BallinaPremtimeShëtitorja e Sarandës këtë verë “baltë e beton”

Shëtitorja e Sarandës këtë verë “baltë e beton”

ANXHELA RUÇI & MERXHAN DACI

Turizmi në Sarandë, përveç vështirësive të parashikuara nga pasojat e Covid-19 do ketë edhe një mangësi tjetër, përdorimin e shëtitores. Kryetari i Bashkisë Sarandë kishte premtuar se punimet do të ndërpriteshin gjatë sezonit veror dhe një pjesë e shëtirores do të hapej për pushuesit, por këto ditë ai paralajmëroi së shëtitorja do jetë e paaksesueshme.

———————————————————————————————————————————————————————-

Punimet në shëtitoren e qytetit bregdetar të Sarandës do të vazhdojnë edhe gjatë sezonit turistik, ndryshe nga çfarë ka deklaruar më herët kryebashkiaku Adrian Gurma.

Në muajin mars të këtij viti, në një intervistë për “Faktoje”, Gurma është shprehur se punimet do të vazhdojnë me ritme të larta, për t’u mbyllur përkohësisht në muajt e verës.

“Jemi të bindur që me fillimin e sezonit turistik, volumi më i madhi punimeve do të jetë kryer, megjithatë ne kemi menduar që në pikun e sezonit nuk do të kryhen punime për të rifilluar në një moment të dytë.”

Por në çelje të sezonit turistik, në një intervistë për Euro News Albania, kryetari i Bashkisë Sarandë, rrëzoi deklaratën që kishte dhënë më herët dhe njoftoi se puna në bulevard do të vazhdojë dhe shëtitorja do të jetë e paaksesueshme.

“Ka pasur një ndërhyrje për t’u bërë i mundur investimi në një pjesë të nëntokës, dhe kjo ka bërë të mundur që të mos ngelim vetëm tek loti i pare, po të kalojmë dhe tek loti i dytë i investimit në bulevard, çka do të bëjë të mundur që të paktën për këtë sezon të mos kemi aksesim të bulevardit.”

Bashkia Sarandë ka njoftuar se nga data 5 qershor, një nga rrugët e automjeteve më të afërta me bulevardin, do të mbyllet, për të shërbyer si shëtitore për pushuesit.

Edhe gjatë kohës së pandemisë nga COVID-19, punimet në këtë shëtitore kanë vijuar. Ish-ministri i Infrastrukturës Damian Gjiknuri, me anë të një postimi ka treguar ecurinë e tyre dhe ashtu si kryebashkiaku ka premtuar se gjatë sezonit veror, shëtitorja do të ishte e aksesueshme.

Mbyllja e shëtitores në Sarandë pritet të ketë ndikim negativ në turizëm dhe në ekonominë e bizneseve që operojnë në këtë zonë, të cilat e kanë marrë tashmë goditjen edhe nga pasojat e pandemisë nga Covid-19.

Punimet në shëtitoren e Sarandës nisën në muajin tetor 2019, një muaj më vonë nga sa kishte premtuar kryeministri Edi Rama. Afati i përfundimit të punimeve është 14 muaj dhe kostoja 4.7 milionë euro.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img