BallinaPertejShqiptarët blejnë barna pa fletëudhëzues në gjuhën shqipe

Shqiptarët blejnë barna pa fletëudhëzues në gjuhën shqipe

INVA HASANALIAJ

“Asnjë tolerancë për farmacitë që japin barna pa recetë, pa pullën e sigurisë apo që mbahen në kushte jo të përshtatshme, duke rrezikuar shëndetin e qytetarëve!”

Kështu u shpreh ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale Ogerta Manastirliu nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale ku lajmëroi rezultatet e kontrollit për 300 farmaci.

Në shtator të vitit 2018 kjo ministri ngriti një Task-Forcë për sigurinë e tregtimit të barnave në çdo farmaci,që do të monitoronte kushtet higjieno-sanitare, vendosjen e pullës së sigurisë dhe evidentimin e rasteve të tregtimit të barnave pa recetën e mjekut.

Ajo që “Faktoje” vuri re është se Task-Forca nuk përfshin kontrollin e dhënies së barnave pa letër-udhëzime në gjuhën shqipe, specifikë e cila parashikohet me ligj.

Në ligjin e miratuar në vitin 2014, përcaktohet se barnat duhet të bashkëshoqërohen me fletë-udhëzues për pacientin dhe detyrimisht kjo duhet të jetë në gjuhën shqipe, krahas gjuhëve të vendeve ku është destinuar të shitet bari.

Nga viti 2014 deri në vitin 2019 askush nuk i ka kontrolluar dhe penalizuar kompanitë apo farmacitë të cilat tregtojnë në masën më të madhe barna me fletë shoqëruese në gjuhë të huaja dhe jo në gjuhën shqipe.

Nga një kontroll i thjeshtë që “Faktoje” bëri në disa farmaci të kryeqytetit, rezultoi se një pjesë e konsiderueshme e barnave shiten pa letër-udhëzuesin në gjuhën shqipe. Po ashtu disa pacientë na konfirmuan të njëjtën gjë me foto të medikamenteve që kishin blerë dhe i përdornin aktualisht.

Kjo përbën një problem të madh pasi përdoruesi nuk ka informacion mbi përmbajtjen e medikamentit, i cili mund të bëhet shkak për efekte anësore tek pacienti.

Pensionistët janë kategoria që ndikohet më shumë nga kjo problematikë dhe u duhet të mjaftohen me shpjegimin e shkurtër që u jep farmacisti në momentin e blerjes së barit, i cili të gjithë shpjegimin e ka në gjuhë të huaj (Përjashtim bëjnë medikamentet e prodhuara në vendin tonë).

Nga verifikimi i bërë, “Faktoje” konstatoi edhe një tjetër problematikë; edhe disa pajisje mjekësore tregtohen pa fletë-udhëzues të përkthyer në gjuhën shqipe. Kjo nuk përbën një detyrim ligjor sipas farmacistëve ndonëse do të ishte e nevojshme. Ka raste kur një pajisje vjen në një variant të rinovuar dhe vetë tregtuesit nuk janë në gjendje të demonstrojnë sesi funksionojnë ato, siç është rasti i aparateve të aerosolit, që përdoren gjerësisht në familje në rast të gripit apo ftohjes nga fëmijë e të rritur.

Masat e vendosura nga ministria e Shëndetësisë kanë nevojë të plotësohen, në mënyrë që qytetarët të marrin shërbimin të plotë dhe jo të rrezikojnë shëndetin, vetëm për shkak të mungesës së informaconit.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img