.

.

BallinaAktualitetCovid-19Shkollat në Mirditë, mes mungesës së ujit dhe mësimit në klasa kolektive

Shkollat në Mirditë, mes mungesës së ujit dhe mësimit në klasa kolektive

INVA HASANALIAJ & MERXHAN DACI

Ndërsa viti shkollor ka vetëm një javë që ka filluar, Ministria e Arsmit Sportit dhe Rinisë ka shtuar thirrjet për respektimin e  masave anti-Covid nëpër shkolla. Në faqen zyrtare online ky institucion tregon përmes postimeve, sesi shumë prej shkollave të kryeqytetit kanë marrë të gjitha masat higjeno-sanitare për sigurinë e nxënësve dhe mësuesve.  Por sa më shumë i largohesh Tiranës, aq më pak e sigurtë për shëndetin bëhet situata nëpër shkolla. 

Marrja e masave dhe respektimi i tyre i ngjan një ‘legjende urbane’, në kushtet kur shumë shumë prej shkollave nuk kanë mundësi as të sigurojnë ujë të rrjedhshëm. Faktoje udhëtoi drejt Mirditës, për të mësuar sesi  dhe sa zbatoheshin masat anti-Covid nëpër shkollat e qytetit dhe fshatrave përreth. Në Bashkinë Mirditë ka gjithsej 24 shkolla.

Furnizimi me ujë

Fillimisht Faktoje i dërgoi një kërkesë për informacion Bashkisë Mirditë për të mësuar se me sa orë ujë në ditë furnizohen shkollat. 

Në përgjigjen e bashkisë konfirmohet, se në pamundësi për të pasur ujë pandërprerë, shkollat furnizohen tre deri në katër orë me ujë në ditë. Ndërsa ato që nuk e kanë këtë ‘fat’ mbledhin ujë me bidona ose fuçi. 

Faktoje e nisi vëzhgimin e  me shkollën “Pashko Vasa” në Rrëshen ku mësojnë 480 nxënës. Faktoje bisedoi  me nëndrejtoreshën A.V e cila konfirmoi se shkolla furnizohej rregullisht me ujë dhe se kushtet brenda ishin në përputhje me kërkesat e Ministrisë së Arsimit. Megjithatë gazetarëve të Faktoje-s nuk iu lejua të  hyjnë në mjediset e saj për të verifikuar. 

                                                                     

Shkolla 9 vjeçare “Pashko Vasa”

Faktoje vazhdoi vëzhgimin në shkollën 9 vjeçare në fshatin Tarazh, 3 kilometra nga Rrësheni. Shkolla ka 24 nxënës gjithsej, nga klasa e parë deri në të nëntën. Ata mësonin në klasa kolektive, të ndara në dy grupime, përkatësisht nga klasa e parë  në të pestën dhe nga  klasa e pestë deri në të nëntën.  

Në vëzhgimin gjatë pushimit mes orëve të mësimit, Faktoje vuri re se klasat respektonin distancat midis bankave dhe çdo nxënës kishte dezinfektues.

Çdo bankë shkolle në Tarazh, kishte një dezinfektues personal që blihej nga vetë nxënësi.

Fëmijët e shkollës në Tarazh i dezinfektonin duart sa herë që hynin nëpër klasa. Dukej tashmë një procedurë e zakonshme me të cilën edhe fëmijët ishin familjarizuar.

Çdo gjë dukej  shumë mirë deri në momentin kur Faktoje konstatoi se shkolla, edhe pse me një numër të kufizuar nxënësish dhe personeli, ndanin vetëm një WC, një lavaman dhe mungesën e ujit të rrjedhshëm. 

Pasi Faktoje bisedoi me mesuesit e shkollës, mësoi se edhe pastrimi i  të vetmit tualet që shkolla kishte, bëhej nga vetë stafi pedagogjik me rotacion, pasi nuk   kishin punonjës sanitarë. Kjo e bënte shumë herë më të vështirë respektimin e  masave apo efektshmërinë e dezinektuesve që nxënësit dhe mësuesit  sigurojnë me shpenzimet e veta. 

