BallinaAktiviteteSa demokratike janë partitë politike në Shqipëri?

Sa demokratike janë partitë politike në Shqipëri?

“Fondacionin Westminster për Demokraci” (WFD) në bashkëpunim me qendrën e verifikimit te fakteve në Shqipëri, “Faktoje” organizuan një workshop me gazetarë, studentë dhe përfaqësues të shoqërisë civile lidhur me kuadrin ligjor që rregullon partitë politike në vend dhe financimin e tyre.

Në takimin e mundësuar me mbështetjen e Ambasadës Britanike, ekspertë të fushës prezantuan gjetjet e dy hulumtimeve lidhur me demokracinë e brendshme të partive politike dhe influencat e huaja malinje.

Në fjalën e saj përshëndetëse, përfaqësuesja e Westminster Foundation for Democracy, Znj. Orjada Tare theksoi rëndësinë e studimit dhe përmirësimit të kuadrit ligjor për partitë politike, veçanërisht ligjin që rregullon ngritjen, organizimin dhe funksionimin e partive politike në Shqipëri. Kjo bëhet edhe më e rëndësishme në kontekstin aktual ku po funksionon arena politike në Shqipëri, por edhe në rajon e më gjerë.

Demokratizim i kuadrit ligjor, procedurave partiake e institucionale apo edhe proceseve elektorale do duhet të fillojë nga organizimi i brendshëm i partive politike, të cilat garojnë për të fituar pushtetin dhe drejtimin e vendit.

Pikërisht lidhur me demokracinë e brendshme të partive politike dhe mekanizmat e nevojshëm për ta arritur atë, eksperti i Qendrës për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes, Z. Geron Kamberi bëri një paraqitje të gjetjeve dhe rekomandimeve të studimit të tij.

Në gjetjet e hulumtimit mbi ligjin e partive, strukturave dhe mënyrës së organizimit të partive politike kryesore në vend u theksua se partitë politike kryesore, për shkak të mungesës së debatit të brendshëm apo mosfunksionimit të institucioneve partiake që merren me zbatimin e statutit, kanë mangësi dhe sfida përballë zbatimit të normave dhe rregullave që lidhen me demokracinë e brendshme, transparencën financiare dhe zgjerimin ndaj grupeve të ndryshme të interesit apo komunikimit me publikun.

Mekanizmat e llogaridhënies brenda partive politike për të gjykuar dhe vlerësuar vendimet dhe veprimet politike të ndërmarra nga lidershipi politik janë ende të dobëta, gjë që tregon një personalizim të dukshëm të partive të përqendruara rreth liderit në mënyrën e funksionimit të tyre.” – theksoi Kamberi gjatë prezantimit të tij.

Si pjesë e rekomandimeve për përmirësimin e kësaj situate, hulumtimi i kryer nga eksperti i fushës Geron Kamberi theksoi rëndësinë e forcimit të mekanizmave që garantojnë demokracinë e brendshme të partive por edhe të transparencës për historikun e plotë të partisë, përfshi statutin, programin elektoral, kodin e etikës dhe të dhënat e plota të strukturave dhe zyrtarëve të këtyre partive.

Forcimi i mekanizmave institucionalë që garantojnë zbatimin e normave statutore për demokracinë e brendshme në secilën parti (p.sh. Komisionet Statutore të Garancive), miratimin e Kodeve të Etikës dhe Integritetit në ato parti që ende nuk e kanë atë. Duke përcaktuar njëkohësisht mekanizmat e duhur që mundësojnë zbatimin e tij dhe dënimin për ata që i shkelin.” – thuhet në listën e rekomandimeve të prezantuara nga Z. Kamberi.

Studiuesi Ilir Kalemaj gjatë konferencës prezantoi rezultatet e hulumtimit mbi boshllëqet ligjore dhe rrezikun e ndërhyrjeve të huaja, veçanërisht lidhur me mekanizmat e që partitë politike kanë për t’i rezistuar ndikimeve të jashtme keqdashëse.

Në gjetjet e tij, Kalemaj theksoi nevojën për miratimin e një ligji të posaçëm që rregullon mënyrën e financimit të partive politike. Edhe pse aktualisht, sipas ligjit partitë politike duhet të dorëzojnë raporte financiare që kanë kaluar filtrin e auditimit të jashtëm për fushatat e tyre elektorale, problem kryesor mbeten financat e errëta që ndonjëherë janë dhjetë herë më shumë se ato të deklaruara dhe asnjë auditim i brendshëm apo i jashtëm nuk e ka shfaqur diferencën.

Kalemaj vlerëson se partitë politike duhet të zhvillojnë mekanizma për t’i rezistuar ndikimeve të paligjshme. “Ata duhet të sigurojnë masa parandaluese kundër ndikimeve të huaja dhe të mbrohen ndaj fushatave dezinformuese të organizuara nga palë të treta keqdashëse.– theksoi Kalemaj gjatë prezantimit të rekomandimeve të studimit.

Qëllimi i krijimit të këtyre mekanizmave, atyre të raportimit financiar dhe parandalimit të ndikimeve të huaja, është rritja e transparencës dhe llogaridhënies, duke kontribuuar në rritjen e konkurrueshmërisë dhe për rrjedhojë dhe demokratizimit të vendit.

Në përfundim të prezantimit të hulumtimeve dhe rekomandimeve të ekspertëve, pjesëmarrësit u përfshinë në një diskutim të hapur lidhur me praktikat më të mira që çojnë në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies nga partitë politike në vend, por edhe mënyrës për ta çuar përpara një shtysë të tillë në mungesë të një vullneti të qartë të ligjvënësve për të ndërhyrë në kuadrin ligjor dhe atë rregullator të partive politike.

Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img