BallinaProjekteNxitja e llogaridhënies së zyrtarëve të lartëShkelet premtimi për 3 pallatet në Shijak, do ndërtohet vetëm 1 dhe ai ende nuk ka nisur të ndërtohet

Shkelet premtimi për 3 pallatet në Shijak, do ndërtohet vetëm 1 dhe ai ende nuk ka nisur të ndërtohet

Në Bashkinë Shijak jo vetëm që nuk janë ndërtuar pallatet e premtuara për familjet e pastreha, por ato janë reduktuar nga 3 në vetëm një pallat. Kjo pranohet zyrtarisht për Faktoje nga vetë Bashkia Shijak dhe nga Enti Kombëtar i Banesave. Ndonëse kryetari i Bashkisë së Shijakut, premtoi se do të ndërtohen 3 pallate për 75 familje të pastreha, Enti i Banesave thekson se do të ngrihet vetëm një, ku do të strehohen 25 familje.

———————————————————————————-

“Lajmi i mirë është se në Shijak do të ndërtojmë 3 pallate për të pastrehët”, premtoi më 29 janar të vitit 2021, Kryetari i Bashkisë Shijak, Elton Arbana pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Bashkiak.

Këtë premtim kryebashkiaku Arbana e ripërsëriti nëpërmjet një postimi në Facebook më 13 shkurt: “Do të ndërtojmë 3 pallate për të pastrehët”.

Screenshot, postimi i zotit Arbana, 13 shkurt 2021

Për shkak të interesit publik, Faktoje vendosi të verifikojë këtë premtim të zotit Arbana, duke iu drejtuar fillimisht me një kërkesë për informacion Bashkisë së Shijakut. Ne e pyetëm këtë institucion se sa pallate do të ndërtohen dhe nëse ka nisur puna.

Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë Shijak, 28 shtator 2022

Në përgjigjen zyrtare, ky institucion bën të ditur se pallatet nuk janë ndërtuar ende, ndërkohë që e kanë gati sheshin e lirë dhe se zbatues i projektit është Enti Kombëtar i Banesave.

“Bashkia Shijak ka sheshin e lirë dhe është zbardhur leja e zhvillimit për ndërtimin e 3 pallateve. Jemi në pritje të Entit Kombëtar të Banesave që të fillojë punimet për ndërtimin e 3 pallateve, pasi ai është investitori dhe zbatuesi i këtij projekti.

Këto tre pallate do të ndërtohen në lagjen Popullore të Bashkisë Shijak, pranë Komisariatit të Policisë dhe Qendrës Shëndetësore Shijak. Ky truall është miratuar nga Këshilli Bashkiak për ndërtimin e pallateve për të pastrehët.

Rrjedhimisht për 3 pallate do të akomodohen 75 familje. Për sa i përket buxhetit për ndërtimin e këtyre pallateve nuk kemi dijeni, pasi Enti i Banesave është njësia e prokurimit për zbatimin e saj”, sqaron Bashkia Shijak.

Ne iu drejtuam me një kërkesë për informacion edhe Entit Kombëtar të Banesave.

Kërkesa për informacion dërguar Entit Kombëtar të Banesave, 28 shtator 2022

EKB sqaron se ky institucion do të ndërtojë vetëm një pallat për të pastrehët, ku do të akomodohen 25 familje.

“Enti Kombëtar i Banesave sipas Marrëveshjes së Bashkëpunimit me Bashkinë Shijak do të ndërtojë një Banesë 6 kate, nga këto 5 kate banim, një kat njësi shërbimi si dhe 1 kat parkimi nën tokë, me adresë Lagja Popullore, në pasurinë me Nr.20/4, Zona Kadastrale Nr.3369 në qytetin e Shijakut për strehimin e familjeve të pastreha të këtij qyteti.

Në këtë objekt do të strehohen 25 familje. Fondi i miratuar për ndërtimin e kësaj banese është 99.200.000 lekë me TVSH.

Puna për ndërtimin e kësaj banese nuk ka filluar, sepse jemi duke kryer procedurat e prokurimit për përzgjedhjen e firmës sipërmarrëse që do të realizojë zbatimin e këtij investimi”, sqaron Enti Kombëtar i Banesave.

Faktoje ishte për verififkim në Shijak më 4 nëntor, për të parë se çfarë po ndodhte me projektin e rindërtimit për banesat kolektive. Në zonën mes Komisariatit të Policisë dhe Qendrës Shëndetësore ishte trualli i lirë, mirëpo aty nuk dukej asnjë shenjë për nisjen e punimeve.

Trualli i lirë mes Komisariatit dhe Qendrës Shëndetësore Shijak, 4 nëntor 2022

Banorë të zonës thanë se nuk ishin në dijeni se aty do të ngriheshin pallate. “Nuk e dimë çfarë do bëhet. Ne presim për vete që të futemi në shtëpitë tona, sepse jemi akoma me qira”, tha një 45-vjeçare.

Trualli i lirë mes Komisariatit dhe Qendrës Shëndetësore Shijak, 4 nëntor 2022

Në një verifikim të Faktoje një vit më parë, në faqen e Agjencisë së Prokurimit Publik, rezultonte se në shtator 2021 u hap procedura e tenderit për pallatin që do të ndërtohet nga EKB.  Megjithatë, më shumë se një vit pas kësaj procedure, ende nuk ka nisur puna për ndërtimin.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img