BallinaKomunitetet lokale kundër dezinformimitShkollat e fshatrave në Shkodër në rrezik epidemie nga uji i ndotur, në vend të ujësjellësave shpohen puse

Shkollat e fshatrave në Shkodër në rrezik epidemie nga uji i ndotur, në vend të ujësjellësave shpohen puse

ANILA DUSHI

Më shumë se gjysma e shkollave në zonat rurale në Shkodër, rezultojnë me ujë të ndotur, pas analizave baktereologjike dhe autoritetet kanë urdhëruar mospërdorimin e tij për t’u pirë. Një familje në fshat, shpenzon 3000-5000 lekë të reja në muaj për blerjen e ujit, që t’i shpëtojë infektimit nga Esheria Coli, ndërsa përballet edhe me rrezikun nga Covid-19. Në shekullin e 21-të, fshatrat i janë rikthyer shpimit të puseve, ndërsa investimet për ujësjellësa janë ende në fazë projekti, sipas bashkisë.


Cilësia e ujit të pijshëm merr një rëndësi të shtuar për shëndetin, veçanërisht në situatën e pandemisë së Covid-19. Në këtë periudhë pandemie, me fillimin e vitit shkollor më 14 shtator, janë shtuar kontrollet e institucioneve përgjegjëse për cilësinë e ujit të rrjedhshëm në shkollat e Shkodrës.

Sipas të dhënave zyrtare të Prefekturës së Qarkut Shkodër, nga kontrolli i ushtruar në 26 shkolla, kryesisht në zonat rurale, më shumë se gjysma e tyre kanë rezultuar me ujë të ndotur. Situata është serioze dhe autoritetet shëndetësore të Shkodrës kanë vendosur postera njoftues ku bëhet thirrje që uji në këto shkolla të mos konsumohet.

Kontrollet për cilësinë e ujit, sipas raportimeve nga autoritetet vendore të Shkodrës, kryhen rregullisht, sidomos gjatë periudhës së pandemisë.

Mjekja epidemiologe Dhurata Hysa, që punon në Njësinë Vendore të Kujdesit Shëndetësor, thotë për “Faktoje” se janë dy laboratorë që kryejnë analizat e ujit të pijshëm, ai baktereologjik që teston bakteriet si E. Coli (eschericha coli) dhe laboratori fiziko-kimik.

“Të infektuarit kanë dhimbje dhe shtrëngime të forta në stomak, diarre, fillimisht si ujë, por shpesh përzier me gjak, përzierje dhe të vjella. Në kushtet e pandemisë rreziku i infektimit sjell pasoja pasi përhapet edhe tek të rriturit dhe ul ndjeshëm imunitetin e organizmit.

Dhurata Hysa, mjeke epidemiologe

Ka raste që simptomat nuk shfaqen menjëherë, prandaj, pa e ditur të infektuarit mund të bëhen burim infeksioni edhe për të tjerët. Në raste të veçanta sjell probleme në veshka dhe gjak, sidomos kur nuk identifikohet dhe nuk mjekohet në kohë. Në periudhën e pandemisë rreziku nga çdo infeksion, i çdo natyre, është i shtuar pasi ndikon negativisht në gjendjen e përgjithshme shëndetësore të njeriut.” – thotë epidemiologia.

Uji që përdoret për t’u pirë testohet çdo ditë për përmbajtjen e baktereve dhe në rastet kur E. Coli rezulton në parametrat 3 deri në 6/100 ml, nuk paraqet problem edhe pse këshillohet konsumimi i reduktuar. Prania E. Coli-t në nivel mbi 6/100 ml e bën të pakosumueshëm ujin, sipas specialistëve.

“Shkollat ku janë ndeshur probleme, nuk kanë linjë ujësjellësi dhe ujin e kanë në puse ose me shpime. Në qershor janë bërë shpime në disa zona, por ende është shpejt dhe uji nuk e ka arritur pastërtinë e duhur. Edhe filtrat nuk janë vendosur kudo, pasi ato janë të domosdoshëm dhe sigurojnë pastërtinë e ujit nga bakteret” -thotë Hysa.

Shkollat 9-vjeçare në qytet apo dhe ato që furnizohen nga ujësjellësi i qytetit nuk paraqesin probleme, sipas autoriteteve shëndetësore vendore. Problematike në këtë aspekt janë shkollat e zonave rurale.

Shkolla 9-vjeçare në Bardhaj të Njësisë Administrative Rrethina, ka 350 nxënës, bashkë me aneksin. Uji i pijshëm këtu ka munguar prej shumë vitesh. Lekë Pjetri, mësues në këtë shkollë thotë:

“Kemi patur ujë me pus, i cili kishte problem cilësie pasi ishte vetëm 11 metra i thellë. Ka një muaj që një shoqatë e huaj ka realizuar një shpim për ujin, në 35 metra thellësi. Shpimi ka rrjedhje të lirë, por ende nuk janë vendosur filtrat, ndonëse vendet janë caktuar. Institucionet e kujdesit shëndetësor kanë marrë mostrat e ujit nga pusi i cili ka rezultuar se nuk mund të konsumohet për t’u pirë dhe kanë vendosur posterat përkatës. Aktuasht uji përdoret vetëm për larje. Uji për t’u pirë merret me bidonë ose nga vetë nxënësit. Janë vendosur njoftimet, por janë lajmëruar dhe gojarisht nxënësit që të mos pijnë ujë tek çezmat e shkollës”- thotë Pjetri.

