BallinaKomunitetet lokale kundër dezinformimitA do ta shpëtojnë biznesin në Korçë festat në "format" pandemie?

A do ta shpëtojnë biznesin në Korçë festat në “format” pandemie?

DANIELA ZISI

Korça është ndër qytetet që po përjeton krizë të fortë edhe tek hotelet e bujtinat, për shkak të pandemisë, sepse muajt e verës, kur vendasit dynden në bregdet, 70% e klientelës së saj janë të huaj. Strukturat hoteliere po punojnë me kapacitet minimal dhe raportojnë se negociojnë për çmimet e akomodimit, gjë që nuk u ka ndodhur më parë. Ndërkohë, bashkia të vetmin plan ‘shpëtimi’ nga kjo situatë ka organizimin e festave në “format” pandemie, i cili për specialistët e fushës mbetet një eksperiment që edhe mund të dështojë.


Qyteti, që priste çdo vit mbi 100 mijë turistë dhe vizitorë, shifër që e kalon numrin e banorëve rezidentë të Korçës, e ktheu turizmin në sektor parësor të ekonomisë vendore, me të cilin u lidhën një zinxhir aktivitetesh shërbimi, që u hapën në funksion të kësaj industrie.

Por muajt e izolimit nga pandemia, paralizuan krejtësisht aktivitetin e bujtinave dhe hoteleve, të cilat edhe pas heqjes së masave kufizuese ndodhen në ngërç dhe pasiguri.

Të dhënat e bashkisë së Korçës tregojnë se nga 99 bujtina dhe hotele të regjistruara si struktura akomoduese, javën e fundit të qershorit, janë prenotuar vetëm 45 dhoma, çfarë tregon rënie drastike të turistëve dhe po vë në vështirësi pronarët e këtij biznesi.

Mbyllja e kufijve, ishte një tjetër goditje për bizneset turistike, në Korçë, Voskopojë dhe Dardhë, të cilat mbi 70% të klientelës e kanë me të huaj.
Rezervimet e vendasve dhe të huajve janë anuluar plotësisht deri në shtator të këtij vit, ndërsa bujtinat dhe hotelet mbahen hapur vetëm për vizitorët e fundjavës.
Puna me kapacitete të reduktuara ka sjellë shkurtime të vendeve të punës në këto struktura, duke prekur edhe të kualifikuarit.

Pagat e përfituara nga paketat e ndihmës së qeverisë, bizneset e turizmit i përdorën për të shlyer detyrimet e prapambetura, ndërsa lehtësitë nga bashkia, që përfshijnë shtyrjen në kohë të pagesës së taksave lokale, konsiderohen të pamjaftueshme dhe me ndikim thuajse të papërfillshëm.

Paga e luftës: E morën nga shteti si ndihmë, për t’ia kthyer sërish shtetit

Teksa ngjitesh rrugicave të kalldrëmta të lagjes 1, syri të sheh një bujtinë trekatëshe, rrethuar me lule kacavjerrëse dhe plot gjelbërim.

Bujtina Trebicka në Korçë

“Kjo ishte një shtëpi e rrënuar, të cilën e bleva për ta kthyer në bujtinë.”-thotë Arjan Trebicka, i cili jeton në Durrës dhe dy vite më parë vendosi të investonte në qytetin e tij të origjinës.

“Kam qenë i kënaqur me fluksin e vizitorëve edhe pse sapo e kisha hapur aktivitetin. Muajt e verës shumicën e turistëve e kishim të huaj dhe pas shtatorit kemi pasur rezervime nga vendasit. Por prej marsit bujtina ka mbetur bosh dhe të gjitha rezervimet janë anuluar në vazhdimësi.”

Situatën e ka bërë më të pashpresë mos-hapja e kufijve nga vendet e BE, prej nga vinin shumica e turistëve, që i jepnin frymëmarrje hotelerisë në Korçë.

“Ditët e fundit anuluan rezervimin një grup turistësh belgë – thotë Arjani – “dhe deri në fund të gushtit nuk kam asnjë pritshmëri se mund të ndryshojë diçka. Nga katër të punësuar, në bujtinë ka mbetur vetëm një vajzë, e cila punon me orar të reduktuar, në pritje të ndonjë vizitori rastësor të fundjavës. U detyrova të heq nga puna edhe një vajzë të trajnuar dhe liçensuar si guidë. Planet për të ofruar veç shërbimit të bujtinës edhe një paketë vizitash në destinacionet atraktive të Korçës mbetën në mes nga pandemia!’-na tregon i zhgënjyer Arjani.

daljet e tij publike ministri i turizmit Blendi Klosi pohonte se turizmi ishte sektori më i goditur nga pandemia, por që nga ana tjetër kishte përfituar mbështetjen më të madhe nga qeveria.

