BallinaFaktometerE vërtetëLleshaj: Gjatë 2020-s është asgjësuar më shumë kanabis se në vitin 2019

Lleshaj: Gjatë 2020-s është asgjësuar më shumë kanabis se në vitin 2019

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj deklaroi në seancën e fundit në Kuvend, se deri më tani janë asgjësuar më shumë bimë kanabisi se në vitin 2019. Edhe pse më herët ai kishte garantuar se kultivimi i kanabisit ishte një çështje që kishte marrë fund, shifrat e raportuara për operacionet antikanabis, dëshmojnë se fenomeni është ende i pranishëm.


Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj në interpelancën, e zhvilluar të hënën në Kuvend deklaroi se gjatë vitit 2020 janë asgjësuar më shumë bimë kanabis sativa se në vitin paraardhës.

Sa i përket kanabisit, dua t’ju them që lufta kundër saj ka shënuar rezultatet më të larta në 3 dekadat e fundit. Në vitin 2020 e ka shtuar nivelin e kontrollit në territor. 106 hetime proaktive janë zhvilluar nga policia këtë vit. Sivjet janë asgjësuar më shumë bimë narkotike se sa një vit më parëdeklaroi ministri i Brendshëm, Lleshaj.

Referuar të dhënave të publikuara nga Ministria e Brendshme, gjatë vitit 2019 u asgjësuan 90,175 bimë kanabis sativa.

Sipas të dhënave nga Policia e Shtetit, 44 për qind e totalit të bimëve narkotike janë identifikuar me informacion policor, 21 për qind janë identifikuar nga kontrolli i territorit, 35 për qind e janë identifikuar nga monitorimi ajror, prej të cilave 7 për qind nga monitorimi ajror me helikopter dhe 28 për qind  nga monitorimi ajror i Guardia di Financës.

Referuar të dhënave nga Ministria e Brendshme përmes buletinëve mujorë, deri në muajin gusht 2020 janë asgjësuar 104,500 bimë kanabisi.

Përveç bimëve të asgjësuara, gjatë vitit 2020 është kapur më shumë kanabis I gatshëm për shitje, se në vitin paraardhës.

Nisur nga të dhënat kumulative për 8 muajt e vitit 2020, është shënuar një sasi prej 5.5 ton e marijuanës së kapur ose 4.2% më shumë se niveli i shënuar në 8 muajt e vitit 2019 – raporton Ministria e Brendshme.

Për ish-drejtuesin e Policisë së Shtetit, Arben Hajdarmataj kriza e besimit për dhënie të informacioneve Policisë së Shtëtit përkthehet në disavantazh në parandalimin e kultivimit të kanabisit.

Pati një moment me ardhjen e ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj ku pati reduktim të ndjeshëm të kultivimit të kanabisit, gjë që nuk u reflektua me ardhjen e Lleshajt. Informacionet që i jepen Policisë së Shtetit janë të pakta, për shkak edhe të krizës së besimit që kanë qytetarët për të denoncuar – i tha “Faktojes”, Hajdarmataj

Hadarmataj shton se periudha e pandemisë ka ndikuar në rritjen e kultivimit të kanabisit për shkak se Policia e Shtetit ishte e fokusuar në zbatimin e masave në raport me pandeminë “Covid-19”.

Politika orientoi gabim Policinë e Shtetit. Në përiudhën e parë të pandemisë policia mori rol ushtarak duke kontrolluar qytetarët. Qeveria largoi Policinë e Shtetit nga objektivi i saj – argumenton Hajdarmataj.

Deklaratën e ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj, pas verifikimit përmes të dhënave zyrtare do ta kategorizojmë si “Të vërtetë”.

*Foto ballore është marrë nga rrjeti socia “Facebook” i ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj!

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img