BallinaNë lupën e FakteveShqipëria, e fundit për shpenzimet buxhetore për shëndetësinë në krahasim me disa vende të rajonit

Shqipëria, e fundit për shpenzimet buxhetore për shëndetësinë në krahasim me disa vende të rajonit

Një deklaratë e PD, pak muaj më parë ngrinte shqetësimin për shpenzimet e ulëta buxhetore për shëndetësinë, referuar një raporti të quajtur “Numbeo”. Shpenzimet e ulëta publike për kujdesin shëndetësor nënkuptojnë se qytetarët shpenzojnë nga xhepi për të marrë shërbim mjekësor, sidomos në situatën e pandemisë së Covid-19. Nga verifikimi i Faktoje, krahasimi i të dhënave me ato të Bankës Botërore dhe raporte të tjera zyrtare, rezulton se vërtetë Shqipëria shpenzoi më pak se disa vende të rajonit për kujdesin shëndetësor.

————————————————————-

Më 31 janar të këtij viti, Partia Demokratike, nëpërmjet koordinatorit për Shëndetësinë ngriti shqetësimin në lidhje me shpenzimet buxhetore në këtë sektor.

“Në rajon, Shqipëria u rendit e fundit si për indeksin e shërbimeve, edhe atë të shpenzimeve buxhetore për shëndetësinë krahasuar me Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjën (vetëm këto janë marrë në studim), sipas indeksit që ndërtoi databaza mbi cilësinë e jetës ‘Numbeo’ për vitin 2022, ku pikët më të ulëta kanë marrë: cilësia e dobët e pajisjeve mjekësore, koha e pritjes dhe kosto e shërbimeve”- deklaroi koordinatori për Shëndetësisë në PD, Gazment Koduzi.

Faktoje bëri një verifikim, duke iu referuar të dhënave të Bankës Botërore përsa i përket shpenzimeve buxhetore në sektorin e Shëndetësisë dhe si renditet vendi ynë.

Sipas raportit më të fundit të Bankës Botërore, në vitin 2018, Shqipëria shpenzoi 275 dollarë amerikanë për frymë për kujdesin shëndetësor, më pak se gjysma e mesatares së vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe rreth një e pesta e mesatares së vendeve të Balltikut dhe atyre të Europës Juglindore.

Të dhënat e Bankës Botërore tregojnë qartë që shpenzimet e brendshme për shëndetin publik në vendin tonë janë mjaft të ulëta, krahasuar me vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilët sipas këtyre të dhënave e kanë 5% të PBB-së (produktit të brendshëm bruto), vendeve të Balltikut që e kanë 4.3% dhe atyre të Europës Juglindore që arrin në 5.3%.

Screenshot nga raporti i Bankës Botërore

“Shpenzimet e ulëta publike për kujdesin shëndetësor çojnë në shpenzime të larta nga xhepi, gjë që i pengon familjet me të ardhura të ulëta të kërkojnë kujdes mjekësor dhe i ekspozon shqiptarët ndaj rrezikut të shpenzimeve katastrofike shëndetësore dhe varfërisë. Në vitin 2018, Shqipëria shpenzoi 275 dollarë amerikanë për frymë për kujdesin shëndetësor, më pak se gjysma e mesatares së vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe rreth një e pesta e mesatares së vendeve të Balltikut dhe të Europës Juglinore. Në vitin 2018, shpenzimet e brendshme për shëndetin publik si pjesë e PBB-së ishin 2.8 për qind e PBB-së në Shqipëri, shumë më e ulët se mesatarja prej 5 për qind për vendet e Ballkanit Perëndimor”- thuhet ndër të tjera në raportin e BB.

Sa të besueshme janë të dhënat e Numbeo, të cilës i referohet PD

Por, çfarë është Numbeo, databaza ku e mbështet deklaratën koordinatori për Shëndetësinë në Partinë Demokratike, zoti Gazment Koduzi?

Faktoje pyeti ekspertë të ekonomisë për të saktësuar nëse kjo databazë i referohet të dhënave apo raporteve shkencore.

Sipas ekspertëve, Numbeo nuk bazohet në metodologji shkencore, por është një tregues që paraqet një lloj realiteti të situatës.

