I manipuluar shtimi i avionëve nga Izraeli ditët e protestave

10

Pretendimi: Një fluks i pazakontë fluturimesh nga Izraeli ka të bëjë me shtypjen apo infiltrimin ne protestat studentore në Shqipëri në tetor 2026

Verdikti: Mungon konteksti

————————————————————

Më 15 tetor, ndërsa protestat studentore në Shqipëri vijonin në ditën e tretë, në hapësirat online shqiptare u përhap pretendimi (arkivuar këtu) se ishte shtuar numri i fluturimeve nga Tel Avivi, kryeqyteti izraelit, për në Tiranë, duke shtruar pyetjen nëse pasagjerët e këtyre fluturimeve ishin vërtet turistë apo ushtarë që infiltrojnë protestën studentore.

Megjithatë, i vetmi imazh që sillet si provë për të mbështetur këtë pretendim përmban mospërputhje logjike që hedhin dyshime mbi vërtetësinë e tij. Vërehet, gjithashtu, se postimet nuk shoqërohen me të dhëna krahasuese për fluturimet nga Tel Avivi në javët e mëparshme, megjithëse pretendohet se fluksi i 15 tetorit është i pazakontë.

Konkretisht, me sy të parë vërehet se tre nga pesë fluturimet e pretenduara kanë të njejtin numër identifikimi të fluturimit, LY5183, ndërkohë që kanë orare mbërritjeje të ndryshme.

Një sistem i tillë identifikimi, ku tre fluturime të planifikuara që nisen në të njejtën ditë ndajnë të njejtin numër, nuk është standarti dhe do të kishte shkaktuar kaos në aeroport.

Një kërkim me numrin e fluturimit LY5183 në dy faqe të ndryshme të gjurmimit të avionëve (Flightradar24 dhe FlightAware) tregon se me këtë fluturim kanë udhëtuar pasagjerë nga Tel Avivi në Tiranë më 14, 15, 16, 18 dhe 19 tetor 2026, me fluturime të ardhshme të planifikuara për datat 22, 23 dhe 25 tetor.

Të dhënat e këtyre faqeve tregojnë se fluturimi i vërtetë LY5183 ka mbërritur në Tiranë më 16 tetor në orën 15:40, 15 minuta më herët se mbërritja e tij e planifikuar më 15:55.

Të dhënat për fluturimin LY5183 në Flightradar24

Të dhënat për fluturimin LY5183 në Flightaëare

Ndërkaq, të dhënat për dy fluturimet e tjera që shfaqen në imazh, 6H165 dhe 6H169, përkojnë me të dhënat që shfqen në faqet e gjurmimit të fluturimeve.

Fluturimet e tjera me të njejtin numër me gjasa janë shtuar në mënyrë artificiale në imazhin që shoqëron pretendimet në rrjete sociale .

Ndërkaq, aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, në një deklaratë të 16 tetorit, ka mohuar shtim apo reduktim të fluturimeve nga Tel Avivi drejt Tiranës, duke sqaruar se gjatë sezonit të verës, i cili përfundon në tetor, mes këtyre dy qyteteve operojnë tre linja ajrore me mesatarisht 22-24 fluturime në javë, ose 3 fluturime në ditë.

Në kohën e këtij shkrimi, aeroporti i Tiranës afishon dy fluturime nga Tel Avivi respektivisht të hënën, më 19 tetor, dhe të martën, më 20 tetor 2026.

Përsa i përket fluturimeve nga Izraeli drejt Tiranës, ato janë shtuar së fundmi si pjesë e grupeve me turistë nga ky vend pas rritjes së incidenteve me vendasit në vendet e tjera. Kjo rritje e fluksit të vizitorëve hebrenj është parë me dyshim në rrjetet sociale duke u shfrytëzuar edhe për të nxitur narrative antisemite.