BallinaPertejShkodër, në shkollat e fshatrave ku dezinfektimi bëhet me ujë pusi dhe mësuesit punojnë edhe si roje

Shkodër, në shkollat e fshatrave ku dezinfektimi bëhet me ujë pusi dhe mësuesit punojnë edhe si roje

AURORA SHPATAJ

Në Postribë të Shkodrës, pandemia i ka gjetur shkollat me mungesë të kushteve higjeno-sanitare,por edhe me probleme të mbartura. Në 3 shkolla ku Faktoje bëri një vëzhgim sesi po e zhvillon procesin mësimor në këtë periudhë, mungojnë sanitaret, uji i rrjedhshëm dhe rojet për të garantuar sigurinë. Këtë punë e kryejnë me rrotacion vetë mësuesit.

Me fillimin e vitit të ri shkollor ‘pandemik’, ministrja e shëndetësisë Ogerta Manastirliu njoftoi se krijimi i kushteve dhe respektimi rigoroz i protokolleve të sigurisë në shkolla, ishte detyrim.

“Grupet tona të ekspertëve janë në komunikim të vazhdueshëm, për një detajim të protokolleve të sigurisë, ku përfshihen masat e distancimit social, kushtet higjeno-sanitare, si dhe çdo masë që garanton kufizimin e përhapjes së virusit”-tha Manastirliu me datë 18 gusht të këtij viti.

Faktoje, e cila edhe më herët ka bërë verifikime për gjendjen e shkollave në zona të ndryshme të vendit ,këtë herë vendosi të shkonte në disa fshatra të Shkodrës.

Verifikimi i Faktojes nisi me shkollën 9 vjeçare në fshatin Bardhaj, që mban të njëjtin emër dhe ndodhet afërsisht 20 km larg nga qendra e qytetit. Kur u interesuam sesi po zbatohen protokollet anti-covid të vendosura nga Ministria e Shëndetësisë, konstatuam probleme që nisnin me mungesën e sanitareve.

“Ne kemi vetëm një sanitare e cila mbulon kopshtin që ka bashkia dhe shkollën tonë. Shkollën me 348 nxënës nuk mund ta përballojë dot një sanitare, është e pamundur! Jemi në kushtet e pandemisë, ku higjiena është gjëja kryesore!”-tha për Faktoje drejtoresha Tereza Brixha.

Ajo tregon se ka dërguar shumë kërkesa zyrtare, por ende s’ka zgjidhje.

“Kam dorëzuar aq shumë kërkesa sa nuk di më! Gjithmonë më thonë prit se do të vijë edhe pak. Kanë kaluar kaq shumë kohë e përsëri asnjë nuk ka ardhur në këtë shkollë.”-shprehet Tereza Brixha.

Sanitarja e vetme që duhet të pastrojë shkollën me 2 kate dhe 18 klasa dhe ambientin e kopshtit 1 katësh, i cili ka 4 ambiente dhe një klase thotë për Faktoje:

“Më doli shpirti për Zotin, s’di çfarë të bëj më parë! Kam dhe kopshtin dhe shkollën. Imagjinojeni vetë sa lëvizje ka e sa herë do që të pastrohen. Sidomos tani me këtë virusin gjithë ditën jam në këmbë.”

Gjatë vëzhgimit mësuam se në shkollë mungonte uji i rrjedhshëm.

“Është hapur një pus goxha i thellë, afërsisht 30 m nën tokë, por nuk kanë ardhur të vendosin tubacionet për ta bërë funksional”-shprehet drejtoresha Tereza Brixha.

“Aktualisht përdorim pusin e vjetër për të plotësuar nevojat e shkollës. Ndërkohë që mbetemi në pritje që të vijnë të lidhin tubacionet që të përdorim dhe pusin që është hapur”-shton ajo.

Përtej mungesave thelbësore për të garantuar kushtet higjeno-sanitare, shkolla ka edhe probleme të tjera.

