16-vjeçari që humbi jetën në Greqi përdoret si viktimë e protestës në Tiranë

Lajmi i rremë për vdekjen e një të riu protestues nga dhuna e policisë

10
Asllan Gjana

Pretendimi: Fotografia tregon një 16-vjeçar që humbi jetën gjatë protestave në Tiranë si pasojë e dhunës së policisë.

Vlerësimi: E pavërtetë

Jona Cenameri

_________________________________________________________________

Një fotografi e një 16-vjeçari të ndjerë është përdorur në Facebook për të mbështetur pretendimin se një i mitur kishte humbur jetën gjatë protestave në Tiranë si pasojë e dhunës së policisë.

Postimi u publikua (arkivuar këtu) më 18 tetor nga faqja “Info Shqip”. Mbi fotografinë bardhezi të të riut shkruhej: “Në protestë. Humb jetën 16-vjeçari nga dhuna e policisë. Ngushëllime familjes.”

Publikimi mori qindra reagime dhe komente. 

postimi

Kërkimi me Google lenses tregon se fotografia është e Asllan Gjanës. Një 16-vjeçar shqiptar që kishte humbur jetën në Greqi disa javë më parë, në rrethana që nuk kanë asnjë lidhje me protestat në Tiranë.

Pas protestës së 13 tetorit në Tiranë dhe publikimit të pamjeve të përplasjeve mes protestuesve dhe policisë, në rrjetet sociale nisën të qarkullonin pretendime të ndryshme për persona në gjendje kritike, të intubuar, në koma apo të vdekur.

Faktoje i dokumentoi këto pretendime më 14 tetor. Në një nga postimet e asaj nate pretendohej se një 16-vjeçar kishte vdekur nga dhuna e policisë dhe ndodhej në Spitalin Ushtarak. Në një screenshot tjetër pretendohej se një 16-vjeçar kishte mbërritur në spital “pa shenja jete” dhe se informacioni po mbahej i fshehtë. Këto pretendime nuk shoqëroheshin me prova. 

Mjekët e Spitalit të Traumës dhe Ministria e Shëndetësisë deklaruan pas protestës se nuk kishte humbje jete apo protestues të intubuar. Edhe në përditësimin e fundit të 19 tetorit, Ministria raportoi të lënduar dhe të shtruar në gjendje të mirë, por asnjë viktimë. 

Pretendime për një “16-vjeçar të vdekur” qarkullonin që pas protestës së 13 tetorit. Pesë ditë më vonë, postimi i “Info Shqip” i bashkëngjiti kësaj narrative fotografinë e një personi konkret. 

Por i riu në fotografi kishte ndërruar jetë përpara se këto protesta të zhvilloheshin. Personi në fotografi është Asllan Gjana, një futbollist 16-vjeçar me origjinë shqiptare që luante në Greqi.

Redaksia e Faktoje u kontaktua për postimin. Në mesazhin e mbërritur në redaksi bëhej me dije se fotografia ishte e Asllan Gjanës, i njohur edhe si Ani, i cili kishte ndërruar jetë në zonën e Kavalës në Greqi dhe nuk kishte lidhje me protestat në Shqipëri.

Kërkimi në raportimet mediatike e konfirmon këtë informacion.

Më 29 shtator 2026 nga disa media shqiptare u raportua vdekja e 16-vjeçarit Asllan Gjana pas një dëmtimi të rëndë në kokë gjatë një ndeshjeje futbolli në Greqi. Lajmi është publikuar rreth dy javë përpara protestës së 13 tetorit. 

Sipas raportimit, Gjana doli jashtë fushës gjatë lojës dhe goditi pjesën e pasme të kokës në gardhin rrethues të stadiumit. Atij iu dha ndihma e parë dhe më pas u transportua në Spitalin e Kavalës, ku u shtrua në kujdes intensiv. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, 16-vjeçari nuk mbijetoi. 

Edhe burimet greke e dokumentojnë ngjarjen. Një raportim i 29 shtatorit përshkruan se Gjana, futbollist i Byron Kavala, ishte dëmtuar rëndë në kokë gjatë ndeshjes në fushën e Panagias në Thasos dhe më pas kishte humbur jetën.

Në të njëjtën datë, kryebashkiaku i Kavalës, Thodoris Mouriadis, publikoi një mesazh ngushëllimi për vdekjen e 16-vjeçarit Gjana Asllan, duke e identifikuar atë si futbollist të Byron Kavala. 

Shumë 16-vjeçarë kanë qenë pjesë e protestave në Tiranë, por sipas raportimeve të deritanishme asnjë prejt tyre nuk ka ndërruar jetë. 

Pretendimi se fotografia tregon një 16-vjeçar që humbi jetën nga dhuna e policisë gjatë protestave në Tiranë vlerësohet si i pavërtetë, duke qenë se adoleshenti në foto ëshë i riu Asllan Gjana.

Artikulli paraprakSi paraqitet sot situata në shkollat dhe fakultetet e Tiranës?
Artikulli tjetërI manipuluar shtimi i avionëve nga Izraeli ditët e protestave
Jona Cenameri
Jona Cenameri është gazetare, fact-checker. Ajo ka përfunduar studimet në degën Gazetari dhe Komunikim në Universitetin e Tiranës, ku u vlerësua me certifikatë ekselence për arritjet akademike. Punon në Faktoje.al, ku merret me verifikimin e deklaratave publike dhe me shkrime hulumtuese mbi çështje me interes publik. Përvoja e saj profesionale përfshin gazetari investigative, raportim të thelluar dhe ndërkufitar, si edhe monitorim e analizë mediatike, përmes bashkëpunimeve me ACQJ, BIRN Kosovo, IDMC, Thomson Media dhe Canal France International. Në vitin 2024 fitoi çmimin e parë në konkursin “Memoria dhe të Drejtat e Njeriut”, ndërsa në vitin 2025 ishte pjesë e ekipit fitues të konkursit rajonal të CFI-së “Balkan Voices 2”. Ajo është gjithashtu përfituese e bursës së KAS Media Programme South East Europe, e akorduar për studentë të talentuar të gazetarisë.