BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookZyrtarët kosovarë bashkë me ambasadorin shqiptar pritën Ramën në aeroportin e Prishtinës

Zyrtarët kosovarë bashkë me ambasadorin shqiptar pritën Ramën në aeroportin e Prishtinës

Gjatë vizitës së zhvilluar në Prishtinë më 6 korrik, kryeministri Edi Rama u prit në aeroport nga katër përfaqësues të palës kosovare, ndryshe nga çfarë pretendohet në disa artikuj të publikuar në mediat online. Kjo konfirmohet zyrtarisht për Faktoje nga Ministria e Punëve të Jashtme të Diasporës në Kosovë.

Në datat 6 dhe 7 korrik, kryeministri Edi Rama zhvilloi një tur ballkanik, në kuadër të “Procesit të Berlinit”. Kreu i qeverisë udhëtoi drejt Beogradit, Sarajevës, Prishtinës dhe Shkupit, ku zhvilloi takime me krerët e shteteve përkatëse.

Mirëpo, vëmendja e mediave u përqendrua te vizita që Rama zhvilloi në Prishtinë, pas refuzimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për të takuar homologun e tij shqiptar. Mediat në Shqipëri publikuan disa artikuj, ku pretendonin se Rama u prit në aeroport vetëm nga ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi.  

Rama në Prishtinë, në aeroport e pret vetëm ambasadori i Shqipërisë”, shkruan portali “Bold News”.

Screenshot, artikulli i publikuar nga portalet

Edhe në tekst shtjellohet më tej ky pretendim: “Rama mbërriti në Prishtinë në orën 16:20 dhe në aeroportin ‘Adem Jashari’ delegacioni shqiptar u prit vetëm nga ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi”.

Në lidhje me këtë çështje, ne iu drejtuam me një kërkesë për informacion Ministrisë së Punëve të Jashtme të Diasporës në Kosovë.  Zyrtarisht MPJD sqaron se përkundër aludimeve në media, nga zyrtarët kosovarë ishin katër përfaqësues që pritën shefin e qeverisë shqiptare në aeroportin e Prishtinës.

Ju njoftomë se në pritje të kryeministrit të Republikës së Shqipërisë Edi Rama në aeroportin e Prishtinës ishin: Blerim Vela, Shef i Stafit të Presidentes së Republikës së Kosovës; Vehbi Miftari, Këshilltar i Presidentes; Skender Durmishi, Ambasador i Republikës së Kosovës në Shqipëri dhe Orhan Hajrizi, Udhëheqës i Divizionit të Ceremonialit”, bën të ditur MPJD.

Përgjigjia nga MPJD për Faktoje

Këtyre zyrtarëve të Republikës së Kosovës sigurisht që iu bashkua sipas protokollit shtetëror edhe ambasadori shqiptar në Prishtinë, z. Qemal Minxhozi.

Sigurisht, vihet re nga përgjigjia zyrtare se në aeroport nuk kishte asnjë përfaqësues të ekzekutivit të Kosovës, duke konfirmuar deri diku “ftohtësinë” e pritjes në aeroport.

Gjatë vizitës që zhvilloi në Prishtinë, kryeministri Edi Rama u takua me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin dhe kryeparlamentarin, Glauk Konjufca.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img