Një ngatërresë nëna që pranoi se djali i saj u pagua për protestën

12

Pretendimi: Nëna e Muhamet Skanës, një të riu që u dhunua nga policia shqiptare gjatë protestave studentore në Tiranë, ka deklaruar se i biri ishte paguar për të qenë në protestë

Verdikti: E pavërtetë

———————————————————————————-

Ndërsa protestat studentore dhe shtypja e tyre vijojnë në Shqipëri, në media dhe rrjete sociale qarkulloi gjerësisht lajmi se nëna e Muhamet Skanës, një i ri që u dhunua nga policia në video gjatë protestave të 16 tetorit në Tiranë, kishte deklaruar se i biri ishte paguar për të marrë pjesë në protestë.

Sipas postimeve, gruaja kishte thënë gjithashtu se i biri nuk ishte student dhe se familja jetonte prej vitesh në Itali.

I riu në foton e mësipërme është identifikuar si Muhamet Skana, i cili u shty dhunshëm në tokë, u zvarrit dhe u godit në mënyrë të përsëritur nga Policia.

Sipas gazetares Sonila Meço, motra e Skanës kishte thënë se ai ishte “diagnostifkuar me një frakturë në shtyllën kurrizore nga goditjet dhe në kafkë nga hedhja me forcë në tokë.”

Ndërkaq, gruaja që paraqitet në postimet që qarkullojnë në rrjet si e ëma e Muhamet Skanës, telefonoi emisionin e RTV Klan, Aldo Morning Show, më 17 tetor. Ajo pretendoi se ishte nëna e “djalit në video”, pa përmendur emrin e Muhamet Skanës. Më tej, pretendoi gruaja që u prezantua si Malvina, djali i saj ishte mirë, jetonte në Itali, dhe ishte paguar për të marrë pjesë në protestë.

Pas bërjes publike të kësaj interviste, Ester Skana, motra e Muhametit, paralajmëroi ndjekje penale ndaj gruas, duke mohuar kategorikisht lidhjen e saj me familjen. “Kjo grua nuk është mamaja jonë. Unë jam motra e Muhametit. Gruaja në fjalë do të ndiqet penalisht për shpifje. TURP”, shkroi Skana në reagimin e saj publik.

Gazetarja Denada Jushi, e cila mohoi më 17 tetor lajmin se gruaja ishte e ëma e Skanës, tha për Faktoje se, pasi qarkulluan lajme se nëna e Muhamet Skanës kishte thënë se i biri ishte mirë, ishte kontaktaktuar nga motra e Skanës më të cilën Jushi kishte kontaktuar një natë përpara për të konfirmuar si burim të dytë emrin dhe gjendjen e djalit të goditur. “Motra kërkonte përgënjeshtrimin e lajmit se ajo është nëna e tyre,” tha gazetarja. “Nuk ka lidhje me familjen Skana.”

Më 19 tetor, gruaja, e prezantuar si Malvina Sula, u shfaq sërish në emisionin Aldo Morning Show për të sqaruar se ajo nuk është nëna e Muhamet Skanës, por e një të riu tjetër që është keqtrajtuar gjatë protestës së 16 tetorit. Ajo pretendoi se djali i saj ka qenë i pranishëm në momentin e incidentit dhe se ndodhej pranë Muhamet Skanës. Sipas saj, i biri ishte i veshur me të zeza.  Gruaja ka refuzuar të tregojë emrin e të birit. 

Motra e Muhamet Skanës tha për Faktoje se “zonja tani pretendon që djali i përplasur është djali i saj dhe jo Muhamet Skana. Situata është bërë pak e paqartë sepse ajo doli dhe tha jam mamaja e djalit që është hedhur nga policia para ministrisë së Arsimit. Duke qenë se djali i dhunuar është i konfirmuar nga policia si Muhamet Skana, të gjithë lajmet menduan se bëhej fjalë për mamanë e tij.”

“Unë realisht do doja shumë të mos ishte vëllai im ai por fatkeqësisht është,” tha ajo.

Si përfundim, siç ka pranuar edhe vetë Malvina Sula, ajo nuk është nëna e Muhamet Skanës, njërit prej të rinjve që u dhunua nga Policia e Shtetit gjatë protestave studentore në Tiranë.