Deri në javën e parë të korrikut, në Qarkun e Korçës kanë përfituar 10 mijë e 493 qytetarë dhe 4 mijë e 481 biznese, nga paketat e ndihmës së qeverisë, sipas Drejtorit të Drejtorisë vendore të Tatim Taksave të Korçës, Thoma Tototnozi.

Për Arjanin, mbështetja e qeverisë, që konsistoi vetëm tek paga e luftës, ishte minimale, për të mos thënë qesharake.

“I kemi sytë nga shteti, në të kundërt vështirë se mund të diskutohet edhe mbijetesa. Fitimet janë zero, ndërsa faturat e detyrimeve shtohen ditë pas dite. Paga e luftës ishte një ndihmë minimale dhe e papërfillshme, me të cilën shlyem ca detyrime të vogla, ndërsa taksat lokale e kam të pamundur t’i shlyej në këtë krizë që po kaloj. Si unë edhe pronarët e bujtinave të tjera kanë pritur më tepër mirëkuptim dhe tolerancë edhe nga bashkia, e cila veç shtyrjes së afatit të detyrimeve, nuk na ka krijuar ndonjë lehtësi tjetër, ndërkohë, që ne jemi sektori më i goditur nga pandemia, sepse edhe pas heqjes së kufizimeve, nuk kemi klientë”- tregon Arjan Trebicka.

Pazari i Korçës

Edhe për bizneset e Pazarit të Vjetër problematika është e njëjtë.
Bujtinat dhe hotelet presin vizitorë gjatë fundjavës dhe janë të detyruara të punojnë me më pak se gjysmën e kapaciteteve.

Të dyja bujtinat që Idi Kotelli ka marrë me qira në Pazar, janë të mbyllura. Në fundjavë mban hapur vetëm bujtinën e vogël me dy dhoma, duke shpresuar të kthehen klientët e përhershëm.

Bujtina Old Bazaar

“Nga stafi prej katër personash, aktualisht kam në punë vetëm pastruesen.”-thotë Idi.

“Në korrik dhe gusht të vitit të kaluar të gjitha dhomat i kam pasur të rezervuara nga të huajt, por këtë verë gjithçka është anuluar. Vizitorët vendas e frekuentojnë Korçën pas gushtit, sepse preferojnë bregdetin dhe ne jemi mbajtur nga të huajt. Nëse nuk do hapen kufijtë, kriza do thellohet, humbjet po ashtu dhe nuk ka kuptim të mbash këtë lloj biznesi!”-shprehet ai.

Për Idi Kotellin paga e luftës ishte një ndihmë e pamjaftueshme në raport me nevojat e tij, që nisin nga pagesa e qirasë deri tek detyrimet ndaj shtetit.

“Me pagën e luftës shleva faturat e dritave, që erdhën aforfe dhe ato të ujit. Tarifat vendore u shtynë me 20 ditë, por prapë detyrimi ndaj bashkisë mbetet dhe rritet muaj pas muaji. Jemi në kushte mbijetese dhe nuk diskutojmë fitimin deri në fund të vitit!”-u shpreh Idi Kotelli.

Dalja nga izolimi dhe rihapja e aktiviteteve, solli një tjetër problem që dukej se ishte vënë në kontroll. Shumëfishimi i numrit të të prekurve nga Covid-19 gjatë muajit qershor e në vijim, ka vënë në alarm bizneset e hotelerisë, të cilët i tremben një izolimi të dytë.

“Nga pandemia kaluam një situatë shumë të vështirë, sepse gjithçka u paralizua,”-tregon Luiza Fermanis, menaxherja e Hanit të Pazarit.

Hani i Pazarit

“Vala e parë e pandemisë kaloi dhe shpresuam që situata të normalizohej, por virusi po rikthehet fuqishëm. Kjo është e frikshme dhe nuk dihet sa do zgjasë. Rezervimet janë anuluar nga marsi deri në fund të gushtit.”-thotë ajo.

“Kemi pasur punë vetëm tre fundjavat e qershorit dhe vizitorët kanë qenë rastësorë. Ne, 70% të klientëve i kemi të huaj dhe vendimi për të mbajtur kufijtë mbyllur, na ka sjellë humbje të konsiderueshme. Kemi qenë të detyruar të bëjmë shkurtime të stafit, nga 11 punonjës, katër i kemi pushuar dhe nuk pres, të paktën për muajt e verës, që situata të ndryshojë, pasi vendasit më tepër në verë preferojnë pushimet në bregdet.”

