BallinaPertejSfida e arsimit cilësor në kushtet e nënfinacimit publik

Sfida e arsimit cilësor në kushtet e nënfinacimit publik

AZMI STRINGA

Arsimi para dhe pas pandemisë mbetet një ndër sektorët më pak të financuar në raport me objektivat e qeverisë. Pandemia tregoi se pikat e dobëta në arsimin shqiptar nuk lidhen vetëm me mungesën e investimeve në infrastrukturë, por edhe mungesa të theksuara në përgatitjet e stafeve pedagogjike.

Shqipëria, prej vitit 2012, vijon të mbetet një ndër vendet me investimet më të ulëta në rajon, çka ka ndikuar ndjeshëm në zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë së vendit tonë. Në një artikull të mëparshëm për nivelin e investimeve në arsim, treguam se në 4 vitet e fundit Shqipëria nuk arriti të realizonte objektivin për financimin publik të arsimit në masën 5% të PBB. Çfarë pasojash sjell kjo? Studimet na tregojnë se investimet e qëndrueshme duhet të nisin që në arsimin parashkollor. 1  lek i investuar në parashkollor jep një kthim nga 4 deri në 9 lek.

UNICEF në një raport të vitit 2019, që kishte si synim vlerësimin e Strategjisë aktuale të Arsimit Parauniversitar 2014-2020, shprehej se Shqipëria ‘është larg objektivit 2020 për shpenzimet publike prej 3% për arsimin parauniversitar dhe 5% për arsimin në tërësi.

Niveli i buxhetit të disponueshëm krahasuar me PBB-në mbetet më i ulët sesa ai i synuar, dhe Shqipëria është vazhdimisht një nga vendet me investimet më të ulëta kushtuar arsimit në rajon.’

Mungesa e investimeve ka ndikuar edhe në cilësinë e formimit të të rinjve shqiptarë. OECD në një raport të vitit 2020 shprehet se një pjesë e madhe e nxënësve në Shqipëri dalin nga arsimi i detyruar pa fituar aftësitë bazë të nevojshme për punën dhe jetën. Mbi gjysma e 15-vjeçarëvë në Shqipëri nuk kanë aftësitë bazë në lexim (52.2%). 2 në 5 nga këta nuk kanë aftësitë bazë me numrat (rreth 40%). Për vendet e OECD këto tregues janë 22.6% dhe 24% respektivisht. Për më tepër, thuhet në raport, 29.7% e nxënësve nuk kanë aftësi bazë në asnjërën nga tre fushat (lexim, matematikë, shkencë). Më poshtë paraqitet në mënyrë grafike vlerësimi mesatar i PISAS në këto tre fusha për Shqipërinë dhe vendet e rajonit.

Ndërkohë të dhënat e publikuara nga Ministria e Arsimit, tregojnë se shpenzimet publike për arsimin ndër vite, janë më të ulëta në krahasim me objektivin e vendosur nga qeveria.

Për të kuptuar sa shpenzon Shqipëria për arsimin në krahasim me vendet e tjera të Europës, më poshtë paraqiten të dhënat e Eurostat-it për vendet e BE krahasuar me Shqipërinë.

Mesatarja e vendeve të BE-së në vitin 2019 ishte 4.7% e PBB-së krahasuar me Shqipërinë që shpenzon fonde publike sa 2.56% të PBB-së për arsimin.

Për vende si Rumania, Bullgaria, Greqia, Kroacia, dhe Italia, në grafikun më poshtë, jepet ecuria e shpenzimeve të tyre për arsimin ndër vite krahasuar më Shqipërinë.

Mungesa e investimeve dhe pandemia Covid 19

UNICEF  vë në dukje se ‘investimet duhet të jenë të mençura dhe efiçente”. Ato duhet të fokusohen në nivelet e para të edukimit, veçanërisht në parashkollor, për të thyer ciklin e përjashtimit dhe për të sjellë një kthim më të lartë për ekonominë.’  Shqipëria do të përfitonte jo vetëm duke shtuar investimet publike në arsim, por edhe duke përdorur fondet aktuale në mënyrë më efiçente. Kjo bëhet duke menduar strategjikisht ku duhen investuar fondet publike si dhe duke ulur shpërdorimin e tyre, gjë për të cilën karakterizohemi në administrimin e financave publike.

Përgjatë dy viteve të fundit arsimi në Shqipëri u përball me shumë vështirësi që lidhen me investimet, por edhe përgatitjen e mësuesve për mësimdhënien në distancë.

Për shembull, vetëm në  qershor të vitit 2020, qeveria miratoi vendimin që të rinjtë që do të aplikojnë për mësuesi në vitin 2021-2022 duhet të jenë me mesatare mbi 8. Ky standard duhet mbajtur nga çdo qeveri nesër, jo vetëm duke e vendosur si kriter ligjor, por edhe duke e bërë më atraktive profesionalisht dhe financiarisht një karrierë në mësimdhënie.

Studimet e fundit të Unicef dhe Bankës Botërore, kërkojnë marrjen e masave emergjente, pasi pandemia rrezikon të lërë jashtë sistemit arsimor, fëmijët e të rinjtë nga shtresat e margjinalizuara. Një studim i Federal Reserve të SHBA nxorri gjithashtu në dukje se ndër më të goditurit nga kriza aktuale kanë qenë më pak të arsimuarit.

Ekspertët vërejnë se boshllëqet e krijuara në mësimdhënie janë të mëdha, ndaj kërkohet zbatimi i shpejtë i strategjive, për të nisur rehabilitimin e dëmit të shkaktuar në arsim gjatë pandemisë Covid-19, e cila në Shqipëri duket se do të vijojë edhe gjatë vitit 2021.

Brezi i ri, jo vetëm që është më i ekspozuar ndaj goditjeve të krizës, por po përballet me pengesa në arsimim nga kufizimet e pandemisë, më pak investime në këtë sektor sot dhe nesër si rezultat i goditjes së financave publike. Ndërkohë nesër, brezi i ri do të jetë përgjegjës edhe për barrën e një borxhi më të lartë publik.

*Foto e parë është marrë nga VectorStock

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img