“Vetëvendosje” nuk organizoi sjelljen me autobusë të protestuesve në Tiranë

14

Pretendimi: Askush nuk i është përgjigjur thirrjes së Vetëvendosjes për organizim me autobusë nga Prishtina drejt protestave në Shqipëri 

Verdikti: Mungon konteksti

——————————————————————————

Ndërsa protestat studentore të tetorit 2026 vijojnë në Shqipëri, në media dhe rrjete sociale qarkulloi lajmi se thirrja e partisë mazhoritare kosovare “Vetëvendosje” për organizim nga Prishtina drejt protestave kishte dështuar pasi askush nuk ishte përgjigjur.

Nuk sillet asnjë provë, burim apo referencë që mbështet pretendimin se thirrja dhe organizimi ishte bërë nga Vetëvendosja apo ndonjë person i lidhur me të.

Sipas pretendimeve, më 20 tetor 2026 kishte qarkulluar një video që bënte thirrje për pjesëmarrje në protestat shqiptare. Në të, thuhet se nisja do të bëhej në orën 12:00 nga parkingu pas Pallatit të Rinisë në Prishtinë, por kur erdhi koha, ai shesh mbeti bosh.

Ndërkaq, mediat kosovare raportojnë një histori më ndryshe.

Sipas mediave vendase, thirrja për udhëtimin drejt Shqipërisë nuk dështoi, por u anulua nga vetë organizatori, Jahë Baci. 

Baci tha se udhëtimi ishte anuluar pasi ai kishte marrë informacione se studentët nuk do lejoheshin të hynin në Shqipëri dhe ai vetë do të arrestohej nëse hynte. “Kështu që nuk e marr përgjegjësinë për gjithë atë njeri që vjen me mua për t’u arrestuar ose për t’i bërë probleme atyre,” tha Baci.

Megjithatë, ai u bëri thirrje sërish kujtdo që donte, të shkonte të solidarizohej me protestat në Shqipëri. “Do të shohim që ta gjejmë një mënyrë tjetër për të shkuar, në mënyrën që na lejojnë. Unë për vete për sot nuk mund të shkojë. Kanë qenë tepër shumë, por i kam kthyer shumicën, kanë pasur të vijnë prej secilit qytet, kanë pasur të vijnë shumë studentë e doktorë që na kanë sjellë maska, por secili me vetura private,” tha Baci.

Në një video të botuar në rrjetet e tij sociale më 22 tetor, Baci përgënjeshtroi specifikisht lajmin që po qarkullon në mediat shqiptare. “Unë jam antipartiaku më i madh që ekziston,” thotë ai. “Që shumë e shumë video përpara kam folë kundër [kryeministrit kosovar dhe kreut të Vetëvendosjes] Albin Kurtit.”