me nr. 152 ka si objekt dhënien e shpërblimit financiar për familjet e dëmtuara nga tërmeti. Por në ndryshim nga sa specifikon në pikën 1, në faqe nuk është publikuar lista emërore e familjeve përfituese.

Vendimi i Këshillit Bashkiak, publikuar në faqen zyrtare të Bashkisë Kamëz

Bashkia Rrogozhinë

Bashkia Rrogozhinë nuk ka një faqe zyrtare online, por mundëm të gjenim VKB e saj në faqen Vendime.al. Në VKB nr. 40, të datës 31 dhjetor 2019, e cila ka si objekt pagesën e bonusit të qerasë për familjet e dëmtuara nga tërmeti, lista emërore e familjeve përfituese nuk është bërë publike.

Vendimi i Këshillit Bashkiak të Bashkisë Rrogozhinë, publikuar në faqen Vendime.al

Bashkia Mirditë

Në faqen e saj zyrtare, Bashkia Mirditë ka publikuar VKB për një periudhë të shkurtër, ku VKB më i hershme i përket muajit shtator të vitit 2020. Nga ana tjetër, në faqen Vendime.al, VKB e publikuara datojnë edhe më herët. Ne morëm si shembull VKB nr. 64 të datës 30 dhjetor 2019, ku bashkë me vendimin për shpërndarjen e bonuseve të qerave për familjet e dëmtuara nga tërmeti, është vendosur edhe lista emërore.

Nga 11 bashki që janë pjesë e procesit të rindërtimit, vetëm 3 prej tyre kanë bashkëngjitur listën emërore të familjeve përfituese në Vendimet e Këshillave Bashkiakë.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img