Kriza nga pandemia është e gjithanshme dhe nuk ka kursyer as klientët. Sipas menaxheres ka pasur raste kur vizitorët kërkojnë ulje çmimesh, gjë që nuk ka ndodhur më parë.

“Situata me covid po vazhdon dhe nuk e dimë ç’na pret muajt në vazhdim, sepse njerëzit janë të paqartë dhe të pasigurt dhe priren më tepër për të ruajtuar kursimet, sesa për të shpenzuar”- thotë Fermanis, e cila shpreson që bashkia këtë verë të mos anulojë festat lokale, që tashmë janë kthyer në traditë dhe i sjellin çdo vit Korçës fluks turistësh.

Sa i takon ndihmës së qeverisë, me dy paketat financiare, duket se ato iu kanë ardhur në ndihmë vetëm të punësuarve, ndërsa bizneset po mundohen t’ia dalin të vetëm.

Fshati turistik i Voskopojës

Voskopojën, fshatin e turizmit gjithëstinor, që frekuentohej nga më shumë se 30 mijë vizitorë në vit, këtë fillimkorriku e gjen thuajse të boshatisur. Në restorante drekojnë pak vizitorë nga Tirana dhe Durrësi, ndërsa bujtinat dhe hotelet nuk kanë të rezervuar më shumë se nga dy dhoma. Fshati gjallërohet vetëm në fundjavë, shumica e vizitorëve janë ditorë dhe rrallë vijnë për të kaluar disa ditë.

“Fundjavat e qershorit kishim pak vizitorë dhe korriku ka nisur po kështu.”-thotë Shpresa Baçelli, e cila menaxhon një bujtinë në qendër të Voskopojës, ku punon e gjithë familja.

“Jemi në gjendje shumë të vështirë, sidomos ne që kemi kredi për të shlyer. Turistët vendas janë të paktë, shumica vijnë vetëm për të drekuar dhe pas disa orëve kthehen në qytetet e tyre. Pandemia ka rritur pasigurinë dhe njerëzit po shpenzojnë pak ose aspak për pushime.

Për të huaj as që bëhet fjalë tani që u mbyllën kufijtë.”-thotë Shpresa.

“Nuk dimë sa do zgjatë pandemia dhe si do mbijetojmë me kaq pak klientë. Presim një dorë nga shteti, se paga e luftës prej 40 mijë lekë, ishte më pak se kësti i kredisë, ndërsa faturat e ujit dhe energjisë elektrike nuk i kemi paguar prej marsit. Taksat vendore, që arrijnë në 70 mijë lek, po ashtu. Në punë kam mbajtur vetëm tre punonjëse, të cilat shërbejnë gjatë fundjavës, sepse ditët e tjera nuk shkel askush në Voskopojë.”-vazhdon pesimiste Shpresa.

Hotel Bacelli, Voskopojë

Nga ana tjetër pandemia i ka hapur rrugë informalitetit, pasi konstatohet se shumë shtëpi të kthyera në bujtina, të cilat ofrojnë çmime të përgjysmuara për klientët, e ka rënduar më tej situatën e strukturave të liçensuara. Këto të fundit po punojnë me minimumin e kapaciteteve, duke pranuar edhe negocimin e çmimeve për netët e qëndrimit.

Një natë qëndrimi në një bujtinë ose hotel varion nga 4 deri ne 5 mijë lekë, ndërsa në një bujtinë informale nuk shkon më shumë se 2 mijë lek, sipas asaj që na treguan në Voskopojë, pronarë të bujtinave që nuk deshën të identifikohen. Sipas tyre, të paliçensuarit duke konkurruar me çmime të përgjysmuara, iu marrin një pjesë të klientëve të pakët gjatë kësaj periudhe.

Bashkia dhe ekspertët, cilat janë shpresat për mbijetesë nga pandemia

“Sektori i turizmit, me të cilin janë të lidhura një gamë e gjerë shërbimesh është prekur më rëndë nga pandemia.”-thotë kryetari i Bashkisë Korçë Sotiraq Filo.

