BallinaRajoni përmes fakteveShqipëria, nivelin më të ulët në Europë për financimin publik në arsim

Shqipëria, nivelin më të ulët në Europë për financimin publik në arsim

AZMI STRINGA

Objektivi për financimin publik në arsim në masën 5 % të PBB, nuk u arrit, përkundrazi në vitet 2019-2020 kur ndodhi tërmeti dhe pandemia, financimi shkoi poshtë 3 përqindëshit. Kjo mosarritje konfirmohet edhe nga raporti i UNICEF dhe shifrat e Ministrisë së Arsimit. Me këtë nivel, Shqipëria ka një hendek të madh me vendet e Europës, si vendi me financimin publik më të ulët për këtë fushë jetike për brezat e ardhshëm dhe gjithë shoqërinë.

Qeveria Shqiptare në programin e saj për vitet 2013-2017 e konsideroi arsimin si një ndër politikat më të mira ekonomike dhe si një sistem thelbësor që garanton zhvillimin tërësor të vendit. Kjo do garantonte dhe konkurrueshmërinë afatgjatë të kapitalit njerëzor të vendit tonë. Për këtë arsye  në programin e Qeverisë u vendos synimi që financimi publik për arsimin të arrijë në nivelin e 5% të PBB, me qëllim që të sigurohet arsim cilësor për çdo fëmijë, pavarësisht origjinës, rrethanave familjare, apo gjendjes ekonomike.

Rritja e financimit publik për arsimin u kërkua me ngulm edhe nga studentët gjatë protestave të vitit 2018 që sollën dhe  “Paktin për Universitetin” me Qeverinë. Studentët kërkuan rritje të Buxhetit të Arsimit në 5% të GDP, me qëllim mundësimin e përgjysmimit të tarifës së studimit për çdo nivel studimi, përmirësimin e mësimdhënies dhe infrastrukturës (universitete dhe konvikte).”

UNICEF në një raport të vitit 2019, që kishte si synim vlerësimin e Strategjisë aktuale të Arsimit Parauniversitar 2014-2020, shprehej se Shqipëria është larg objektivit 2020 për shpenzimet publike prej 3% për arsimin parauniversitar dhe 5% për arsimin në tërësi.

Bazuar në të dhënat e publikuara nga Ministria e Arsimit, më poshtë jepen shpenzimet publike për arsimin ndër vite, krahasuar dhe me objektivin e vendosur nga Qeveria.

Gjithashtu UNICEF shprehet:

“Gjatë viteve të fundit, shpenzimet për arsimin kanë mbetur në nivelin 3 për qind të PBB-së, ndërsa mesatarja e OECD-së është rreth 5 për qind.

Për të kuptuar sa shpenzon Shqipëria për arsimin në krahasim me vendet e tjera të Europës, më poshtë paraqiten të dhënat e Eurostat-it për vendet e BE krahasuar me Shqipërinë.

Sic shihet Shqipëria shpenzon fonde publike për arsimin më pak se të gjitha vendet e BE-së. Mesatarja e vendeve të BE-së në vitin 2019 ishte 4.7% e PBB-së krahasuar me Shqipërinë që shpenzon fonde publike sa 2.56% të PBB-së për arsimin.

Me ngjyra më lart janë paraqitur vende të BE që gjenden afër ose në të njëjtin rajon si Shqipëria, për të parë konkurrueshmërinë tonë në rajon. Për vende si Rumania, Bullgaria, Greqia, Kroacia, dhe Italia, në grafikun më poshtë, jepet ecuria e shpenzimeve të tyre për arsimin ndër vite krahasuar më Shqipërinë.

Të investojmë në arsim, duke mirëmenaxhuar financat publike, është shumë e rëndësishme sepse kështu i ofrojmë më shumë mundësi brezit të ri, bëjmë vendin dhe ekonominë tonë më konkurruese duke ngushtuar hendekun me vendet e Europës, si dhe kontribuojmë në qëndrueshmërinë dhe cilësinë e financave dhe shërbimeve publike (borxhi, arsimi, pensionet, shëndetësia etj.). Kjo temë është shumë e rëndësishme edhe në kushtet e krizës ekonomike nga pandemia. Brezi i ri jo vetëm që është më i ekspozuar ndaj goditjeve të krizës, por po përballet me pengesa në arsimim nga kufizimet e pandemisë, më pak investime në këtë sektor sot dhe nesër si rezultat i goditjes së financave publike dhe ndërkohë nesër do të jetë përgjegjës edhe për barrën e një borxhi më të lartë publik. Si rrjedhojë, Shqipëria ka ende shumë punë për të bërë për të zvogëluar hendekun me vendet e zhvilluara dhe të BE-së. Kjo është e rëndësishme për konkurrueshmërinë dhe mirëqenien, jo vetëm të brezit të ri, por edhe të gjithë shoqërisë.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img