“Nuk kemi roje në shkollë. Mungesa e rojes shpesh herë na ka sjellë shumë problematika qoftë me nxënësit, prindërit e të tjerë me rradhë.”- i tha Faktojes një mësuese e ciklit të ulët në këtë shkollë.

“Jemi vetë roje, madje unë së bashku me mësuesit kemi vendosur kamera nëpër shkollë me lekët tona, të bashkuar me ndonjë ndihmë që na është dhënë nga të afërm e nga ndonjë banor”-konfirmoi drejtoresha e shkollës “Bardhaj”.

Faktoje e vijoi vëzhgimin në shkollën e mesme të bashkuar “Adem Haxhija”, me rreth 600 nxënës, në zonën e Postribës.

*Shkolla e Mesme e Bashkuar ‘Adem Haxhija’, Postribë/Foto:Aurora Shpataj

Edhe në këtë shkollë mungon uji i rrjedhshëm.

“Ujë të rrjedhshëm nuk kemi, por kemi një pus e me atë plotësojmë nevojat e shkollës”-konfirmon një mësuese e shkollës ‘Adem Haxhija’.

Kur pyetëm se sa herë kryhej dezinfektimi i shkollës, një prej mësueseve tha për Faktoje:

“Dezinfektimi bëhet në fund të turneve dhe në mëngjes, ndërsa ndërmjet turneve është e pamundur. Këtë e bëjnë sanitaret duke pastruar klasat, dezinfektuar bankat me alkool, pastaj jemi dhe ne që çdo mëngjes masim temperaturën e nxënësve që hyjnë dhe nuk lejojmë të hyjnë asnjë pa maskë.”

Nga një vëzhgim që Faktoje bëri në shkollën e Mesme të Bashkuar në lidhje me ruajtjen e distancës apo përdorimin e maskave, konstatoi se pothuajse të gjithë nxënësit që qëndronin të grumbulluar para hyrjes, ishin pa maska.

Nxënësit para portës së shkollës në pritje për të hyrë në ambientet e shkollës/Foto:Aurora Shpataj

Në një komunikim që patëm me stafin e mësuesve, mësuam se edhe në shkollën e mesme “Adem Haxhia” mungon roja.

“Nuk kemi roje, ne me mësuesit e tjerë bëjmë roje me turne gjatë orëve të mësimit që të shmangim çdo lloj ndodhie të pakëndshme”-konfirmon një tjetër mësuese për Faktojen.

“Ne nuk kemi as mur rrethues në shkollë, kështuqë çdo lloj personi nga jashtë mund të hyjë brenda në ambientet shkollore. Shpesh herë kanë ndodhur incidente si thyerje xhamash, zënka mes nxënsve e shumë të tjera.”-shton mësuesja.

Dëmtimet në muret e shkollës së Mesme të Bashkuar ‘Adem Haxhija’, Postribë/Foto:Aurora Shpataj.

Shkolla e Mesme e Bashkuar ‘Adem Haxhija’ Postribë pa mur rrethues/Foto:Aurora Shpataj

Faktoje e vijoi vëzhgimin në shkollën 9-vjeçare “Marin Sirdani” në fshatin Bogë, ku sipas banorëve mësojnë afërsisht 20 nxënës.

 Shkolla 9-vjeçare ‘Marin Sirdani’ Bogë

Aktualisht në fshatin Bogë ka 60 familje nga të cilat 45 janë më ndihmë ekonomike. Në fshatin me shumicën e familjeve të varfëra edhe shkolla kishte mungesë të kushteve bazike.

Tualetet e shkollës 9-vjeçare ‘Marin Sirdani’/Foto:Aurora Shpataj

Tualetet e shkollës 9-vjeçare ‘Marin Sirdani’/Foto:Aurora Shpataj

Mjaftoi të shihje kushtet e tualetit që ndodhej jashtë mjediseve të shkollës, për të kuptuar se sa larg plotësimit të protokollit anticovid ishte ajo. Komentet për kushtet e saj higjenike, siç e tregon edhe foto, janë të tepërta.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img