“Për t’i ardhur në ndihmë biznesit, ne morëm vendim për të shtyrë dhe ndarë në këste pagesat e taksave lokale. Ndërsa ditët e fundit, këshilli bashkiak vendosi përjashtimin nga tarifa e zënies së hapësirës publike edhe për muajin qershor, nga e cila përfitojnë 354 bare dhe restorante, të cilat gjithashtu po përballen me efektet e pandemisë.”-pohon ai.

Kryebashkiaku shpreson që organizimi i festave lokale, që tërheq fluks të lartë vizitorësh në Korçë dhe zonat e tjera, do të ndihmojë në këtë periudhë rimëkëmbjen e sektorit të turizmit, i cili po pëson humbje të konsiderueshme nga izolimi.

“Edhe pse në një situatë të pazakontë për shkak të pandemisë, kemi menduar të riformatojmë festat lokale, duke konsideruar respektimin e masave përkatëse. Edhe festat masive, si Festa e Birrës do të vijë në një formë të re, duke u shpërndarë në disa pika të qytetit, për të shmangur grumbullimet dhe po kështu do të vijohet edhe me festat në fshatrat turistikë, për të cilat vizitorët kanë pasur interes në rritje. Por gjithsesi, në kontekstin e situatës që po kalojmë, do të shohim në dinamikë se me çfarë instrumentash dhe strategjie do të mbështesim sektorin e turizmit, që po kalon ditë të vështira.”-u shpreh kryebashkiaku i Korçës.

Për pedagogen e Fakultetit të Ekonomisë në universitetin “Fan Noli”, Sorina Koti, efektet negative të pandemisë po ndihen fort dhe ndërhyrja e qeverisë apo bashkive për ofrimin e ndihmës është e pamjaftueshme.

“Qeveria alokoi shumë pak fonde për të papunët dhe bizneset, sa shumat qesharake që ata morën, nuk iu mjaftuan as për të paguar faturat e ujit dhe dritave. Edhe pse bizneset ishin të mbyllura, ato u tarifuan me fatura aforfe, të cilat duheshin paguar, pavarësisht situatës. Mijëra biznese u përballën me vështirësi financiare dhe u mungoi mbështetja si nga qeveria ashtu edhe nga pushteti vendor, siç është rasti i bashkisë së Korçës. Deri sot bashkia nuk ka asnjë strategji se si do t’u vijë në ndihmë bizneseve të hotelerisë dhe turizmit, që sot po mbyllen njëra pas tjetrës.”-shton Sorina Koti.

Pavarësisht situatës pesimiste, prej muajit mars e deri në fillim të korrikut rezultojnë vetëm dy subjekte që operojnë në fushën hotelerisë që kanë aplikuar për çregjistrim të biznesit, sipas nënkryetarit të Bashkisë Korçë Kletjon Kita.

Çfarë instrumentash mund të përdorë bashkia për ta shpëtuar biznesin nga falimentimi?

“Bashkia duhet të mendojë një paketë shpëtimi për bizneset dhe t’i përjashtojë nga taksat lokale, bizneset që operojnë në fushën e turizmit dhe hotelerisë, të cilat janë mbyllur nga mungesa e frekuentuesve.”- këshillon ekspertja Sorina Koti.

“Bashkitë në shkallë vendi kanë mbledhur, rreth 37% më pak të ardhura se parashikimi, ndërsa shpenzimet operative dhe korrente janë rritur me 23%.”-shton ajo.

“Kjo do të thotë se bashkitë, edhe pse kanë mbledhur më pak të ardhura për shkak të kolapsit të biznesit, përsëri kanë vazhduar të shpenzojnë para për mirëmbajtjen e aparatit të administratës, siç ndodh edhe me bashkinë e Korçës e cila 80% të taksave lokale i përdor për këtë qëllim”-vëren Koti.

Kur u interesuam pranë Bashkisë Korçë, sesi ka qenë raporti i mbledhjes së të ardhurave dhe ai i shpenzimeve, nënkryetari i bashkisë Kletjon Kita, u përgjigj se, raporti i mbledhjes së të ardhurave është 25%, kurse ai i shpenzimeve, nga të ardhurat vjetore, është 12%.

“Shpenzimet për aparatin e administratës përbëjnë vetëm 8% të shumës së mbledhur nga taksat vendore.”-sqaron zyrtari i bashkisë.

Ndërkohë ekspertja e ekonomisë tërheq vëmendjen se mbështetja kundrejt vështirësive financiare që po hasin bizneset turistike është pothuajse zero. Ajo e sheh me dyshim pritshmërinë, se zhvillimi i festave të sezonit do ketë ndonjë ndikim në ‘shpëtimin’ e biznesit në Korçë.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img