SHEFKIJE ALASANI

Në mbledhjen e përbashkët qeveritare mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, krerët e dy vendeve fqinjë u zotuan se do të bashkëpunojnë në ndërtimin “Rrugës e Arbërit”. Zhvillimi infrastrukturor i kësaj rruge do të sjellë përfitime të mëdha për ekonominë e dy vendeve dhe mundëson qasje të shpejtë dhe të sigurt të RMV-së në portet e bregdetit të shtetit fqinj. Megjithatë, përderisa në Shqipëri punimet në rrugën e “Arbërit” shkojnë drejt përfundimit, në Maqedoninë e Veriut kanë filluar planifikimet.

“Do ndërmarrim përsipër harmonizimin me Maqedoninë për Rrugën e Arbërit. Segmenti Bulqizë-Bllatë ka përfunduar. Kjo rrugë do sjellë përfitime të mëdha për ekonominë e dy vendeve. Do mundësojë daljen e Maqedonisë në portet tona. Jemi besimplotë se kuptimi i rëndësisë strategjike të këtij aksi është i plotë dhe nga ana juaj dhe në këndvështrimin e mesazhit për forcimin e themeleve të bashkëjetesës mes shqiptarëve dhe maqedonasve është themelor. Por kjo nuk mund të konceptohet pa modernizimin e rrugëve”, deklaroi kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, në mbledhjen e përbashkët më 15 dhjetor 2017.

Por, Maqedonia e Veriut akoma nuk ka qasje të shpejtë dhe të sigurt në portet e bregdetit të shtetit fqinj, madje eksport-importet me Shqipërinë vazhdojnë të mbetet më të ulëta krahasuar me vendet tjera të rajonit. Një nga arsyet është mos-ndërtimi i rrugës së Arbërit dhe atë në pjesën më të madhe që i takon Maqedonisë. 

Vazhdimi i rrugës së “Arbërit” në territorin e Maqedonisë së Veriut duhet të fillojë nga kufiri shtetëror në Gjoricë, ku kalohet nga Shqipëria në Maqedoni, përmes luginës së Drinit në vendin e quajtur Zatarajca, poshtë urës së vjetër me harqe të Spiles, e cila është mbuluar nga diga e hidrocentralit të Dibrës së Madhe. Pasi kalon kodrat e Kojnares, rruga vazhdon për në qytetin e Dibrës. Nga Dibra në drejtim të Gostivarit rruga kalon nëpër grykën e ngushtë të Radikës, duke vazhduar më tej në drejtim të Gostivarit, Tetovës e Shkupit. Distanca nga Dibra deri në Gostivar është 65 kilometra, e nga Gostivari deri në Tetovë 25 kilometra, kurse nga Tetova në Shkup 45 kilometra. Kështu kjo rrugë do të shkurtonte ndjeshëm distancën Shkup-Tiranë dhe distanca totale do te jetë rreth 210 kilometra.

NP “Rrugët Shtetërore” të Maqedonisë: 19 kilometra për 2 vite

Nga Ndërmarrja Publike “Rrugët Shtetërore” thanë për Portalb.mk se kanë filluar aktivitetet në harmonizimin e bashkëpunimit e zhvillimit infrastrukturor në rrugën e “Arbërit”. Sipas tyre, është shpallur prokurimi për ndërtimin e rrugës rajonale R2246 – 19 kilometra e cila e lidh Dibrën dhe KërçovënPunimet pritet të mbarojnë në vitin 2023.

“Në përputhje me Planin e Prokurimit Publik të Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore për vitin 2021, u shpall prokurimi publik për zgjedhjen e ofertës më të mirë për ndërtimin e rrugës rajonale R2246 që fillon nga Izvor-i (ku bëhet kryqëzimi me rrugën A2) deri te Garski Most, në gjatësi prej 19 kilometrave. Me këtë do të zvogëlohet kohëzgjatja e rrugëtimit mes Kërçovës dhe Dibrës. Ne presim që ky projekt të realizohet deri në fund të vitit 2023″, thanë nga NP “Rrugët Shtetërore”.

