BallinaPertejNumri i lindjeve u ul më shumë kur goditi COVID-19, por është koha të mos shqetësohemi për numrat

Numri i lindjeve u ul më shumë kur goditi COVID-19, por është koha të mos shqetësohemi për numrat

Pandemia dhe ndikimi i saj në zgjedhjet riprodhuese të njerëzve  goditi kur nivelet e lindshmërisë ishin tashmë shumë të ulëta në të gjithë Evropën. Në Evropën Lindore, emigracioni masiv i ka shtuar problemet: njerëzit jo vetëm që kanë më pak fëmijë, por ata në grupe lënë vendet e tyre për të gjetur mundësi më të mira diku tjetër. Si rezultat, popullatat janë zvogëluar.

Por për Alanna Armitage, Drejtore e Zyrës Rajonale të UNFPA për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore, fokusi duhet të jetë tek njerëzit, tek krijimi i mundesive që ata të zgjedhin të jetojnë dhe të krijojnë familje në vendet e tyre dhe dhe jo tek numrat.


Nga Alanna Armitage, Drejtore e Zyrës Rajonale të UNFPA për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore

“Përqendrimi tek norma e lindjeve humb thelbin. Ajo që ka rëndësi është ndërtimi i një vendi ku njerëzit duan të qëndrojnë, të jetojnë dhe të krijojnë familje.” – shkruan Alanna Armitage sot në Ditën Botërore të Popullsisë.

Pandemia COVID-19 mund të ketë përshpejtuar, të paktën përkohësisht, trendin global drejt niveleve më të ulëta të lindshmërisë. Statistikat në fund të vitit 2020 – nëntë muaj pas fillimit të karantinimeve të para – tregojnë një rënie të ndjeshme të numrit të lindjeve në shumë vende evropiane.

Lajmet në lidhje me një “bum fëmijësh” COVID-19 kanë nxitur ankthin në disa vende. Pandemia  dhe ndikimi i saj në zgjedhjet riprodhuese të njerëzve goditi kur nivelet e lindshmërisë ishin tashmë shumë të ulëta në të gjithë Evropën. Në Evropën Lindore, emigracioni masiv i ka shtuar problemet: njerëzit jo vetëm që kanë më pak fëmijë, por ata në grupe lënë vendet e tyre për të gjetur mundësi më të mira diku tjetër. Si rezultat, popullatat janë zvogëluar. Që nga vitet 1990, Bullgaria apo Letonia, për të përmendur vetëm dy, kanë humbur një të katërtën e popullsisë së tyre.

Ne nuk e dimë nëse nivelet e lindjeve do të rikthehen pas pandemisë. Historikisht, krizat e mëdha kanë çuar në rënie të niveleve të lindshmërisë, por, përgjithësisht, janë pasuar nga një rritje. Të dhënat e mbledhura nga Tomas Sobotka, një demograf ekspert, tregojnë se nivelet e lindjeve në Evropë janë vërtet me shenja të rritjes në muajt e fundit. Nëse vazhdon apo jo kjo prirje do të varet nga sa i qëndrueshëm do të jetë ndikimi social dhe ekonomik i pandemisë.

Një grua që po ushqen fëmijën e saj me gji gjatë një censusi demografik në fshatin Vizbegovo afër Shkupit, Maqedoni e Veriut, 3 mars 2021. Foto: EPA-EFE/GEORGI LICOVSKI

Sidoqoftë, përqendrimi tek norma e lindjeve humb thelbin kryesor. Në vend që të shqetësohemi për ngritjet dhe uljet e numrit të popullsisë, është koha të pranojmë se fertiliteti i ulët ka shumë të ngjarë të qëndrojë kështu. Dhe është koha të pranojmë atë që duhet bërë për të përgatitur ekonomitë dhe shoqëritë tona për këtë të ardhme demografike të pashmangshme.

Ky nuk është një ndryshim i lehtë. Njohuritë e përgjithshme tregojnë se nivelet e larta të lindjeve dhe rritja e popullsisë janë të dëshirueshme për vendet, shenja këto të pasurisë dhe fuqisë kombëtare. Jemi mësuar të mendojmë në këtë mënyrë. Dhe është e vërtetë që ekonomitë mund të tkurren, në terma absolutë, kur bie numri i popullsisë.

