Pretendimi: Këto pamje tregojnë mobilizimin e forcave ushtarake për shtypjen e protestave studentore në Shqipëri
Verdikti: Mungon konteksti
————————————————————-
Ndërsa protestat studentore në Shqipëri vijojnë prej 13 tetorit, në disa media të huaja, por edhe në rrjetet sociale shqipfolëse, po qarkullon një video që pretendohet se tregon mobilizimin e forcave ushtarake për shtypjen e protestës.

Megjithatë, video e mësipërme nuk është filmuar në Shqipëri apo në tetor 2026.
Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video e mësipërme është botuar fillimisht në TikTok nga llogaria @48krkcfk më 22 gusht 2026, përpara nisjes së përplasjeve mes policisë dhe protestuesve në Shqipëri në tetor 2026.

Në videon origjinale, në sekondat e para vëmë re një dyqan të quajtur Moldcell.

Moldcell është një nga operatorët më të mëdhenj telefonikë në Moldavi.
Më 27 gusht 2026, Moldavia shënoi 35-vjetorin e pavarësisë së saj me një paradë të madhe ushtarake në kryeqytetin Kishinau.
Mediat vendase kishin raportuar se, mbrëmjen e 21 gushtit 2026, disa rrugë do të ishin të mbyllura për për shkak të përgatitjeve për provat e paradës ushtarake.
Sipas mediave vendase, parada u zhvillua në Bulevardin Stefan cel Mare dhe Sfant.
Duke përdorur Google Street View për të ‘ecur’ virtualisht përgjatë këtij bulevardi në Kishinau, Faktoje gjeti edhe kryqëzimin specifik, me rrugën “Toma Ciorba”, ku është xhiruar video e mësipërme.

Krahasimi i videos me pamje nga Google Street View të Kishinau, Moldavi






