BallinaAktualitetPo rikthehet çmimi ‘zyrtar’ i abonesë, pasagjerët dhe operatorët e transportit urban të pakënaqur

Po rikthehet çmimi ‘zyrtar’ i abonesë, pasagjerët dhe operatorët e transportit urban të pakënaqur

Prej muajsh, qytetarët që përdorin transportin publik në Tiranë raportojnë ndryshime të vazhdueshme në çmimin e abonesë. Prej muajit maj, kur u pezullua shitja e deri më tani, ende nuk është qartësuar se si do të vijojë përdorimi i abonesë dhe cili do të jetë çmimi fiks. Për një periudhe disamujore, qytetarët e blinin këtë abone me një çmim 600 lekë të reja, ndërsa për muajin tetor, ajo është shitur përgjithësisht me 1600 lekë edhe pse ka raportime se në pika të veçanta gjendej me 1200 apo 1300 lekë. Këto luhatje po çojnë, nga njëra anë në ofrimin e mangët të shërbimit publik dhe nga ana tjetër rrezikojnë falimentin e operatorve, siç konfirmojnë vetë këtë të fundit.

 

Ina Allkanjari

Qytetarët e Tiranës të cilët përdorin transportin publik, janë përballur këtë fillim tetori me çmime të ndryshme të abonesë së përgjithshme. Ndonëse në pjesën e përparme të saj çmimi është 1600 lekë të reja, prej disa muajsh ajo është shitur thuajse 3 fish më pak.

Ditët e fundit “Faktoje” konstatoi luhatjen e këtij çmimi, gjatë verifikimit në terren dhe bisedës me qytetarë. Në disa pika të ndryshme të aboneve rezulton që ato të jenë shitur përkatësisht me 1600, 1200 dhe 1300 lekë të reja. Disa qytetarë treguan për Faktoje se janë konfuzë lidhur me çmimin e abonesë, sepse shitës të ndryshëm ua kanë ofruar me çmime që luhaten.

“Nuk po i kuptojmë çmimet e abonesë, çdo ditë ndryshojnë, ditën e djeshme aboneja e përgjithshme ishtë 1200 lekë ndërsa sot është 1600 lekë. Kur e bleva u çudita se gjatë muajve të fundit e kam marrë me 600 lekë, por faturino më tha kemi marrë urdhër për çmimin, do jetë 1600 lekë. Nuk bëhet kështu, të paktën të na njoftojnë, të vendosin një çmim fiks jo një ditë ndryshe, ditën tjetër ndryshe. Disa qytetarë të tjerë në autobus më thanë mos e blej se pas dy ditësh do e gjesh me çmim më të ulët. Se këto i lëvizin çmimet sipas qefit, e shohin që nuk i shiten dhe ulin çmimin”- tregon për Faktoje një qytetare teksa priste autobusin e linjës së Unazës.

Stacioni i rrugës së Elbanasit, Tiranë 1 tetor 2021

Një 45-vjeçare përdoruese e përditshme e linjës “Uzina e Autotraktorëve”, tregon për Faktoje se nuk është e qartë se pse u vendos të rritej serish çmimi i abonesë, teksa thekson se kushtet e autobusëve janë të njëjta dhe çdo ditë përballet me vonesa dhe papastërti në autobusë.

“Unë jam e detyruar ta blej abonenë se përdor dy autobusë çdo ditë për të ikur në punë e për t’u kthyer, dhe nuk e përballoj dot pa abone. Mendoj se ky ndryshim i çmimit vjen pasi nuk dilnin me leverdi, se me 600 lekë lëviznim në të gjithë Tiranën, normalisht besoj se harxhimi i karburantit apo kosto të tjera i ka detyruar ta kthejnë abonenë me çmimin e plotë. Gjithsesi i pyeta pse u rrit çmimi, a do shtohet numri i autobuseve, a do jenë më të pastër, nuk flisnin. Ne prej kohesh nuk shohim asnjë ndryshim, autobusat vijojnë të vonohen, kushtet janë të tmerrshme.  Të paktën të na sqarojnë sa do jetë cmimi se diku më thanë se kushton 1300 lekë ndërkohë diku tjetër më thanë 1600 lekë”- shprehet 45-vjeçarja.

