I rremë ky ushtar ukrainas që qan nga frika e luftës

3

Pretendimi: Kjo video tregon një ushtar të ri ukrainas që po qan sepse nuk do të shkojë në luftë

Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI

————————————————————————————-

Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon një video (arkivuar këtu) që pretendohet se tregon një ushtar 23-vjeçar ukrainas duke qarë sepse nuk dëshiron të shkojë në luftë.

“Jam mobilizuar, po shkoj drejt Chasiv Yar,” dëgjohet të thotë ai mes lotësh. “Më ndihmoni, nuk dua të vdes. Jam vetëm 23 vjeç. Ju lutem, më ndihmoni.”

Megjithatë, video e mësipërme nuk është e vërtetë. Ajo është gjeneruar me anë të programeve kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI).

Si fillim, duhet theksuar se mosha minimale e shërbimit ushtarak në Ukrainë është 25 vjeç. Kështuqë i riu 23 vjeç nuk do të kishte mbushur ende moshën për të shërbyer në ushtri.

Më tej, helmeta e të riut nuk përputhet me pajisjet standarde ushtarake ukrainase.

Një kërkim me anë të njohjes së fytyrës zbulon se fytyra në video i përket në fakt Vladimir Yuryevich Ivanov, një influencer i ri rus nga Shën Petersburgu, i cili përdor pseudonimin Kussia88.

Vladimir Yuryevich Ivanov aka Kussia88

Video e krijuar me inteligjencë artificiale, që përdor fytyrën e Ivanovit, duket se është shfaqur fillimisht në llogarinë tashmë të fshirë në TikTok, @fantomoko, së bashku me dhjetëra klipe të tjera të ngjashme të krijuara me AI, që pretendohet se tregojnë ushtarë ukrainas teksa qajnë brenda automjeteve ushtarake.