BallinaRajoni përmes faktevePandemia COVID-19 ka rritur ende më shumë trafikimin e qenieve njerëzore në RMV dhe Shqipëri

Pandemia COVID-19 ka rritur ende më shumë trafikimin e qenieve njerëzore në RMV dhe Shqipëri

SHEFKIJE ALASANI

Ndonëse pandemia globale COVID-19 bllokoi shumë procese në jetën normale, nga ana tjetër ndikoi në rritjen e mundësive për trafikim të qenieve njerëzore. Në raportin vjetor mbi trafikimin me njerëz të publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit theksohet se trafikantët shumë shpejt u përshtatën me situatën që krijoi pandemia dhe si pasojë u rrit numri i trafikimeve. Sipas raportit, një luftë e ashpër ndaj trafikimit në njerëz zhvillohet edhe në vendet e rajonit. Në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri kategoria më e rrezikuar nga ky fenomen janë gratë dhe fëmijët, shkruan Portalb.mk.


Hovin e trafikimit të njerëzve, në botë dhe rajon, nuk e ndaloi as pandemia me të cilën u përball i gjithë globi. Në raportin e DASH mbi trafikimin në njerëz u raportuan të dhëna shqetësuese për vitin që lamë pas.
“Pandemia COVID-19 është një krizë shëndetësore me pasoja të pashembullta për të drejtat e njeriut dhe zhvillimin ekonomik global, përfshirë këtu trafikimin e qenieve njerëzore. COVID-19 krijoi kushte për rritjen e numrit të njerëzve të cilët cenohen nga trafikimi i qenieve njerëzore dhe ndërpreu ndërhyrjet ekzistuese dhe të planifikuara antitrafik.

Qeveritë në të gjithë botën burimet e tyre i drejtuan drejt pandemisë, shpesh në kurriz të përpjekjeve antitrafik, duke rezultuar në uljen e masave të mbrojtjes dhe ofrimit të shërbimeve për viktimat, zvogëlimin e përpjekjeve parandaluese dhe pengesat për hetimet dhe ndjekjet penale të trafikantëve. Në të njëjtën kohë, trafikantët e qenieve njerëzore u adaptuan shpejt për të përfituar nga dobësitë e ekspozuara dhe të përkeqësuara nga pandemia”, thuhet në hyrje të raportit të DASH. Raporti është i bazuar në dy forma kryesore të trafikimit të personave: punën e detyruar apo skllavëri moderne si dhe trafikimin seksual. Në bazë të përpjekjeve në luftën antitrafik raporti i ndan vendet në tre nivele:
Vende e territore, qeveritë e të cilave përputhen plotësisht me standardet minimale të kërkuara.

  1. Vendet dhe territoret, qeveritë e të cilave nuk përputhen plotësisht me standardet minimale, por që po bëjnë përpjekje të konsiderueshme për të ardhur në përputhje me to.
  2. Vendet që nuk përputhen me standardet minimale dhe nuk po bëjnë përpjekje të konsiderueshme për një gjë të tillë. 

                           Kategorizimi i vendeve evropiane sipas raportit të DASH/ Burimi: state.gov

Bashkë me shumë vende të Evropës edhe vendet e rajonit të Ballkanit klasifikohen në nivelin e dytë, pra: Vende qeveritë e të cilave nuk përputhen plotësisht me standardet minimale, por që po bëjnë përpjekje të konsiderueshme për të ardhur në përputhje me to.

Maqedonia e Veriut në raportin e DASH mbi trafikimin e qenieve njerëzore

Raporti thekson se korrupsioni dhe bashkëpunimi zyrtar në krimet e trafikimit mbetën një shqetësim në Maqedoninë e Veriut. Në vitin 2018, Qeveria solli vendim për të uljen e burgimit, nga tetë vjet në pesë vjet, për zyrtarët e dënuar si bashkëpunëtorë me trafikantët. Vëzhguesit e raportit thanë se oficerë të rangut të ulët të policisë mund të jenë bashkëpunëtorë në trafikim, duke fshehur provat, duke marr ryshfet, ndryshimin e rrugëve të patrullimit për të përfituar autorët, largimin e autorëve para bastisjeve dhe / ose përfshirjen e drejtpërdrejtë në krimin e organizuar.

