Pretendimi: Kjo video tregon pamje nga protestat për arsimin në Francë në shtator dhe tetor 2026
Verdikti: Mungon konteksti
———————————————————-
Një video (arkivuar këtu) që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon protestat për arsimin që shpërthyen në Francë në shtator 2026.

Prej 21 shtatorit 2026, në Francë po zhvillohen protesta masive studentore për shkak të degradimit të arsimit publik dhe një incidenti të rëndë dhune policore që çoi në amputimin e gjymtyrës së një të mituri. Një djalë 15-vjeçar humbi krahun jashtë një gjimnazi në qytetin verior Lens, sipas François-Xavier Loh, prefektit të Pas-de-Calais. Protestat kanë marrë tashmë përmasa të mëdha, ndërsa janë arrestuar mijëra persona.
Protestat vijnë si reagim ndaj shkurtimeve të propozuara në buxhet dhe përkeqësimit të kushteve në shkolla. Demonstruesit kërkojnë rritje të investimeve qeveritare për rinovimin e ndërtesave të vjetra shkollore dhe përmirësimin e mjediseve të të mësuarit. Ata kërkojnë gjithashtu masa për të adresuar problemin serioz të mbipopullimit në klasa, rritjen e pagave të mësuesve dhe thjeshtimin e procesit të aplikimit në universitet.
Megjithatë, video e mësipërme nuk tregon pamje nga këto protesta.
Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video është botuar në rrjet që më 31 maj 2026.

Sipas raportimeve në media, ajo tregon festimet e tifozëve të Paris Saint-Germain në Paris pas fitores kundër Arsenalit në finalen e Ligës së Kampionëve të UEFA më 30 maj 2026.
Më 30 maj, rreth 22 mijë oficerë policie u vendosën në të gjithë Francën, përfshirë 8 mijë në Paris. Trazirat rezultuan në një vdekje dhe 219 plagosje. Policia raportoi arrestimin e 890 personave dhe gjobitjen e 89 të tjerëve.






