BallinaPertejBasha për dëmshpërblimin e të përndjekurve dhe skema ‘penalizuese’ e Ramës për bonusin e bebes

Basha për dëmshpërblimin e të përndjekurve dhe skema ‘penalizuese’ e Ramës për bonusin e bebes

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, premtoi se brenda 4 viteve të ardhshme do të shlyejë të gjitha detyrimet e prapambetura ndaj ish të përndjekurve politikë, nëse fiton mandatin. Fatura totale financiare shtesë për shlyerjen e këtyre detyrimeve është 220 milionë euro. Sipas KLSH periudha për shlyerjen e këtij detyrimi është dyfishuar, nga 16 vjet që parashikohej pak kohë më parë, në 32 vjet. Sipas të dhënave të analizuara nga Faktoje, rezulton se një nga shkaqet e zgjatjes së këtij afati është përgjysmimi i fondeve vjetore për ish të përndjekurit dhe kompensimi i skemës për bonusin e bebeve, të shpallur nga kryeministri Rama në 2019.


Kryetari i opozitës Lulzim Basha më 20 shkurt të këtij viti u zotua se brenda mandatit të parë qeverisës, nëse fiton zgjedhjet e 25 prillit, do të përfundojë shlyerjen e detyrimeve për familjet e persekutuara nga regjimi komunist.

Por sa është fatura financiare shtesë për buxhetin e shtetit për të përmbushur këtë angazhim?

Faktoje bëri një analizë të të dhënave duke u rikthyer pas në kohë, për të llogaritur sa shkon kjo faturë.

Më datë 28 mars 2014, në ceremoninë e përurimit të ndërtesës së rikonstruktuar të Institutit të të Përndjekurve Politikë, kryeministri Rama u shpreh:

Ne kemi marrë një zotim që t’i japim fund hipokrizisë dhe padyshim t’i japim fund abuzimit mëse 20 vjeçar me të përndjekurit politikë duke bashkëpunuar me ta. 18 milionë dollarë vumë në dispozicion këtë vit. Nuk është një shumë që përmbush të gjitha nevojat. Ne kemi akorduar sasinë më të madhe të fondeve për një vit që një qeveri e Shqipërisë ka akoduar për të përndjekurit në një vit jo elektoral.

Bazuar në të dhënat zyrtare të Ministrisë se Financave dhe Ekonomisë më poshtë paraqitet fondi total i disbursuar për vitet 2011-2020.

Ajo që vihet re është se përveç vitit elektoral 2013, fondi i disbursuar prej 1.8 miliardë lekë në 2014 ishte më i lartë se ai i viteve 2011-2012. Ndërkohë mesatarja e disbursimeve për vitet 2011-2017 ka qenë rreth 2 miliardë lekë në vit. Edhe në periudhën 2014-2017 të qeverisë Rama ajo ka qenë po rreth 2 miliardë lekë në vit.

Siç shihet nga paraqitja grafike, që nga viti 2018 e në vijim, fondi për të përndjekurit politikë pothuajse është përgjysmuar. Mesatarja e disbursimeve vjetore për vitet 2018-2020 është rreth 1 miliard lekë në vit.

Përgjysmimi i fondit të disbursuar nga vitit 2018, erdhi si rezultat i faktit që s’kemi më stok detyrimesh ndaj këtij grupi shoqëror apo për arsye të tjera?

raportin e Zbatimit të Buxhetit të Shtetit për vitin 2017, KLSH theksonte:

Vlera e njohur e detyrimeve, por ende e papaguar në fund të vitit 2017 është rreth 31,450 milionë lekë. Nëse buxhetimi dhe çelja e fondit të ish të përndjekurve do të vazhdojë të mbajë ritmet e deritanishme me afërsisht 2 miliardë lekë në vit, ky detyrim do të mund të shlyhet vetëm pas 16 vitesh. Për të ruajtuar vlerën reale të kompensimit, duke patur në konsideratë kohën e gjatë, do të duhej që detyrimet e njohura ndaj kësaj shtrese të indeksoheshin me inflacionin.

raportin e Zbatimit të Buxhetit të Shtetit për vitin 2018, vit kur fondi i disbursuar u përgjysmua me akt normativ, KLSH theksonte:

Fondi i përndjekurve politikë është afërsisht përgjysmuar në krahasim me planin fillestar të vitit 2018 dhe realizimin faktik të vitit 2017. Konstatohet se vlera e detyrimit të njohur nga shteti shqiptar dhe i papaguar për ish të përndjekurit politikë deri në fund të vitit 2018 është 33,381 milionë lekë. Nëse buxhetimi i këtij fondit do të vazhdojë me këtë ritëm, ky detyrim do të mund të shlyhet vetëm pas rreth 33 vitesh (nga 16 vjet me buxhetimin fillestar).

