Greqia nuk nxorri tanket në rrugë nga protestat në Tiranë

10

Pretendimi: Kjo video tregon se si Greqia ka nxjerrë tanket në Selanik për të parandaluar ‘efektin domino’ nga protestat në Shqipëri

Verdikti: Mungon konteksti

————————————————————————————————–

Një video që duket se tregon një autokolonë ushtarake duke kaluar në një rrugë qyteti po qarkullon në rrjete sociale shqipfolëse me pretendimin se Greqia ka nxjerrë tanket në Selanik për të parandaluar ‘efektin domino’ nga protestat studentore në Shqipëri në tetor 2026.

Përshkrimi që shoqëron videon sqaron se më 14 tetor, në qytetin e Selanikut, në Greqi, forca të shumta policore u angazhuan për të garantuar kalimin e sigurt të mjeteve ushtarake nëpër rrugët e qytetit. 

Sipas tij, “deri më tani, nuk janë bërë të ditura detaje të mëtejshme mbi destinacionin e mjeteve ushtarake apo arsyen e lëvizjes së tyre, por nuk përjashtohet që lëvizjet të jenë bërë në mënyrë që popullata vendase të mos nxitet të ndërmarrë protesta si në Shqipëri.”

Në fakt, arsyeja e lëvizjes së automjeteve ushtarake nëpër Selanik më 14 tetor dihet.

Sipas medias greke Thestival, e cila e ka postuar videon e mësipërme në rrjete sociale më 14 tetor, tanket ushtarake dhe mjetet e tjera do të parakalojnë në paradën ushtarake të 28 tetorit.

28 tetori 2026 shënon 66-vjetorin e asaj që grekët e quajnë “Dita e Jo-së”, kur udhëheqësi grek i kohës Ioannis Metaxas refuzoi ultimatumin e paraqitur nga diktatori italian Benito Mussolini më 28 tetor 1940: ose të lejonte forcat e Fuqive të Boshtit të hynin dhe të pushtonin “vendndodhje strategjike” të paspecifikuara, ose të përballej me mundësinë e luftës.

28 tetori është festë kombëtare në Greqi dhe karakterizohet nga parada ushtarake, shërbesa kishtare dhe tubime komunitare që kremtojnë rëndësinë e sovranitetit kombëtar.

Foto e disponueshme në faqen e imazheve stok Alamy tregon një paradë ushtarake në Selanik, më 28 tetor 2019, me rastin e Ditës së Jo-së

Sipas artikullit të Thestival, çdo vit kjo lëvizje mjetesh realizohej përmes Unazës së qytetit. Për shkak të punimeve në një mbikalim, edhe këtë vit u vendos që kalimi të bëhej përmes qendrës së qytetit.