Sa më shumë të largoheshe nga qendra, aq më të pakta rezultonin kushtet higjienike të shkollave në Mirditë. Në shkollën fillore të fshatit Ndreaj, 18 kilometra nga Rrësheni, ose 35 minuta me makinë, situata ishte e rëndë.Shkolla e fshatit, përveç braktisjes masive kishte kushte të mjerueshme. 

                                                                                      Shkolla 9 vjeçare “Ndreaj”

 

Një prej klasave brenda në shkollë

Klasat ishin të ndotura dhe dritaret të thyera. Jashtë shkollës gjendej tualeti, i cili nuk kishte asnjë pajisje hidrosanitare për t’u quajtur i tillë, por ishte e vetmja zgjidhje për rreth 20 nxënësit. 

Vëzhgimin e radhës Faktoje e kreu në shkollën e  mesme profesionale në Rubik, ku mësojnë mbi 100 nxënës. Sipas drejtorit të shkollës, Nikoll Lleshi ndërtesa ishte e pajisur me të gjitha  kushtet dhe masat anti-Covid, por mungonte uji. Drejtuesi Lleshi tha se i kishte dërguar një kërkesë Ministrisë së Financave  dhe Ministrisë së Arsimit, për mungesën e furnizimit me ujë.  

Sikurse  duket edhe nga pamjet, shkolla ishte e pajisur me mjetet hidro-sanitareve, por mungesa e ujit e  bënte  të padobishme një ‘luks’ të tillë.

Nga ana tjetër, ishin marrë masat kryesore sa i përket distancimit të nxënësve që në hyrje të shkollës.

Klasat kolektive dhe mësimi me turne

Zhvillimi i procesit mësimor në klasa kolektive ishte i njëjti problem në shkollat e bashkisë Rrëshen, bashkë me mungesën e ujit të rrjedhshëm, veçanërisht në shkollat e fshatrave. Mësuesit e shkollës “Tarazh” e pranojnë se mësimi në këtë formë nuk mund të japë rezultatet e pritshme.  

“Më thuaj ti, çfarë mund të mësojë një fëmijë i klasës së parë brenda një ore mësimi në të cilën shpjegohen edhe lëndë për klasën e dytë, të tretë dhe të katërt. Për ne mësuesit është edhe më e lodhshme dhe e  kuptojmë vetë se është jo efektive!”-i tha Faktojes M.K, mësues prej 15 vitesh në këtë shkollë. 

Nxënësit e shkollës “Tarazh” duke hyrë në mësim pas pushimit

E njëjta situatë paraqitet edhe në shkollën “Ndreaj”,  ku  përveç nxënësve të fillores, nëpër klasa ka edhe fëmijë në moshën e kopshtit. 

Mbyllja e klasave kolektive ishte një nismë  e cila u promovua ‘vrullshëm’ nga qeveria në vitin 2018, por dy vjet pas këtij zotimi, ato rikthehen si mundësia e vetme për t’u shkolluar, bashkë me mungesën e kushteve bazë higjienike. Si për ironi, e gjitha kjo, në kohën e pandemisë!

Hapi i radhës që “Faktoje” ndoqi ishte komunikimi me Organizatën Botërore të Shëndetësisë ku Faktoje e pyeti se nisur nga fakti që në shumë vende ka nisur tashmë procesi mësimor, a lejohet  të zhvillohet mësim në ato institucione të cilat nuk ofrojnë kushtet minimale sikurse është uji i rrjedhshëm?!

Në përgjigjen e saj OBSH e drejtoi Faktojen në një prej udhëzimeve më të fundit të bëra publike për shkollat në të cilat thuhet se  në nivel institucional të shkollave duhet bërë ri-organizimi i hapësirave të përbashkëta, shënjimi i vendeve ku nxënësit do të ecin, pastrimi i vazhdueshëm i ambienteve apo objekteve që kanë përdorim të përbashkët si dhe ajrosje të mjedisit në mënyrë të vazhdueshme.

Shumë nga këto masa nuk ishin marrë sikurse u vërtetua edhe nga vëzhgimi ndërsa Ministria e Arsimit  nuk ka lajmëruar ndonjë masë të re  apo urdhëresë në lidhje me shkollat që nuk ofrojnë kushtet minimale.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img