Rehabilitimi i rrugës rajonale R1202/ Burimi: roads.org.mk

Rruga “Arbërit” në Shqipëri pritet të përfundojë në vitin 2022

Zonat e Shqipërisë nëpër të cilat kalon rruga janë: Tiranë, Zalldajt, Murizë, Guri i Bardhë, Ura e Vashës, Plani i Bardhë, Bulqizë, Ura e Çerenecit, Gjoricë dhe Dibër.

Ndërtimet në “Rrugën e Arbërit” filluan në qershor të vitit 2018. Sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të Shqipërisë, Rruga e Arbërit, është një vepër infrastrukturore që do të kushtojë rreth 240 milionë euro, ku shteti shqiptar do të marrë përsipër të likuidojë kontraktorin brenda një periudhe 13 vjeçare.

“Rruga e Arbërit” në anën e Shqipërisë pritet të jetë gati në prill të vitit 2022.

Punimet janë realizuar për gjatësinë totale 27 km nga 54 km që është gjatësia e projektit në trupin bazë. Përfundimi total, sipas kontratës është në Prill 2022, sipas ecurisë së faktit pritshmëritë dhe mundësitë janë edhe më herët se ky afat”, kanë bërë të ditur për Faktoje.al nga Ministria  e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Rruga e Arbërit 5 mars 2021

Infrastruktura rrugore mban peng zhvillimin e ekonomik

Në Katalogun vjetor të Odës Ekonomike Veri-Perëndimore (OEMVP) së theksohet se në përgjithësi, Republika e Shqipërisë nuk paraqet një partner të rëndësishëm për Maqedoninë, duke zënë vendin e 18-të në eksporte dhe vendin e 26-të në importin e mallrave dhe shërbimeve në vitin e fundit të analizuar 2019.

“Gjegjësisht, e llogaritur si pjesë e vlerës së përgjithshme të eksporteve dhe importeve të realizuara për tre vitet e fundit, pjesëmarrja e Republikës së Shqipërisë nuk kalon 1% që është një tregues nga njëra anë për ekzistencën e një niveli të ulët të shkëmbimit tregtar, por nga ana tjetër tregon që ka hapësirë të konsiderueshme për përmirësimin e bashkëpunimit aktual midis kompanive”. thonë nga OEMVP.


Në perëndim të Maqedonisë së Veriut, ka një ngecje të madhe në zhvillimin e infrastrukturës rrugore. Sipas OEMVP, kushtet e këtilla rrugore bëjnë që vendi jonë të humbas shumë në zhvillimin ekonomik.

“Pjesa perëndimore e Maqedonisë së Veriut, dihet se ka problematikë të theksuar për sa i përket infrastrukturës sidomos kur bëhet fjalë për ndërlridhje me Republikën e Shqipërisë. Kjo i kushton shumë vendit tonë për shkak se kjo gjendje e infrastrukturës, nuk stimulon biznesin në këto vise, destimulon eksportin duke ia vështirësuar qasjen në tregjet e shteteve përreth, por që një ashtu e bën më të vështirë edhe importin duke ia rritur kostot produkteve dhe shërbimeve të cilat vijnë nga Shqipëria dhe shtetet tjera”, deklaroi Durim Zekiri nga OEMVP.

Nga OEMVP thonë se infrastruktura rrugore në këtë pjesë të vendit është jetike për stimulimin e zhvillimit ekonomik të vendit.

“Vlerësojmë se hapja e pikës kufitarë do të ishte një hap i madh drejt përmirësimit të kushteve për të bërë biznes dhe zhvillim ekonomik në ato rajone, dhe se do të ndikonte pozitivisht edhe në përmirësimin e performancës ekonomike sidomos të regjionit të Pollogut dhe regjionit Jug-Perëndimorë, duke i dhënë qasje direkte në tregun e Shqipërisë. Ajo që i duhet biznesit është lehtësim i transportit rrugor për mallra, shërbime dhe njerëz, me qëllim të qarkullimit më të shpejtë dhe efikas, duke i tkurrur kostot logjistike e me çka edhe duke ndikuar në çmimet e përgjithshme të produkteve që prodhohen në vend por edhe që importohen nga Shqipëria”, theksoi Durim Zekiri nga OEMVP.