BallinaProjekteNxitja e llogaridhënies së zyrtarëve të lartëÇfarë u përmirësua në infrastrukturën problematike të lagjeve në Elbasan?

Çfarë u përmirësua në infrastrukturën problematike të lagjeve në Elbasan?

Gjatë fushatës së kandidimit për postin e kryetarit të bashkisë Elbasan, Gledian Llatja premtoi projekte për disa lagje problematike sa i përkiste infrastrukturës në Elbasan. Ai garantoi madje se kishte nisur puna për realizimin e tyre. Në realitet, banorët janë detyruar të ngrihen në protestë duke bllokuar rrugën, ndërsa në lagje të tjera qytetarët ankohen se punimet e ‘befta’ janë pa cilësi.


“Absolutisht ne kemi një vizion shumë ambicioz për qytetin. Ne i kemi filluar projektet tona, jemi duke punuar përditë, për zgjidhjen e infrastrukturës problematike” – deklaroi kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja më 15 qershor 2019, në një intervistë për ERTV.

Përtej premtimit të kryebashkiakut Llatja, në projektbuxhetin afatmesëm 2019-2021, Bashkia Elbasan parashikon si investime parësore përmirësimin e infrastrukturës në lagjet e qytetit.

“Në programin e transportit në funksionin e infrastrukturës rrugore si fushë prioritare është zgjerimi i rrugëve në qytet dhe ndërtimi i të gjitha rrugëve ekzistuese” – thuhet në seksionin e prioriteteve të investimeve të Bashkisë Elbasan.

Mirëpo, pas më shumë se një viti nga marrja e detyrës si kryebashkiak i Elbasanit nga Gledian Llatja, qytetarë në lagje të ndryshme ankohen për mungesë investimesh.

“Ka të paktën 30 vite që nuk bëhet asnjë investim. Letra, peticione e madje protesta kemi bërë. E fundit ishte në fillim të tetorit. Askush nuk reagon. Ne jemi gati 500 banorë dhe kemi vendosur të bojkotojmë zgjedhjet. Nëse nuk na bëjnë rrugën dhe kanalizimet, nuk do votojmë. Lere pastaj ndriçimin, që as bëhet fjalë, po të paktën këto dyja të na bëjnë!” – i tha “Faktojes” Petrit Haxhia, banor i lagjes “Skënderbej” në Elbasan.

Infrastruktura rrugore në lagjen “Skënderbej”, Elbasan

Situatë e ngjashme për sa i përket infrastrukturës rrugore paraqiste edhe lagjja “5 Maji” në periferi të qytetit të Elbasanit.

“Jemi të diskriminuar se jemi komunitet Rom. Asnjë investim nuk është bërë në këtë lagje të paktën në sa vite kam unë jetë. Rrugë po kërkojmë! Kur ka zgjedhje vijnë e premtojnë, por pastaj harrojnë!” – i tha “Faktojes”, Bashkim Hajdari, banor i lagjes “5 Maji” në qytetin e Elbasanit.

Infrastruktura rrugore në lagjen “5 Maji” në Elbasan

Mungesa e investimeve vërehet edhe në lagjen “Brigada e 17-të Sulmuese” në Elbasan.

Lagjja “Brigada 17-të Sulmuese” në Elbasan

“Kur bie shi mbushet me ujë, marrim çizmet deri aty, pastaj këpucët matanë. Në 30 vite nuk është asfaltuar. Baltë gjithandej, si fshat në mes të qytetit. Kryetari i bashkisë thotë do ta bëj, por se kur ne nuk e dimë” – i tha “Faktojes” një banor i lagjes “Brigada e 17-të Sulmuese”.

Ndonëse shumë lagje përballen me mungesën e investimeve, banorët e lagjes “Vullnetari” kanë një tjetër shqetësim. Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, më 20 tetor, në Facebook postoi pamje nga inspektimi i punimeve në lagjen “Vullnetari” në Elbasan.

“Lagja “Vullnetari” po i nënshtrohet një transformimi infrastrukturor në rrugët dhe sheshet e pallateve të atij blloku banimi. Bashkia Elbasan po i përgjigjet një kërkese të kahershme të një komuniteti me 7mijë banorë” – shkruhej në postimin e Llatjas, të ilustruar nga pamje të punimeve.

Punimet në lagjen “Vullnetari”, Elbasan 20.10.2020

“Më datë 20 tetor erdhi kryetari i bashkisë me qëllim inspektimin dhe inaugurimin e punimeve. Më shumë nga stafi i bashkisë se sa punëtorë për shtrimin e rrugës. Kishin një fadromë me të cilën hapën një shtresë çakulli. Për ironi, po atë ditë në darkë ra shi. Iku thuajse e gjithë shtresa e çakullit. Të nesërmen erdhën sërish e gjasme e rregulluan. Punë sa për sy e faqe” – ankohet Luan Mema, banori lagjes “Vullnetari” në Elbasan.

Rruga në lagjen “Vullnetari”, Elbasn 3 ditë pas inspektimit, 23.10.2020

Nga verifikimi në terren, 3 ditë pas këtij riparimi, rezultoi se rruga ishte sërish e prishur.

Sipas të dhënave nga Bashkia Elbasan për sa i përket shpërndarjes së burimeve financiare për harkun kohor 2016-2020 vërehet se shpenzimet për infrastrukturën dhe transportin rrugor janë më të ulëta se viti 2017, duke u përafruar me ato të vitit 2018.

Shpërndarja e burimeve financiare, Bashkia Elbasan 2016-2020

Premtimin e kryetarit të Bashkisë Elbasan për infrastrukturën në lagjeri, deri më tani do ta kategorizojmë si “Të pambajtur”.

“Faktoje”, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend, dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img