Stemat false të policisë nuk u porositën pas protestës studentore

19

Pretendimi: Kjo video provon se Policia porosit numra dhe stema false për policët në protestë

Verdikti: Mungon konteksti

——————————————————————-

Ndërsa protestat studentore në Shqipëri dhe përplasja e ashpër me policinë ka hyrë në ditën e tetë, një video që ka qarkulluar gjerësisht në media dhe rrjete sociale shqipfolëse pretendohet se tregon se Policia po porosit numra dhe stema false në uniforma për efektivët e saj.

Ky lajm ka shkaktuar reagime të shumta për rrezikun e fshehjes së identitetit të policëve që marrin pjesë në përplasjet e dhunshme me studentët dhe të rinjtë e tjerë në protesta. Megjithatë, video e mësipërme nuk tregon ndonjë efektiv apo drejtues policie duke porositur numra të rremë për policët. 

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video është botuar fillimisht në rrjet më 25 shtator 2026, tri javë para nisjes së protestave të dhunshme.

Ajo është pjesë e një investigimi me kamera të fshehta organizuar nga emisioni investigativ “Stop” në RTV Klan dhe transmetuar më 24 shtator 2026.

Kamera e fshehtë shënjestronte një qëndistare në qytetin e Fierit që reklamonte në rrjete sociale prodhimin dhe shitjen e elementeve të uniformave të Policisë së Shtetit, përfshirë bluza, pantallona, kapele, stema, grada, numra identifikimi, apo spaleta në rrjete sociale.

Stop” iu drejtua subjektit me kamera të fshehtë dhe porositi dy kostume të plota policie. Porosia përfshinte kapele, bluza, pantallona, stema të Policisë së Shtetit dhe Policisë së Rendit, numra identifikimi dhe grada “komisar.”

Dy kostume policie të kompletuara u porositën dhe u morën, pa paraqitur identifikim si punonjës policie dhe pa autorizim. Kostoja totale e porosisë shkoi rreth 140 mijë lekë, duke përfshirë uniformat dhe elementet identifikuese. Emisioni denoncoi shqetësimin e keqpërdorimit të simboleve të policisë nga keqbërës.

Pra, personi që porosit uniformat në video nuk është i lidhur me Policinë, por është bashkëpuntor i emisionit Stop, që ka organizuar dhe kamerën e fshehtë përpara nisjes së protestave.