Shqipëria nuk ia doli të jetë vendi i parë i Europës pa qese plastike, edhe pse zotimi i ministrit të Turizmit dhe Mjedisit ishte që kjo të ndodhte në 1 qershor 2020. Nga vëzhgimi në terren, “Faktoje” konstatoi se në tregjet e fruta perimeve apo markete, përveç rrjeteve të mëdha, qeset jepen pa pagesë. Edhe pse pandemia ka zhvendosur vëmendjen nga ky fenomen, ndotja nga qeset plastike mbetet kritike për Shqipërinë. Sipas studimeve, një qese plastike zakonisht përdoret për 20-30 minuta, ndërsa shpërbërja e saj kërkon një periudhë 500 vjeçare.
—————————————————————————————————————————————–
Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi, prezantoi vitin e kaluar nismën “Qesja e fundit”, e cila kishte si qëllim që prej 1 qershorit 2020, Shqipëria të bëhej vendi i parë europian, pa qese plastike.
Gjatë konsultimeve publike me grupet e interesit, apo me përfaqësues të delegacionit të Bashkimit Europian, Klosi theksoi se qeset plastike janë një nga shkaktarët kryesorë që dëmtojnë mjedisin e për rrjedhojë me ndikim negativ edhe në turizëm.
Çfarë ka ndodhur me këtë nismë pas 1 qershorit të 2020?
“Faktoje” bëri një vëzhgim në terren pas 1 qershorit dhe konstatoi se përdorimi i qeseve plastike nuk është ndalur, ashtu siç u zotua ministri.
Në tregjet dhe dyqanet e fruta perimeve, përdorimi i qeseve plastike është pa pagesë, ndryshe nga çfarë ndodh në rrjetin e marketeve të mëdha të cilat i japin ato kundrejt pagesës.
Për të shmangur përdorimin e qeseve plastike, ka mënyra alternative, siç janë përdorimi i trastave prej kartoni, rrobe (materialeve të tjera), apo karrocave shumë-përdorimshe.
Sipas studimeve, një qese plastike zakonisht përdoret për 20-30 minuta, ndërsa shpërbërja e saj kërkon një periudhë 500 vjeçare.
“Aksioni” i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit nuk kapi afatet e nismës
Në mbështetje të nismës “Qesja e fundit”, në muajin mars të këtij viti, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit depozitoi në parlament një draft “Për disa shtesa në ligjin nr.10463, datë 22.09.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar.
Propozimi kryesor është ndalimi i përdorimit, hedhjes në treg, prodhimit, importimit apo futjes në territorin e Republikës së Shqipërisë të qeseve plastike mbajtëse, qeseve të lehta mbajtëse, qeseve shumë të lehta plastike mbajtëse, si dhe qeseve plastike mbajtëse oxo-degradueshme apo oxo-biodegradueshme, duke përcaktuar edhe vlerën e gjobave për kundravajtjet administrative që mund të shoqërojnë zbatimin e tij.
Në vendin tonë janë rreth 25 biznese që ushtrojnë aktivitetin e prodhimit të qeseve dhe numri total që prodhojnë është 4.9 milionë copë në ditë.
Në raportin e vlerësimit të ndikimit, ky institucion rendit dëmet që sjell përdorimi i qeseve plastike
“Qeset plastike ndotin jo vetëm tokën por edhe ujin pasi për shkak të peshës së lehtë të tyre ato përhapen në një distancë të gjerë për shkak të lëvizjes së ujit ose erës. Nga depozitimi jo i përshtatshëm ato mund të përhapen lehtësisht në mjediset tokësore dhe ato të ujrave të ëmbla dhe detare, duke u kthyer në rrezik për gjallesat dhe njerëzit për periudha afatgjata, për shkak se ato mund kthehen në mikroplastike të dëmshme dhe futen në zinxhirin ushqimor. Përveç kësaj, efektet negative të përhapjes së tyre në mjedis dëmtojnë vlerën estetike të pejsazheve natyrore, duke krijuar ndotje vizuale, duke ndikuar në mënyre të drejtpërdrejtë në sektorë shumë të rëndesishëm të ekonomisë, siç është turizmi.”
Realiteti tregon se Shqipëria është ende larg zotimit për të qenë vendi i parë në Europë pa qese plastike.
Për këtë nismë të ndërmarrë një vit më parë, as ministria e Turizmit dhe Mjedisit, as titullari i këtij institucion nuk kanë reaguar, edhe pse ajo duhet të kishte gjetur zbati në terren që prej 1 qershorit.