BallinaTë pambajturaRindërtimi në Vorë, proces i vonuar dhe mungesë transparence

Rindërtimi në Vorë, proces i vonuar dhe mungesë transparence

Në bashkinë Vorë, një nga zonat më të prekura nga dëmet e tërmetit të 26 nëntorit 2019, u premtua pastrimi nga të gjitha inertet dhe ndërtimi i 404 apartamenteve të reja, vetëm në zonën e qytetit. Nga një verifikim në fillim të korrikut rezulton se shumë ndërtesa të dëmtuara rëndë ende s’janë shembur, ka ende zona me inerte të papastruara dhe ndërtimi i banesave kolektive është shumë i vonuar. Ndërkohë në kantierin e ndërtimit të tyre mungon tabela informuese edhe pse ky është një detyrim ligjor.


“Në Vorë, këtu në qytet kemi 404 apartamente në banesa kolektive që do të ndërtohen dhe do nisin në 10 ditëshin e parë të tetorit” – deklaroi ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj gjatë inspektimit të zonës së bashku me kryeministrin Rama në fillimtë shtatorit 2020.

Në fillim të këtij viti kryeministri Edi Rama dhe ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj ishin sërish në Vorë, ku ende nuk kishte nisur ndërtimi i banesave kolektive, edhe pse zotimi ishte për në fillim të tetorit 2020.

“Jemi sërish në Bashkinë e Vorës, kjo është zona ku do të ketë punë për infrastrukturën dhe ndërtimin e 8 pallateve, për 107 familje. Puna për infrastrukturën ka nisur sot, ndërkohë loti i pallateve tashmë është prokuruar pra është mbyllur.”- u shpreh Ahmetaj.

Në muajin prill 2021, Faktoje iu drejtua me një kërkesë të detajuar për informacion Bashkisë Vorë ku ndër të tjera pyeti se sa banesa kolektive po ndërtoheshin në territorin e saj.

                      Kërkesë për informacion drejtuar Bashkisë Vorë, 6 prill 2021

Pas kalimit të afateve që parashikon ligji “Për të drejtën e informimit” Faktoje e ankimoi mosdhënien e informacionit nga Bashkia Vorë, në Zyrën e Koordinatorit për të Drejtën e Informimit.

Ankimim te Komisioneri për të Drejtën e Informimit, 11 maj 2021

Pas ankimimit, Faktoje mori këtë përgjigje nga Bashkia Vorë mbi procesin e rindërtimit të banesave kolektive:

“Numri i banesave kolektive që po ndërtohen në bashkinë Vorë janë 5 (pallate), dhe në total janë 11 pallate që do ndërtohen.

Në Bashkinë Vorë/qendër janë 19 pallatë të cilat kanë dalë jashtë funksionit nga termeti i 26 nëntorit, kurse 5 prej tyre ende nuk janë shembur.”

Faktoje në mesin e muajit qershor i ishte drejtuar me një kërkesë për informacion, Fondit Shqiptar të Zhvillimit për numrin e banesave kolektive që do të rindërtohen në bashkitë të cilat janë dëmtuar nga termeti i 26 nëntorit.

“Për banesat kolektive që do të ndërtohen, gjeni në vijim informacionin e përmbledhur sipas Bashkive. Theksojmë se, edhe ky informacion është i përafërt në vlera dhe subjekt i ndryshimit në varësi të kërkesave nga Njësitë Vendore. Bashkia Vorë në total ka 30 banesa kolektive.”-thuhet ndër të tjera në përgjigjen e FSHZH, njësi zbatuese në procesin e rindërtimit.

Përgjigje e FSHZH, 29 qershor, 2021

Pas përgjigjeve nga Bashkia Vorë dhe FSHZH, Faktoje bëri një verifikim në terren në javën e parë të korrikut, për ecurinë e procesit të rindërtimit në Vorë qytet.

Gjëja e parë që na ra në sy, ishin pallate të dëmtuar dhe ende të pashembura dhe prania e inerteve nga shembja e ndërtesave të dëmtuara nga tërmeti i 26 nënëtorit 2019. Edhe pse ka kaluar më shumë se një vit e gjysmë nga fatkeqësia natyrore shumica e pallateve në bashkinë Vorë (përfshirë edhe njësitë administrative)  nuk janë shembur, gjë që e ka konfirmuar më herët edhe kryetari në detyrë i bashkisë.

“Në Vorë janë për t’u shembur 19 pallate. Bashkia Vorë ka dy zona zhvillimore, Vorën dhe Marikaj dhe për to janë bërë dy dëgjesa gjatë muajit shkurt” – ka deklaruar ai.

              Pallate të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe ende të pashembura, 7 korrik 2021

                  Pallate të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 ende të pashembura, 7 korrik 2021

       Pallate të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 ende të pashembura, Vorë 7 korrik 2021

                  Inerte nga ndërtesat e shembura pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, Vorë 7 korrik 2021

Situata me praninë e interteve ishte e njëjtë më atë të para 3 muajve kur Faktoje bëri verifikimin në të njëjtën zonë.

Inerte nga ndërtesat e shembura pas tërmetit të 26 nëntorit 2019

Pas këtij vëzhgimi shkuam në kantierin e ndërtimit të banesave kolektive, puna për të cilat nisi rreth 6 muaj pas afatit të premtuar nga qeveria.

Kantier ndërtimi për banesat kolektive në Bashkinë Vorë, 7 korrik 2021

Kantier ndërtimi për banesat kolektive në Bashkinë Vorë, 7 korrik 2021

Kantier ndërtimi për banesat kolektive në Bashkinë Vorë, 7 korrik 2021

     Kantier rindërtimi për banesat kolektive në Bashkinë Vorë, 7 korrik  2021

Nga vëzhgimi në terren konstatuam se procesi i rindërtimit të banesave kolektive, do ende punë për të përfunduar. Ndërkohë në kantier mungonte tabela informuese për afatin, vlerën e projektit dhe hollësi të tjera, publikimi i të cilave është një detyrim ligjor.

Kur vjen fjala tek transparenca për procesin e rindërtimit, ajo mungon edhe në nivel qendror. Fondi i rindërtimit që qeveria ka planifikuar për këtë vit është 28 miliardë lekë, nga 62 miliardë që është totali për periudhën trevjeçare (2020-2022). Deri në maj të këtij viti, sipas të dhënave zyrtare, është disbursuar rreth 33% e kësaj shume. Konkretisht, në periudhën janar-maj të vitit 2021 janë përdorur 9,169 miliardë lekë nga fondi i rindërtimit, por nuk ka të dhëna konkrete se për cilat projekte kanë shkuar këto para.

Lexo edhe: Buxheti i mistershëm dhe kaosi me kostot e rindërtimit

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img