“Numbeo është një databazë statistikore e kostove të perceptuara nga publiku rreth shëndetësisë, pronës, krimit etj. Numbeo funksionon sipas parimit crowd-sourcing njësoj si Wikipedia psh, ku të dhënat mund të hidhen nga çdo person. Indekset që prodhon Numbeo bazohen në këto të dhëna. Vetë Numbeo shkruan në website se indekset që ajo prodhon NUK BAZOHEN në metodologji shkencore. Nëse do të më pyesje mua, do të thosha që këto të dhëna, një farë tendence e tregojnë, por ama s’mund të thuhet që këto janë shkencore”- sqaron një prej ekspeertëve të ekonomisë që pyeti Faktoje.

Premtimet për buxhetin e Shëndetësisë

Gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend më 15 nëntor të vitit që lamë pas, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu foli për buxhetin e vitit 2022, duke e cilësuar atë si një buxhet historik për shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale.

“Ekziston një fakt që e shpërfaq fare qartë ndryshimin si dita me natën, që mbështetja për shëndetësinë ka pësuar në 8 vite. Eshtë shifra kokëfortë e rritjes së Buxhetit për Shëndetësinë, gjatë dy mandateve. 85 % rritje, duke rritur kështu financimin publik e duke ulur shpenzimet nga xhepi i qytetarëve për shërbimin shëndetësor.  Janë 7 miliardë lekë më shumë buxhet për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe përballimin e impaktit të pandemisë dhe efekteve post-covid, duke dedikuar 2,7 miliardë programit të vaksinimit anti-covid të popullatës. Për mbështetjen e strategjisë së testimit, gjurmimit, survejancës, kujdesit shëndetësor në sistemin parësor dhe spitalor, barnat dhe materialet mjekësore të nevojshme për të gjitha strukturat spitalore”- bëri me dije Manastirliu.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, buxheti 2022, për dy sektorët (shëndetësi dhe mbrojtje sociale) është 91 miliardë e 365 milionë lekë. Për shëndetësinë ky buxhet do të jetë 63 miliardë e 515 milionë lekë dhe 27 miliardë e 850 milionë lekë do të jetë buxheti për programet e mbrojtjes sociale.

Në 18 nëntor 2021, teksa diskutonte për buxhetin e Shëndetësisë për vitin 2022, kryeministri Edi Rama foli për ndryshime rrënjësore në spitale gjatë 8 viteve qeverisje. Gjithashtu ai premtoi rritje me 40% të pagave për bluzat e bardha.

Kostot e larta të shpenzimeve të qytetarëve shqiptarë për shëndetësinë u vunë në dukje sidomos gjatë periudhës së pandemisë. Në një artikull të publikuar në mars të këtij viti, Faktoje raportoi se si miliona eurot e vëna në dispozicion për rimbursimin të recetës COVID-19 nuk u shfrytëzuan me efikasitet duke nxjerrë në pah një skemë “fiktive” mbështejeje. Nga 9.8 mln Euro të vëna në dispozicion, u shpenzuan vetëm 242 mijë Euro, ose 1 e 40-a e fondit, duke bërë që shqiptarët të jenë të parët në Evropë për shpenzimet nga xhepi në përballimin e COVID -19.

Edhe më herët, Faktoje ka raportuar mbi shpenzimet e ulëta për shëndetësinë nga qeveria, edhe pse është një prej sektorëve më të rëndësishëm.

Sipas artikullit, në 6-mujorin e parë të vitit 2020, shpenzimet e përgjithshme për sektorin e shëndetësisë në Shqipëri rezultuan në rënie, në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, e përkthyer në shifra, 83 milionë lekë më pak.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë dhe të ato raportuara nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë dëshmuan për këtë tkurrje të shpenzimeve për shëndetësinë edhe pse situata nga pandemia imponoi kosto ekstra për shkak të masave shtesë që duhet të ndërmerreshin.

Një tjetër verifikim i Faktoje, tregoi se përgjatë një viti, nëntor 2020-shtator 2021, nga 170,131 pacientë të raportuar si të prekur nga virusi, vetëm 7536 rezultonin të rimbursuar dhe shuma mesatare e rimbursimit është 4 mijë lekë për person. Kjo shumë llogaritet të jetë rreth 4% e shpenzimeve reale që një person i prekur nga covidi shpenzoi për t’u kuruar.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img