BallinaPertejShpenzimet për Dubain, përgjigje të cunguara dhe kontradiktore nga institucionet

Shpenzimet për Dubain, përgjigje të cunguara dhe kontradiktore nga institucionet

Ministrisë së Infrastrukturës dhe Ministrisë së Rindërtimit iu deshën më shumë se 3 muaj kohë për të kthyer përgjigje të cunguara mbi dokumentacionin e kërkuar për udhëtimin në Dubai të disa zyrtarëve në fillim të këtij viti. Me gjithë vonesat dhe mungesën e transparencës, përgjigjet e paplota ishin në kontradiktë me atë çfarë ka deklaruar kryeministri Rama për mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit luksoz. Ndërkohë, ftesa e palës pritëse, që sipas Bashkisë Tiranë i ishte dërguar Ministrisë së Infrastrukturës dhe Ministrisë së Rindërtimit, vazhdon të mbetet një mister.

Më 21 dhe 22 janar, Faktoje dërgoi kërkesa për informacion në 4 institucionet të cilat dërguan përfaqësues të lartë në delegacionin që vizitoi Dubain në fillim të këtij viti. Ashtu siç raportuam më 21 mars, vetëm dy nga katër institucionet, respektivisht Kryeministria dhe Bashkia Tiranë, na kthyen përgjigje pas ankimimit tek Komisioneri për Të Drejtën e Informimit. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministria e Rindërtimit, refuzuan të përgjigjen edhe pas ankimimit te Komisioneri, në shkelje të plotë të afateve ligjore.

Përgjigjja e këtyre 2 institucioneve merr rëndësi të veçantë, pasi Bashkia Tiranë na bëri me dije se ftesa për këtë vizitë është dërguar si fillim nga pala pritëse pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministrit të Shtetit për Rindërtimin.

3 muaj pas dërgimit të kërkesës për informacion, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë na bëri me dije se të gjitha shpenzimet janë mbuluar nga pala pritëse.

Kjo përgjigje bie në kundërshtim me çfarë kishte deklaruar kryeministri Rama më 15 janar në “Open“. Ai tha se pala pritëse kishte paguar për gjithçka, me përjashtim të biletave të avionit, të cilat ishin mbuluar nga qeveria shqiptare.

Dhjetë ditë më vonë, më 29 prill, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë na vuri në dispozicion urdhërin për autorizimin e shërbimit jashtë vendit për zyrtarët që do shkonin në Dubai. Në një praktikë të ngjashme me atë që evidentuam në Bashkinë Tiranë, ky urdhër ishte firmosur më 5 janar 2021, vetëm 2 ditë përpara fillimit të vizitës zyrtare (7-10 janar).

Ministria e Infrastrukturës, na vuri në dispozicion një urdhër shërbimi të titullarit për pjesëmarrjen në vizitën në Dubai. Ftesën zyrtare për këtë vizitë, të cilën e kishim kërkuar në mënyrë specifike, nuk arritëm ta marrim.

Autorizimi për shërbimin jashtë vendit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë

 Në ndryshim nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Rindërtimit nuk na solli ndonjë shkresë që dokumentonte këtë udhëtim të titullarit. Në e-mailin e shkurtër që na dërgoi, ky institucion na konfirmoni se të gjitha shpenzimet janë mbuluar nga pala pritëse.

Përgjigjja e Ministrisë së Rindërtimit, 7 maj 2021

Edhe ky pohim zyrtar i Ministrisë së Rindërtimit bie ndesh me deklaratën e kryeministrit Rama mbi mbulimin e shpenzimit të biletave të udhëtimit nga qeveria shqiptare.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img