BallinaFaktometerE PavërtetëRama: Vazhdojmë të punojmë me tre turne në kantierin e Hyrjes së Re të Tiranës

Rama: Vazhdojmë të punojmë me tre turne në kantierin e Hyrjes së Re të Tiranës

Me anë të një videoje të postuar në Facebook, Kryeministri Rama konfirmoi se punimet në kantierin e Hyrjes së Re në Tiranë po vazhdojnë me tre turne. Faktoje e verifikoi këtë deklaratë në terren, pas orës 23:00, por konstatuam se në këtë kantier nuk punohej gjatë turnit të tretë.


Më 10 maj kryeministri përmes një videoje në rrjetin e tij social Facebook theksoi:

“Vazhdojmë me tre turne punimet në kantierin e Hyrjes së Re të Tiranës”.

Screenshot e videos të shpërndarë në Facebook nga Kryeministri, 10 maj 2021

Nisur nga kjo deklaratë, Faktoje vendosi të bënte një verifikim, pas orës 23:00, në kantierin e ndërtimit në Hyrjen e Re të Tiranës.

Me 17 maj Faktoje shkoi në terren por në kantier nuk gjetëm asnjë punëtor, ndërsa mjetet e tonazhit të rëndë ishin ndalur.

                          Kantieri në hyrje të Tiranës, pa punëtorë, 17 maj 2021, ora 23:45

                           Kantieri në hyrje të Tiranës, pa punëtorë, 17 maj 2021, ora 23:45

                           Kantieri në hyrje të Tiranës, pa punëtorë, 17 maj 2021, ora 00:04

                              Kantieri në hyrje të Tiranës, pa punëtorë, 17 maj 2021, ora 00:04

Në të gjithë segmentin nga Pallati me Shigjeta deri tek ish sheshi Shqiponja, të gjitha makineritë ishin të fikura dhe nuk kishte asnjë punëtor në terren.

Edhe pse kushtet atmosferike ishin të mira, konstatuam që gjatë turnit të tretë nuk punohej në aksin rrugor në Hyrjen e Re të Tiranës.

                                  Kantieri në hyrje të Tiranës, pa punetorë, 17 maj 2021, ora 00:04

Të vetmit që ndodheshin në kantier ishin rojet e objektit të cilët na konfirmuan se gjatë turnit të tretë nuk punohej.

“Tani nuk po punohet me tre turne, po nuk kam më shumë informacion”-na tha një nga rojet që nuk pranoi të identifikohej.

Gjatë vëzhgimit takuam përgjegjesin e një prej akseve në rindërtim, i cili ndërsa po largohej na konfirmoi:

“Në këtë pjesë ku unë jam përgjegjes nuk po punohet me tre turne, por më vonë nuk mund ta them, edhe mund të fillojmë me turnin e tretë.”

                          Kantieri i ndërtimit në hyrje të Tiranës, pa punëtorë, 17 maj 2021, ora 00:05

Projekti i rindërtimit të Unazës së madhe, nga rrethrrotullimi i sheshit Shqiponja deri tek Pallati me Shigjeta do të kushtojë 36 milionë euro. Gjithsej janë 2.2 km rrugë që parashikohen të ndërtohen dhe të cilat janë ndarë në tre lote.

Kontrata duhet të përfundojë brenda një periudhe gati dyvjeçare, saktësisht 21 muaj.

Nisur nga verifikimi në terren, vendosëm që deklaratën e Kryeministrit Rama, se vazhdonte puna me tre turne në kantierin e Hyrjes së Re të Tiranës, ta kategorizojmë “Të Pavërtetë”.

Më herët Faktoje ka bërë verifikimin e një tjetër deklarate të kryeministrit Rama se në kantierët e rindërtimit në zonat e goditura nga tërmeti i 26 nëntorit, punohej me tre turne, por edhe kjo deklaratë rezultoi e pavërtetë.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img