Rikonstruksioni i rrugës që lidh Manastirin e Ardenicës me Kishën e Shën Gjergjit ishte një nga premtimet elektorale të Kryebashkiakut aktual të Fierit, Armando Subashi.

Punimet për rikonstruksionin e rrugës që lidh Manastirin dhe Kishën ende nuk kanë nisur.

Bashkia Fier u shpreh se ndërtimi i rrugës që lidh Manastirin e Ardenicës me Kishën e Shën Gjergjit kushtëzohet nga “Rehabilitimi i qendrës së Libofshës” ndërkohë që FShZh thotë se ky projekt nuk ka lidhje me ndërtimin e rrugës së premtuar.

Vjolanda Peca

“Brenda këtij viti të nisim ndërtimin e rrugës nga Manastiri i Ardenicës deri në Kishën e Shën Gjergjit në Libofshë.” 

Ky ishte premtimi që Armando Subashi u bëri banorëve të njësisë Levan, Fier më 5 maj 2023.

*pamje nga takimi I Armando Subashit me banorë e njësisë Levan

Faktoje. al bëri një verifikim në terren për të pare nëse kishte nisur ndërtimi i kësaj rruge.

Afro 200 metra përballë hyrjes së Manastirit të Ardenices ndeshemi me një shteg që të con drejt Kishës së Shën Gjergjit. Ky shteg shërben si rruga lidhëse mes dy objekteve kulturore.

*rruga që lidh Manastirin e Ardenicës me Kishën e Shëngjergjit

Nga vëzhgimi në terren na rezulton se rruga lidhëse me Manastirit të Ardenicës dhe Kishës së Shën Gjergjit në Libofshë është shumë e ngushtë aq sa e bën të pamundur qarkullimin e dy makinave në drejtim të kundërt. Madje edhe kalimi i vetëm i një makine është shumë i vështirë për shkak të terrenit dhe rrugës së ngushtë. Shtegu vetëm 2.6 km i gjatë mund të kalohet vetëm nga makina të larta të prodhuara enkas për shtigje të vështira. Në pamundësi të një makine të tillë, Faktoje mori rrugën e gjatë, atë kombëtare deri në Mbrostar (25 km) dhe vetëm pas 30 minutash mbërritëm tek Kisha e Shën Gjergjit.

Manastiri i Ardenicës

Rruga nuk mund të kalohet përvecse me motorr, e përgjatë dimrit nuk kalohet as me motorr sepse bëhet baltë dhe rrëshket,” shprehet një qytetar që banon në Mbrostar, i cili e bën cdo ditë këtë rrugë për shkak të punës.

Kisha e Shën Gjergjit

Njëjtë si në fillimin e shtegut nga Manastiri i Ardenicës, edhe nga ana e Kishës së Shën Gjergjit rruga ishte e mbushur me dhe, duke e bërë të vështirë kalimin, qoftë edhe në këmbë.

Rruga që lidh Kishën e Shëngjergjit me Manastirin e Ardenicës, 28 tetor 2024

Ferdinand Loshi banor në Libofshë, thotë se premtime ka shumë por punë aspak.

Nga Manastiri i Ardenicës del këtu te Kisha e Shën Gjergjit për dalje në bregdet. Ka pretime shumë por nuk bëjnë asgjë, populli nga fukarallëku i beson, ha sapunin për djathë”, shprehet ai.

Ndërtimi i rrugës lidhëse mes Manastirit të Ardenicës dhe Kishës së Shën Gjergjit do të ishte një ndihmë e madhe jo vetëm për banorët e kësaj zone, por do të shtonte edhe numrin e vizitorëve, vendas dhe të huaj për shkak të vlerave historike dhe fetare që dy objektet mbartin.

Një rrugë e ndërtuar dhe e mirëmbajtur në të njëjtën kohë  do të ndihmonte në rritjen e fluksit turistik duke e thjeshtuar ndjeshëm eksplorimin e këtyre dy objekteve me rëndësi.

Bashkia Fier dhe FSHZH i’a kalojnë topin njëra-tjetrës

Sipas pergjigjes të Bashkisë Fier, hartimi i projekt-planit për ndërtimin  e rrugës kushtëzohet nga miratimi dhe realizimi i projektit të “Rehabilitimit të qendrës së Libofshës”.

*pjesë e shkëputur nga përgjigjia e Bashkisë Fier

Faktoje iu drejtua me anë të një Kërkese për Informacion Fondit Shqiptar të Zhvillimit i cili po zbaton Projektin “Rehabilitimi i Qendrës  Libofshë, Fier”, duke pyetur nëse ky projekt dhe ndërtimi i rrugës lidhëse të Manastirit të Ardenicës me Kishën e Shën Gjergjit janë të lidhura me njëra-tjetrën.

FShZh në përgjigjen e saj u shpreh që “projekti i lartpërmendur nuk ka lidhje me ndërtimin e rrugës nga Manastiri i Ardenicës dhe Kisha e Shën Gjergjit.”

*plani i përgjithshëm I projektit “Rehabilitimi i qendrës së Libofshës”

Përfundime

Premtimin elektoral të kryebashkiakut të Fierit, Armando Subashi për nisjen e punës brenda vitit për ndërtimin e rrugës që lidh Manastirin e Ardenicës me Kishën e Shën Gjergjit do t’a vlerësojmë si të pambajtur bazuar nga verifikimet në terren, dhe verifikimi i të dhënave të ofruara si nga Bashkia Fier ashtu edhe nga FSHZH

*Faktoje.al, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.