Siç është raportuar gjatë pesë viteve të fundit, trafikantët e qenieve njerëzore shfrytëzojnë viktimat vendase dhe të huaja në Maqedoninë e Veriut, dhe viktima nga Maqedonia e Veriut jashtë vendit. Gratë dhe vajzat në Maqedoninë e Veriut shfrytëzohen përmes trafikimit seksual dhe punës së detyruar brenda vendit në restorante, bare dhe klube nate. Trafikantët e seksit rekrutojnë viktima të huaja, zakonisht nga Evropa Lindore dhe Ballkani. Trafikantët shfrytëzojnë fëmijët Romë përmes lypjes së detyruar dhe trafikimit seksual brenda martesave të detyruara.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut nuk i përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit por po bën përpjekje të konsiderueshme për ta bërë këtë. Gjatë vitit të kaluar, Qeveria demonstroi rritje të përpjekjeve në luftën antitrafik. Përpjekjet që bëri vendi përfshijnë dënimin e më shumë trafikantëve dhe lëshimin e dënimeve të konsiderueshme. Vitin e kaluar, RMV-ja identifikoi më shumë viktima dhe rriti përpjekjet e përgjithshme parandaluese, të tilla si hartimi i Strategjisë Kombëtare 2021-2025. Plani Kombëtar i Veprimit dhe mbledhja e rregullt e organeve koordinuese për takimet virtuale.

“Sidoqoftë, qeveria nuk i përmbushi standardet minimale në disa fusha kryesore. Qeveria devijoi fondet për mbrojtjen e viktimave në luftën kundër pandemisë. Mungesa e fondeve rrezikoi ekzistencën ekipeve lëvizëse dhe operacionet në strehën për viktimat e trafikimit. Policia nuk kishte fonde dhe pajisje të përshtatshme për të kryer hetime proaktive, dhe Zyra e Prokurorisë së Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit nuk kishte burime të mjaftueshme, përfshirë stafin, për të trajtuar të gjitha çështjet nën juridiksionin e saj”, theksohet në raport.

Vitin e kaluar në RMV u dënuan nëntë trafikantë të cilët trafikonin fëmijë për punë seksuale dhe dy të tjerë të cilët fëmijët  trafikonin punë të detyruar dhe njëkohësisht për punë seksuale.

Nga ambasada e fëmijëve “Megjashi” në Shkup ngrenë alarmin se fëmijët janë kategoria më e rrezikuar nga trafikimi i qenieve njerëzore, madje situata është përkeqësuar nga viti 2015 si pasojë e lëvizjes së refugjatëve përmes vendit tonë.

“Trafikimi i qenieve njerëzore është gjithashtu një “biznes shumë fitimprurës” në të cilin fëmijët dhe të rinjtë në veçanti po bëhen gjithnjë e më shumë viktima. Duke pasur parasysh vendndodhjen gjeografike të Maqedonisë, fenomeni i trafikimit të qenieve njerëzore është i pranishëm, veçanërisht që nga fillimi i përdorimit të të ashtuquajturës “rruga Ballkanike” përmes së cilës nga viti 2015 tranzituan rreth një milion refugjatë dhe migrantë, kryesisht nga Lindja e Mesme, përfshirë një numër të madh të fëmijëve të pashoqëruar. Nga viti 2018 deri në 2020, në Evropë janë regjistruar më shumë se 18,000 fëmijë të huaj të pashoqëruar, të cilët janë në rrezik të shfrytëzohe nga trafikantët.”, thanë për Portalb.mk nga “Megjashi”.

