BallinaPremtimeRama: Nis në shtator puna për ndërtimin e rampës, montimit dhe lëshimin e harkut në Urën e Kukësit

Rama: Nis në shtator puna për ndërtimin e rampës, montimit dhe lëshimin e harkut në Urën e Kukësit

EDIT NIKOLLI

Kryeministri Edi Rama, në muajin gusht, postoi pamjet e projektit të Urës së Madhe në Kukës, në Rrugën e Kombit, duke deklaruar nisjen e punimeve për ndërtimin e rampës, montimin dhe lëshimin e harkut dhe elementet të tjerë të saj në shtator. “Faktoje” me anë të një vezhgimi në terren dhe nga përgjigjja e Ministrisë së Infrastrukturës, konstatoi se punimet për urën me vlerë 30 mln euro, janë ende shumë mbrapa, ndërkohë që afati i përfundimit është shtatori i vitit të ardhshëm.


Më 25 gusht, nëpërmjet rrjetit social Facebook, kryeministri Rama bëri këtë lajmërim:

Statusi i Kryeministrit Edi Rama, 25 gusht

“Po punohet në shpatullat e urës, ura do të jetë e varur në 310 m gjatësi dhe struktura e saj mbajtëse kryesore, do të jetë një element mbresëlënës prej çeliku special, me hapësire 270 m dhe lartësi 50 m!

Aktualisht janë kryer gërmimet për ndërtimin e ballëve të urës nga të dy krahët, duke zhvendosur rreth 270 mijë m3 shkëmb. Puna për ndërtimin e rampës, monitorimin dhe lëshimin e harkut të urës si edhe të elementeve të tjere të saj, nis në shtator”.

                     Foto e projektit për Urën e Kukësit, nga rrjeti social Facebook i Kryeministrit Rama

                      Foto e projektit për Urën e Kukësit, nga rrjeti social Facebook i Kryeministrit Rama

                           Foto e projektit për Urën e Kukësit, nga rrjeti social Facebook i Kryeministrit Rama

“Faktoje” dërgoi një kërkesë për informacion në Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë më  16 tetor, ku pyeti se në cilën fazë janë punimet për elementet e urës,  sa është vlera e këtij projekti, kur përfundon, etj.

                     Kërkesë për informacion drejtuar Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë vetëm pas ankimit te Komisioneri për të Drejtën e Informimit dha një përgjigje:

Paraprakisht janë mbyllur rrugët e aksesit për ndërtimin e këmbeve të urës si dhe studimet gjeologjike nën çdo këmbë të urës së re, ky proçes shërben për të verifikuar gjeologjinë e bërë më parë me gjeologjinë e ripunuar pas germimeve duke vajtur në kuotën e tabanit të themeleve. Po ashtu kanë mbaruar gërmimet para dhe pas urës, të cilat janë material shkëmbor. Këto germime kanë bërë të mundur që të realizohet hapja e trasesë për vijushmërinë e autostrades. Në këtë moment janë duke u ralizuar pilotat e këmbeve të urave. Pilotat e këmbëve D1 (pjesa jugore) pothuajse kanë mbaruar duke përfshirë proceset (çpim, vendosje armaturash, beton, testim të pilotave) Ndërkohë po vijojnë piloted nga këmba K2 (ana veriore) duke bërë çpimin e tyre. Ka mbaruar devijimi i trafikut të autostradës duke realizuar rrugën e aksesit dhe menaxhimi i tij. Aktualisht po sistemohet sheshi i asamblimit të urës (në zonën veriore, ana kukës). Sistemi i sheshit ka proçeset e mëposhtme të cilat janë në vijim, furnizimi me energji elektrike dhe nevoja të tjera për përditshmërine e kantierit i cili do të punojë 24/24. Nivelimin dhe rregullimin e kuotave, sistemimin e hyrje daljes së makinerive dhe lëvizjes së stafit në të.

Përgatitja e tranversave të cilat do të shërbejnë për montimin e shinave të vinçit i cili do të shërbeje për asamblimin e urës 100 për qind. Përgatitja e kullave metalike të cilat do të mbajnë urën në fazën e montimit dhe në fazën e rrëshqitjes (kalimit) nga kantieri në liqen dhe më pas për lundrim nga ana tjetër e bregut.

                                             Përgjigje e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë

“Vlera paraprake e parashikuar në preventin e urës është 30 milion euro me TVSH.  Po ashtu afati i përfundimit të parashikuar është shtator 2021.”-tha MIE për “Faktoje”.

                               Përgjigje e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë

“Kjo urë rrit sigurinë rrugore si dhe nuk krijon më trafik në zonën e urës së vjetër, e cila për shkak të gjeometrisë, sidomos në sezonin e verës krijonte rradhë tëgjata për përdoruesit e rrugës. Një avantazh të madh për banorët e zonës gjatë ndërtimit të kësaj vepre, padyshim është punësimi i banorëve të zonës, të cilët do jenë të domosdoshëm si gjatë ndërtimit të urës, por edhe gjatë kohës së mirëmbajtjes, përsëri do të ketë punonjës të cilët do të bëjnë inspektimet dhe mirëmbajtjen rutinë të urës.”- konfirmoi ministria.

                                                Përgjigje e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë

Në muajin tetor, “Faktoje” udhëtoi dy herë drejt Kukësit për të verifikuar në terren atë çfarë deklaroi Kryeministri Rama. Nga vëzhgimi në terren rezulton se punimet për vendosjen e elementëve të urës, ende nuk kishin nisur. Në atë zonë gjetëm makineritë dhe disa punëtorë të kantierit të cilët konfirmuan për “Faktoje” se vijonte faza e gërmimeve dhe zhvendosjes së dheut:

“Po punojmë për infrastrukturën e urës, po hiqen dherat, sepse është një fazë tjetër ajo e strukturës, po nuk e dimë se kur do fillojmë për pjesën tjetër të punimeve”.

                                                Foto nga vezhgimi në terren në Kukës, tetor 2020

Siç shihet dhe nga fotoja, në këtë zonë është vetëm ura ekzistuese dhe ende asnjë element i urës së re që do të bashkojë brigjet e Drinit në Rrugën e Kombit.

                                          Foto nga vezhgimi në terren në Kukës, tetor 2020

“Faktoje”, udhëtoi përsëri drejt Kukësit në 10 dhjetor për të parë avancimin e punimeve për urën, por ritmet ishin ende larg asaj çfarë u premtua.

                                                    Foto nga vezhgimi në terren në Kukës, dhjetor 2020

                                           Foto nga vezhgimi në terren në Kukës, dhjetor 2020

Ura e re e Kukësit do ketë dy bazamente prej betoni në brigjet e liqenit, ndërsa gjatësia e saj do të jetë konstruksion metalik, me një hark të madh pa këmbë të ndërmjetme.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img