Po kështu në raportin e Zbatimit të Buxhetit të Shtetit për vitin 2019, KLSH rikthekson:

Konstatohet se vlera e detyrimit të njohur nga shteti shqiptar dhe i papaguar për ish të përndjekurit politikë deri në fund të viti 2019 është 33,182 milion lekë. Nëse buxhetimi i këtij fondi do të vazhdojë me këtë ritëm, ky detyrim do të mund të shlyhet pas rreth 32 vitesh.

Siç shpjegohet më lart, përgjysmimi i fondit vjetor të kompensimit të të përndjekurve, ka dyfishuar periudhën e shlyerjes së këtij detyrimi, nga 16 në mbi 30 vjet. Ndonëse detyrimi total ndaj kësaj shtrese kishte një vlerë prej rreth 33 miliardë lekësh (330 milion dollarë) në fund të 2019, fondi vjetor edhe për vitin 2020 dhe 2021 ka vazhduar të jetë 1 miliard lek në vit.

Premtimi i PD përballë konstatimit të KLSH

Premtimi i PD për shlyerjen e plotë të detyrimeve brenda 4 vitesh është një premtim joshës për komunitetin e ish të përndjekurve politikë, të cilët me ritmin aktual do kompensoheshin totalisht pas 30 viteve.

Por sa janë kostot vjetore shtesë dhe ato totale në 4 vjet për buxhetin e shtetit për të përmbushur këtë premtim?

Bazuar në analizën e kryer, mund të llogarisim stokun në fund të vitit 2021, duke e marrë të pandryshuar vlerën e stokut të raportuar nga KLSH në fund të vitit 2019 (33 miliardë lekë), fondin e 2020 (1 miliardë lekë) dhe atë të 2021 (1 miliardë lekë). Në fund të vitit 2021 stoku parashikohet të jetë 31 miliardë lekë.

Nga llogaritjet sipas tabelës ilustruese, që PD të përmbushë angazhimin e saj nëse fiton mandatin qeverisës, buxheti i shtetit do ketë një kosto vjetore shtesë prej 6.75 miliardë lekë (rreth 55 milion Euro), dhe një kosto totale shtesë gjatë mandatit prej 27 miliardë lekë (rreth 220 milion Euro).

Bonusi i bebeve apo dëmshpërblimi i të përndjekurve politikë?

Duke filluar nga viti 2019, qeveria Rama vuri në zbatim politikën e bonusit të bebeve, me anë të të cilit shteti shpërblen familjet me një shumë parash, për çdo të lindur. Kjo skemë u përdor për të mbështetur dhe nxitur lindshmërinë në vend.

Më 6 tetor 2020, kryeministri Rama në një postim në rrjetet sociale u shpreh: “Mirëmëngjes dhe me këtë tjetër fakt të thjeshtë që tregon se jo vetëm as jemi të gjithë njësoj dhe as gjërat s’janë njësoj siç kanë qenë, por edhe se kush punon për të ardhmen e këtij vendi, ju uroj një ditë të mbarë.”

Në këtë postim kryeministri Rama publikoi të dhëna mbi fondet e disbursuara për bonusin e bebeve nga 2019-a (kur filloi aplikimi i bonusit) dhe deri më 6 tetor 2020.

Nëse ballafaqojmë këtë deklaratë me të dhënat e treguesve fiskalë të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë rezulton se fondi i përdorur në vitin 2019 për bonusin e bebeve ka qenë 2.36 miliardë lekë dhe në vitin 2020 janë përdorur 2.82 miliardë lekë. Pra në dy vite të marra së bashku janë paguar sipas Thesarit rreth 5.2 miliardë lekë. Si rrjedhojë deklarata e kryeministrit Rama rezulton e vërtetë.

Por si lidhet bonusi i bebes dhe fondi i të përndjekurve politikë? Të dy këto zëra buxhetorë, gjenden në në të njëjtin grupim në buxhet. Po të kemi parasysh që kanë ndodhur në të njëjtën kohë, përgjysmimi i fondit të të përndjekurve politikë në buxhet ka kompensuar pjesërisht fondet e nevojshme shtesë që nevojiteshin për skemën e bonusit të bebes.

Më poshtë është paraqitja në formë grafike e buxhetimit fillestar të këtyre dy fondeve, sipas viteve nga 2011 në 2021 bazuar në të dhënat e Ministrisë së Financave.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img