Lekë Pjetri, mësues në shkollën 9-vjeçare në Bardhaj

Shkolla 9-vjeçare “Tringë Smajli” në fshatin Grudë e Re, po në Njësinë Administrative Rrethina, është nga shkollat ku ndalohet konsumi i ujit për t’u pirë. Banorë të këtij fshati, prindër të nxënësve shprehen se ujin ua japin me vete fëmijëve.

Gjon Malaj, banor i lagjes Vinitekë në Grudë të Re, thotë se uji i pijshëm mungon prej 18 vitesh.

Gjon Malaj

“Kush ka mundësi ka hapur puse, por dhe ato duhet të dezinfektohen pasi në shumë prej tyre cilësia nuk është e mirë. Puset janë hapur privatisht dhe kanë kosto të lartë që shkon deri në 350 mijë lekë të reja. Ka familje që kanë ndërtuar depozita, por shumica e blejnë. Kostoja mesatare e blerjes së ujit të pijshëm dhe për gatim shkon 3000 deri 5000 lekë të reja në muaj, pasi për t’u larë përdoret uji i puseve dhe shpimeve private.”- thotë Malaj për “Faktoje”.

Depozita uji

Pesë ditë më parë, në shkollën 9-vjeçare “Tringë Smajli” në fshatin Grudë e Re Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor ka urdhëruar ndërprerjen e furnizimit me ujë për shkak të nivelit të ndotjes.

Njoftimi i ISHSH në shkollën 9-vjeçare në Grudë të Re

Pasi morën dijeni për këtë informacion, kanë reaguar prindërit të cilët tregojnë se fëmijët kanë qenë të ekspozuar ndaj infeksioneve të shumta, sepse prej vitesh nuk janë bërë analiza të mirëfillta të ujit.

Ata kërkojnë nga institucionet që të ndërtohet një rrjet me të gjitha kushtet, në mënyrë që fëmijët të kenë siguri gjatë konsumimit të ujit në shkollë.

“Ne ua japim ujin fëmijëve me vete se edhe si zonë kemi problem me furnizimin me ujë dhe kemi hapur puse ose kemi bërë shpime vetë individualisht, sipas mundësive. Shkolla e ka ujin të pakonsumueshëm. Duhet të ndërhyjë shteti, dhe kjo duhej bërë para se të hapej shkolla, sidomos tani kur infeksioni nga Covid-19 është i pranishëm.

Është problem jo i vogël, por shteti mund ta zgjidhë, pasi ka kompani amerikane apo gjermane që ofrojnë filtra cilësorë. Deri tani shteti nuk ka bërë asgjë.” -shprehet Petrit Coli, banor i fshatit Grudë e Re.

Edhe shkolla në fshatin Trush të Njësisë Administrative Bërdicë ka rezultuar me ujë të ndotur, gjë që njoftohet edhe përmes posterave të vendosur në mjediset e shkollës.

Shkolla në fshatin Trush

Sipas mjekes Dhurata Hysa, deri tani nuk janë raportuar raste me kontaminim, pasi banorët janë njoftuar në kohë për të ndaluar përdorimin si ujë të pijshëm.

Fshtrat në të cilat uji në shkolla ka dalë i ndotur, janë përballur me mugesë të infrastrukturës dhe ujësjellësave, sidomos pas viteve 90′ e në vazhdim.

E pyetur për “Faktoje” se çfarë investimesh janë bërë deri tani në njësitë administrative ku uji rezulton me nivel të lartë ndotjeje, kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi tha:

“Problemi i ujit të pijshëm për fshatin Grudë e Re dhe një pjesë të madhe të njësisë administrative Rrethina, është pjesë e investimit prej 19.5 milionë euro që kemi firmosur me KFW një vit më parë, më 1 nëntor 2019. Financimi i këtij programi investimesh, bëhet në bashkëpunim me qeverinë gjermane, atë zvicerane dhe Bashkimin Europian.

Ky program investimesh fillon në vitin 2020 dhe ka një kohëzgjatje 4-vjeçare.”

Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi në fshatin Grudë e Re

“Investimi për sistemin ujësjellës, për fshatrat e njësisë administrative Rrethina, është në fazën e projektimit. Ndërkohë Bashkia Shkodër, me një fond prej 600 milionë lekësh të vjetra po bën shpimin për rezervuarin që do të shërbejë për furnizimin e një pjesë të fshatit Hot i Ri. Jemi në proces dhe aktualisht po identifikojmë një pronë që ka pretendime, në të cilën është planifikuar rezervuari.”-përfundoi zonja Ademi.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img