Nga “Megjashi” vlerësojnë se “ekzistojnë disa praktika negative në sistemin aktual të RMV-së, duke përfshirë akomodimin e fëmijëve viktima të cilët janë shtetas të huaj në një qendër ku kushtet janë të papërshtatshme, ndërprerjen e shërbimeve të risocializimit dhe ri-integrimin pas moshës së rritur duke rezultuar në rivitalizim, paaftësi të viktimave për të ushtruar të drejtën e kërkimit pronësor si dëmtim dhe mbështetje të pamjaftueshme të familjeve të viktimave”.

Raporti i rekomandon qeverisë së RMV-së të hetojë me forcë, të ndjekë penalisht dhe të dënojë trafikantët, duke përfshirë zyrtarë bashkëpunëtorë, më shumë burime financiare dhe resurse njerëzore në luftën antitrafik, sigurimi ambiente të sigurta dhe të përshtatshme rehabilituese për viktimat dhe institucionalizimi i trajnimit të avancuar për gjyqtarët, prokurorët dhe zbatimin e ligjit për hetimet dhe ndjekjet penale të trafikimit.

Shqipëria në raportin e DASH mbi trafikimin e qenieve njerëzore

As Shqipëria fqinje nuk i përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit, por po bën përpjekje të konsiderueshme për ta bërë një gjë të tillë. Në raport theksohet se Qeveria shqiptare ka treguar përpjekje të përgjithshme në rritje, krahasuar me periudhën e mëparshme të raportimit, duke marrë parasysh ndikimin e pandemisë në kapacitetin e saj antitrafik dhe ndaj mbeti në nivelin e dytë. Këto përpjekje përfshinin ndjekjen penale të më shumë të pandehurve dhe rritjen e konsiderueshme të burimeve për strehat për viktimat, të cilat financohen nga qeveria.

Gjatë këtyre 5 viteve trafikantët e qenieve njerëzore në Shqipëri shfrytëzojnë viktimat e brendshëm dhe të huaj në Shqipëri si dhe jashtë saj. Gratë dhe fëmijët janë kategoritë më të rrezikuara nga trafikimi në Shqipëri.

“Ata shfrytëzojnë gratë dhe fëmijët shqiptarë për trafik seksual e punë të detyruar brenda vendit, veçanërisht gjatë sezonit turistik duke u bërë premtime të rreme të tilla si martesa ose oferta pune. Trafikantët zakonisht i detyrojnë fëmijët të lypin ose të kryejnë lloje të tjera të punës së detyruar, të tilla si shitja e sendeve të vogla. Ata shfrytëzojnë fëmijët shqiptarë, kryesisht nga komunitetet rome dhe të komunitetit egjiptian nga vende të ndryshme të Ballkanit, për punë sezonale dhe lypje të detyruar. Sipas disa njoftimesh të izoluara trafikantët i shfrytëzojnë fëmijët përmes punës së detyruar në fushat e kanabisit në Shqipëri dhe disa trafikantë ka të ngjarë të jenë të përfshirë në trafikun e drogës. Trafikantët i shfrytëzojnë viktimat shqiptare për trafikim seksual në vendet anembanë Evropës. Viktimat e huaja nga vendet evropiane, Gambia dhe Filipinet shfrytëzohen për trafikimin seksual dhe punë të detyruar në Shqipëri. Migrantët e Lindjes së Mesme, Azisë Qendrore dhe Afrikane kalojnë nëpër Shqipëri për të arritur në Evropën Perëndimore janë të prekshëm nga trafikimi, veçanërisht fëmijët e pashoqëruar”, theksohet në raport.

Në luftën antitrafik Shqipëria ka një Plan kombëtar veprimi dhe ka ndarë një fond prej 4.87 milionë dollarësh për zbatimin e tij. Komiteti Shtetëror kundër Trafikimit të Personave monitoron dhe zbaton përpjekje të ndryshme antitrafik.

Raporti mbi trafikun e qenieve njerëzore për vitin 2021 pasqyron përpjekjet e rreth 190 vendeve, ndaj trafikut seksual dhe asaj që njihet si skllavëria moderne.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img