BallinaFaktometerE PavërtetëRama: Nuk ka 15 kushte për të shkuar drejt Konferencës së Parë Ndërqeveritare

Rama: Nuk ka 15 kushte për të shkuar drejt Konferencës së Parë Ndërqeveritare

Kryeministri Edi Rama më 10 qershor mohoi në mënyrë kategorike se Shqipëria ka si detyrim plotësimin e 15 kushteve për të shkuar në Konferencën e Parë Ndërqeveritare. Por këtë të hënë, një amendament i Grupit Parlamentar të PPE, theksonte pikërisht se Shqipëria duhet të ketë përmbushur këto 15 kushte të BE-së para mbajtjes së konferencës ndërqeveritare me shtetet anëtare.


Në një konferencë për shtyp, më 10 qershor, ku shpalosi masat që do të ndërmarrë qeveria për rimëkëmbjen ekonomike, kryeministri Edi Rama mohoi që Shqipëria të kishte 15 kushte për të përmbushur para Konferencës së Parë Ndërqeveritare të Integrimit.

Nuk ka 15 kushte për të shkuar drejt Konferencës së Parë Ndërqeveritare. Nuk ka, nuk ekzistojnë. Prandaj, e di që e dëgjoni, përsëritet, e përsërisni dhe ju, por mos e përsërisni. Nuk ka 15 kushte për të shkuar drejt Konferencës së Parë Ndërqeveritare, nuk ka, nuk ekzistojnë, u shpreh kryeministri Edi Rama.

Grupi Parlamentar i PPE dorëzoi të hënën e 15 qershorit një amendament për rezolutën mbi Ballkanin Perëndimor e cila pritet të miratohet këtë javë në Parlamentin Europian.

Amendamenti i firmosur nga eurodeputetja, Kinga Gal, raportere e PPE për këtë rezolutë me kërkesën e raporterit për Shqipërinë, David Lega dhe me pëlqimin e koordinatorit Michael Gahler, cilëson se Parlamenti Europian: Thekson 15 kushtet e caktuara nga Këshilli i Bashkimit Europian që Shqipëria duhet të ketë përmbushur përpara thirrjes së Konferencës Ndërqeveritare të parë me shtetet anëtare.


Amendamenti i Grupit Parlamentar PPE

Ambasadori Gjermanisë në Shqipëri, Peter Zingraf, në një reagim më 8 qershor, kërkoi nga palët politike në vend të punojnë në funksion të përmbushjes së kushteve të mëtejshme të vendosura përpara etapave të radhës në kuadër të bisedimeve të anëtarësimit me Bashkimin Evropian.

Vendit i nevojitet një frymë konstruktive dhe vetëdijësim lidhur me përgjegjësitë e marra edhe në funksion të përmbushjes së kushteve të mëtejshme të vendosura përpara etapave të radhës në kuadër të bisedimeve të anëtarësimit me Bashkimin Evropian,thuhej në reagimin e ambasadorit gjerman, Zingraf.

Ambasadori gjerman, Zingraf theksoi se para Konferencës së Parë Ndërqeveritare, do duhet të garantohej funksionaliteti i Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë.

Në këtë kontekst kam parasysh në mënyrë të veçantë funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë – këta vazhdojnë të mbeten elemente të rëndësishme në këndvështrimin gjerman, me rëndësi thelbësore para së gjithash për drejtësinë shqiptare dhe që duhen përmbushur përpara konferencës së parë të anëtarësimit – theksoi ambasadori gjeman në Shqipëri, Zingraf.

Deklaratën e kryeministrit Rama, në referim me amandamentin e Grupit Parlamentar të PPE do e kategorizojmë si “Të pavërtetë“.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img