Ky shkatërrim në rrugët e Parisit jo nga nxënësit që protestojnë

6

Pretendimi: Kjo video tregon protestat e fundit të nxënësve të shkollave të mesme në Francë 

Verdikti: Mungon konteksti

——————————————————————

Një video (arkivuar këtu) që po qarkullon në mediat shqipfolëse pretendohet se tregon përplasje në Francë gjatë protestave masive studentore që shpërthyen në vend në shtator 2026. Pamjet tregojnë makina të përmbysura dhe zjarre që janë ndezur në rrugë duke e kthyer një hapësirë urbane të ngjashme me një zonë lufte.

Dhjetëra mijëra nxënës të shkollave të mesme në gjithë Francën po protestojnë nën masa të rrepta sigurie, pasi protesta u shoqërua me dhunë dhe përplasje me policinë. Nxënësit denoncojnë gjendjen e dobët të ndërtesave shkollore, mbipopullimin në klasa dhe mungesën e mësuesve pa u siguruar zëvendësues, veçanërisht në lagjet e klasës punëtore.

Megjithatë, video e mësipërme nuk tregon pamje nga këto protesta.

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se ajo është është botuar fillimisht në platformën X më 24 dhjetor 2022.

Në atë kohë, mediat raportuan se pamjet tregonin dhunën pas një sulmi që ndodhi më 23 dhjetor 2022 pranë Qendrës Kulturore Kurde në Paris. 

Sipas raportimeve, sulmi me të shtëna pranë Qendrës vrau tre persona dhe plagosi tre të tjerë. Sulmuesi u identifikua si një burrë 69-vjeçar i quajtur William Mallet, i cili pranoi se u motivua nga racizmi kundër kurdëve. 

Përleshjet e dhunshme shpërthyen në Paris menjëherë pas incidentit si pasojë e zemërimit ndaj shërbimeve franceze të sigurisë, të cilët u kritikuan se kishin bërë shumë pak për të parandaluar sulmin.

Kjo nuk është hera e parë që kjo video nxirret nga konteksti në rrjete sociale dhe media. Në korrik të këtij viti, Faktoje përgënjeshtroi pretendimin se video tregonte trazirat në Paris, pas humbjes së Marokut ndaj Francës në Kupën e Botës më 9 korrik.