Kandidati i Partisë Socialiste Armando Subashi premtoi më 10 maj, 4 ditë para zgjedhjeve lokale, që shumë shpejt do të përfundojnë punimet për rehabilitimin e qendrës së Libofshës.

Pas verifikimeve të Faktoje.al në terren rezulton se 18 muaj pas premtimit, punimet janë lënë përgjysmë duke krijuar vështirësi për banorët. Pedonales së sapondërtuar i janë shfaqur plasaritjet e para.

Vjolanda Peca

Vetëm 4 ditë para ditës së votimit, më 10 maj 2023, Armando Subashi asokohe kandidat për Bashkinë Fier, u shpreh që punimet për rehabilitimin e qendrës së Libofshës priten të përfundojnë shumë shpejt.

Jemi duke punuar dhe shumë shpejt përfundojmë rehabilitimin e qendrës së Libofshës, një zonë me resurse dhe mundësi të jashtëzakonshme në zhvillimin e turizmit” u shpreh z.Subashi në praninë e deputetes së zonës, Ermonela Felaj.

Më 28 tetor, 18 muaj pas premtimit, Faktoje.al shkoi në Libofshë për të parë nëse punimet në qendrën e saj kanë përfunduar.

Nga kontrolli në terren na rezultoi se qendra e Libofshës ishte ende në gjendje kaotike. Në mungesë totale të stolave, pensionistët uleshin në shkallët e bizneseve përreth, teksa mbanin radhë për të tërhequr pensionet në një nga pikat e shërbimit postar që ndodhej në atë zonë.

Qendra e Libofshës 28 tetor 2024

Tabela që tregonte punimet për rehabilitimin e qendrës ishte shkatërruar.

Tabela e punimeve 28 tetor 2024

Ferdinand Loshi, banor në Libofshë thotë se me Libofshën janë tallur sa i përket investimeve.

Janë tallur me LIbofshën, me neve, me këtë popull. Është për të ardhur keq. Janë taksat tona, ne paguajmë, ata lozin me lekët tona”, shprehet pensionisti Loshi.

Disa metra larg postës ku qëndrojnë në radhë të moshuarit gjendet pedonalja e qendrës së Libofshës, punimet e së cilës janë lënë përgjysmë. Pedonalja deri tani është shtruar me beton, nderkohe që janë lënë disa hapësira në largesi të njëjta nga njëra tjetra për të mbjellur pemë. Nga një vezhgim i thjeshtë shihet se kanë filluar plasaritjet e para edhe pse rruga nuk ka përfunduar plotësisht. E njëjta situatë edhe tek trotuaret.

Pedonalja në qendër të Libofshës

Shikoje pedonalen këtu, më parë ka pasur stola dhe tani e kanë bërë me beton. Shikoje trotuarin, këto pllaka, po të bjerë shi, shpërbëhen. Këtu ka mangësitë e dynjasë,” shprehet një banor i Libofshës që nuk pranoi të identifikohej me emër. Banorët ankohen edhe për mungesën e ndriçimit në këtë zonë

“Tani që fillojnë shirat e rrëmbyeshëm na duhet të ecim në errësirë dhe në baltë” shprehet një pensioniste, banore në Libofshë.

Kush po e zbaton projektin “Rehabilitimi i qendrës së Fshatit Libofshë, Fier”?

Kryetari i Bashkisë Fier, Armando Subashi u shpreh më 10 maj 2023 se, Fondi Shqiptar i Zhvillimit po zbatonte projektin “Rehabilitimi i Qendrës së Libofshës, Fier”.

Me anë të një kërkese për informacion drejtuar Fondit Shqiptar të Zhvillimit (FShZh), kjo e fundit konfirmoi që: “Fondi Shqiptar i Zhvillimit po zbaton Projektin “Rehabilitimi i Qendrës së fshatit Libofshë, Fier””

*plani i përgjithshëm i shesheve dhe trotuareve, Qendëra e Libofshës, Fier

Plan-projekti i sjellë nga FShZh për Libofshën parashikon trotuare të reja, një shesh dhe shumë pemë.

*Pjesë nga projekti për qendrën e Libofshës që Armando Subashi ka ndarë në rrjetin e tij social Facebook

FSHZH tha për Faktoje.al se projekti ka një vlerë kontrate prej 37,681,044 lekë me tvsh, punimet e të cilit kanë nisur më datë 06.12.2023. Por FSHZH nuk iu përgjigj një tjetër pyetje se kur mbaronin këto punime. 

Ndërkohë, kryebashkiaku socialist më 10 maj 2023 u shpreh se, “në vitin 2024 do t’a përmbyllim si projekt brenda pak muajsh”

A ka përfunduar sipas afateve që ai premtoi?

Nisur nga verifikimet, projekti në terren me shesh dhe shumë pemë  ende nuk ka përfunduar.

Mungesa e transparencës së Bashkisë Fier

Faktoje vizitoi Libofshën dy herë brenda nje viti për të parë sesi kanë vijuar punimet në qendrën e saj.

Herën e parë Faktoje.al shkoi në nëntor të 2023 dhe herën e dytë në shtator të 2024. 

Ligji për të drejtën e informimit i detyron autoritetet publike të kthejnë përgjigje brenda afatit ligjor, jo më vonë se 10 ditë kalendarike nga data e dorëzimit të kërkesës.

Bashkia Fier e ka shkelur dy herë këtë ligj duke na kthyer përgjigje vetëm pas ankesës te Komisioneri për të Drejtën e Informimit.

Përpos vonesës në kthimin e përgjigjes, ajo ç’ka vihet re është qëndrimi i njëjtë që Bashkia Fier ka mbajtur në të dyja kohët e ndryshme.

E pyetur në dy periudhat sa më sipër se: “në çfarë faze është projekti i Rehabilitimit të qendrës së Libofshës?”, përgjigjia në të dyja rastet ka qenë:

“Rehabilitimi i Qendrës së Libofshës” është ende në procedurë leje dhe për aq kohë sa projekti nuk ka marrë financime pra nuk është në fazën e realizimit/zbatimi, autorët në mbrojtje të së drejtës së krijimit, nuk mund ta afrojnë për publikun.”

Përgjigjet e Bashkisë Fier për Faktoje.al më 07.11.2023 dhe 14.10.2024

Përfundim

Deri në publikimin e këtij artikulli, punimet e qendrës së Libofshës nuk kanë perfunduar ende duke e lënë qendrën pa ndriçim si dhe, pedonalen dhe trotuarin përgjysmë.

Ndaj dhe, nisur nga deklarata e kryebashkiakut Armando Subashi se projekti do të perfundonte brenda pak muajsh (i vitit 2024), premtimin do ta kategorizojmë të pambajtur.

*Faktoje.al, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.