BallinaProjekteArsimi para dhe pas Covid-19: Fakte të thelluaraTiranë, shkolla me ‘teknologji të përparuar vëzhgimi’, nuk ka banjo

Tiranë, shkolla me ‘teknologji të përparuar vëzhgimi’, nuk ka banjo

Gjendja e disa shkollave në vend është e rëndë për shkak të mungesës së kushteve bazike, por më alarmante ajo rezulton në shkollat kolektive. Verifikimin e radhës, pas shkollës në Zall Dajt, Faktoje e vazhdoi në Shupal, 17 kilometra larg kryeqytetit. Për ironi, shkolla që dukej se i përkiste vitevë të pasluftës, edhe pse nuk kishte banjo, njihte si investim të fundit, kamerat e sigurisë, paçka se fëmijëve të mitur u duhej të largoheshin për në banesë për të kryer nevojat personale..

………………………………………………………….

“Vijon pa ndërprerje puna nëpër shkolla me sistemimet dhe riparimet e fundit në mënyrë që çdo gjë të jetë gati më 1 shtator për nxënësit e mësuesit tanë. Faleminderit të gjithë punonjësve që angazhohen për të na sjellë ambiente shkollore më të sigurta, më të rregullta dhe më të pastra”, shkroi Kushi në Facebook më 16 gusht, pak javë para se të niste viti i ri shkollor.

Postimi i Kushit në Facebook

Për të verifikuar se në çfarë gjendje janë disa prej shkollave kolektive, kur kanë kaluar rreth 2 muaj nga nisja e procesit mëimor, Faktoje vendosi të bëjë një vëzhgim në shkollën e Shupalit, rreth 17 kilometra larg Tiranës. Shkolla ishte një ndërtesë njëkatëshe, që të paktën nga jashtë dëshmonte për mungesë mirmbajtjeje, me mure të arnuara me suva apo të lyer vende-vende me gëlqere.

Shkolla fillore në Shupal, Tiranë, nëntor 2021

Por kur hyn në mjedisët brenda ndërtesës, ku mësojnë 6 nxënës, bindesh se gjendja e kësaj shkolle, është edhe më alarmante. Fëmijë të moshës 6-11 vjeç mësojnë mes lagështirës, mykut dhe mungesës së kushteve minimale. Në qendër të klasës janë bankat e karriget, ndërsa pjesën tjetër të saj e zënë soba dhe një turrë me dru.

Shkolla fillore në Shupal, Tiranë, nëntor 2021

Ajo çfarë nuk prisnim të gjenim në këtë klasë që duket sikur i përket dekadave të shkuara, është një monitor i lidhur me një kameran e sigurisë.

Duke biseduar me mësuesin e klasës, ku mësojnë gjithsej 6 nxënës, u njohëm me investimin për pajisjen e shkollws me kamera sigurie, por nga ana tjetwr pamë se mungonin banjot. Në momentin e bisedës, mësuesi na tregoi se dy prej nxënësve ishin larguar nga ora e mësimit drejt banesës për të kryer nevojat personale.

“Nxënësit i kam çuar në shtëpi, njëri ishte me diarre, ku ta mbaja këtu? Pa banjo, pa ujë” – tha mësuesi për Faktoje.

Shkolla fillore në Shupal, Tiranë, nëntor 2021

Banorët e Shupalit janë të varfër dhe jetojnë me të ardhura minimale nga bujqësia dhe blegtoria. Ata janë të vetëdijshëm se fëmijët e tyre nuk po marrin shkollimin e duhur, por “dorëzohen” para fatit. Pamundësia ekonmike i ka detyruar të jetojnë në kushte të vështira, edhe pse e ndiejnë të domosdoshme se e ardhmja e fëmijëve të tyre duhet të ndryshojë.

“Punojmë tokat dhe i mbjellim. Me ato jetojmë dhe i shesim prodhimet. Kemi lopë dhe dele, sa për të jetuar. Është gjynah me i thënë shkollë kësaj ndërtese, ka lagështirë dhe myk. Nuk kemi çfarë të bëjmë, nuk i lemë dot fëmijët pa shkollë. Mundësi për t’i çuar më tutje (Tiranë) nuk kemi. Mundohemi me aq sa kemi” – tha prindi i një fëmije në shkollën e Shupalit për Faktoje.

Shtëpi në fshatin Shupal, Tiranë, nëntor 2021

Në lidhje me problematikën në këtë shkollë, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Ministrisë së Arsimit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar, lidhur me mungesën e investimeve për elementët bazike që mungonin.

Kërkesa për informacion dërguar MASR dhe DPAP

Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk kemi marrë një përgjigje nga institucionet në fjalë.

Banorë dhe mësues të Shupalit i thanë Faktojes se edhe në në shkollën e fshatit fqinj, në Selitë Mal, situata është alarmante. Shkolla, e cila gjithashtu nuk ka banjo, është e dëmtuar nga tërmeti.

“Mësuesit dhe nxënësit shkojnë në ferra për të kryer nevojat. Nuk ka as ujë dhe kushtet brenda saj janë të tmerrshme”- tha një mësues i cili jep mësim në të dyja shkollat.

Në një artikull të publikuar një ditë më parë, Faktoje raportoi mbi problemin e klasave kolektive. Në shkollën “Hamdi Mansaku”, e cila ka në varësi 6 shkolla të tjera në fshatrat e Tiranës, ne zbuluam rastin e një djali, i cili përsëriste klasën e parë për të tretin vit radhazi.

Mirëpo, ky nuk ishte rasti i vetëm, pasi banorë të zonës na konfirmuan se janë shumë prindër, të cilët firmosin që fëmijët e tyre të përsërisin klasën, pasi nuk arrijnë të marrin njohuritë minimale.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img