Një shitës ambulant në rrugën “Don Bosko”, pranë stacionit të Laprakës na tregon se abonetë e përgjithshme këtë të premte të 1 tetorit, janë shitur 1600 lekë, teksa thekson se prej këtij ndryshimi ka pasur ankesa të shumta nga qytetarët.

“Kam marrë në telefon furnitorin, e kam lajmëruar për situatën duke i thënë që kështu na prish punë edhe mua edhe vetes, nëse aboneja qëndron me këtë çmim. Qytetarët janë ankuar, por unë 1600 lekë e kam shitur”- shprehet shitësi ambulant.

Foto e një pike shitjeje abonesh në Tiranë, rruga e Elbasanit 1 Tetor 2021

Faktoje iu drejtua kreut të Shoqatës së Transportit Urban Qytetas, Rixhin Qoshja i cili u shpreh se aboneja e përgjithshme po shitet me çmimin aktual që ajo ka 1600 lekë, pasi operatorët po shkojnë në faliment nëse vazhdojnë me çmime të ulëta.

“Ka rreth dy ditë që ka filluar shitja e aboneve për muajin tetor me çmim 1600 lekë. Këtë muaj po shitet me 1600 lekë, për sa kohë blihet aq sa është çmimi, ashtu do të shitet. Arsyeja është se operatorët po shkojnë në faliment nëse vazhdojnë ashtu. Kostot janë të larta përballë çmimeve të abonesë që janë shitur përgjatë kësaj periudhe.  Vjen një moment që të gjithë e kuptojnë që financiarisht nuk mund ta vazhdojnë ashtu. Uroj dhe shpresoj të vazhdohet me cmimin normal të abonesë, nëse duhet të ofrohet shërbim i transportit publik në Tiranë, përndryshe nuk besoj se zgjat më shumë se një muaj shërbimi, sepse nuk ka asnjë mundësi financiarë për ta vazhduar”-u shpreh Rixhin Qoshja.

Aktualisht në Tiranë operojnë 16 linja urbane me shtrirje në të gjithë qytetin, të cilat mundësohen dhe menaxhohen nga 11 kompani private, të cilat, sipas raportimeve para se të shfaqej pandemia qarkullojnë rreth 200 mijë pasagjerë në ditë.

Kjo situatë problematike me shërbimin urban në Tiranë, prej kohësh është raportuar nga Faktoje gjatë monitorimit në terren, duke ngritur vazhdimisht shqetësimin se rregullat anti-Covid po neglizhohen në masë, dhe se kushtet janë po aq problematike sa edhe më parë.

Kujtojmë se në 30 maj nëpërmjet një njoftimi për media, Bashkia Tiranë deklaroi se muaji qeshor, korrik dhe gusht do të shërbejnë për studimin dhe analizimin e situatës së transportit urban, me qëllim ristrukturimin e linjave.

Madje me argumentin e përmirësimit të shërbimit urban në kryeqytet, Bashkia Tiranë vendosi në maj heqjen e aboneve të përgjithshme, duke penalizuar mijëra qytetarë, përdorues të saj.

Njoftimi i Bashkisë Tiranë, 31 maj 2021

Nisur nga kjo deklaratë, në përfudim të periudhës tre mujore të studimit, kur kishte nisur muaji shtator, Faktoje pyeti bashkinë se cilat ishin gjetjet e studimit, dhe cilat ishin linjat më problematike të transportit urban në Tiranë.

Përgjigja e Bashkisë Tiranë

Më 21 shtator, në redaksinë e Faktoje, mbërriti përgjigjja e Bashkisë Tiranë, e cila konfirmon se studimi është në proces dhe nuk ka përfunduar, ndaj është e pamundur vënia në dispozicion e tij.

Ndonëse më herët u lajmërua se ky proces verifikimi do të zgjaste për një periudhë tremujore dhe Bashkia Tiranë ka filluar të marrë masat e para kundrejt linjave të transportit publik, ende nuk është bërë transparent asnjë informacion rreth gjetjeve të këtij studimi.

 

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img