Por kjo nuk do të thotë që njerëzit do të bëhen më të varfër. Prosperiteti për frymë mund të rritet, ndërsa fuqia punëtore bëhet më e vogël, pagat ka të ngjarë të rriten dhe automatizimi në rritje ngre produktivitetin. Popullsitë më të vogla në numër janë gjithashtu të mira për planetin, pasi më pak njerëz do të thotë më pak konsum, më pak presion mbi burimet e pakta dhe më pak ndotje.

Kalimi nga rritja e popullsisë në uljen e popullsisë është sfiduese, siç po e dëshmojnë shumë vende, veçanërisht ato në Evropën Lindore. Shoqëritë po mplaken me shpejtësi, ka më pak njerëz në moshë pune për të siguruar një numër gjithnjë në rritje të të moshuarve dhe zonat rurale po përballen me shpopullim, ndërsa njerëzit lëvizin drejt qyteteve më të mëdha ose jashtë vendit për të gjetur mundësi më të mira. Sistemet sociale po vihen nën presion dhe është e kushtueshme të mirëmbahet infrastruktura dhe shërbimet në rajone më pak të populluara.

Fëmijë duke luajtur në një qendër tregtare në Pekin, Kinë, 1 qershor 2021. Foto: EPA-EFE/WU HONG

Por këto sfida janë të menaxhueshme. Jo vetëm kaq, ato hapin mundësi për risi që mund t’i katapultojnë vendet drejt një të ardhme më të zhvilluar. Vende si Kluzh në Rumani apo Beogradi në Serbi po shfaqen si qendra kryesore për industrinë e teknologjisë, duke tërhequr talente nga brenda vendit dhe nga jashtë. Në të gjithë Evropën Lindore, emigrantët janë kthyer në shtëpi për shkak të pandemisë, duke sjellë me vete aftësi, njohuri dhe kontakte të vlefshme. Qeveritë po eksperimentojnë me mënyra të ndryshme për të shfrytëzuar kontributin kryesor që të moshuarit mund të japin dhe për t’i integruar më mirë në ekonomi dhe shoqëri; për të hapur tregjet e punës dhe jetën publike më gjerësisht – ndaj grave, pakicave dhe grupeve të tjera të margjinalizuara – duke përdorur burime të deritanishme të nën-shfrytëzuara. Madje flitet për emigracionin – një temë tabu në pjesën më të madhe të Evropës Lindore -për një kohë të gjatë. E gjithë kjo kontribuon për t’i bërë vendet më të afta për të trajtuar sfidat demografike.

A do të thotë kjo se normat e lindjeve nuk kanë aspak rëndësi? Jo tërësisht. Ato kanë rëndësi, sepse tregojnë një histori të të drejtave të mohuara të riprodhimit. Njerëzit në të gjithë Evropën në përgjithësi thonë se duan dy fëmijë, por shumë përfundojnë të kenë një ose aspak. Ky hendek midis lindshmërisë së dëshiruar dhe asaj aktuale është ajo ku duhet të përqendrohen qeveritë – jo me synimin për të rritur numrin e popullsisë, por për të ndihmuar njerëzit të realizojnë të drejtat e tyre riprodhuese, në mënyrë që ata të kenë numrin e fëmijëve që dëshirojnë.

Fëmijë të pastrehë duke pastruar gjatë zhvillimit të një censusi demografik në fshatin Vizbegovo afër Shkupit, Maqedoni e Veriut, 3 mars 2021. Foto: EPA-EFE/GEORGI LICOVSKI

Kjo kërkon heqjen e shumë pengesave me të cilat përballen njerëzit kur krijojnë një familje: pasiguritë ekonomike, kostoja e lartë e strehimit, infertiliteti në rritje, mungesa e kujdesit për fëmijët dhe pritja që gratë të bëjnë kompromis me karrierën e tyre dhe të mbajnë vetëm barrën e kujdesit në familje.

Nëse arrihet që të krijohen shoqëri më miqësore ndaj familjes, me mundësi më të barabarta për gratë dhe burrat, atëherë kjo mund të çojë në nivele më të larta lindjesh, pasi njerëzit do të ndjehen më të sigurt për të pasur një familje dhe numrin e fëmijëve që dëshirojnë. Por kjo nuk është e garantuar, siç tregon shembulli i rënies së nivelit të lindjeve në Skandinavinë miqësore me familjen. As nuk duhet të jetë kjo që motivon shtytjen drejt politikave miqësore për familjen. Masat e nevojshme për t’u siguruar që njerëzit të kenë numrin e fëmijëve që duan, duhet të kenë vlerë në vetvete, duke përmirësuar mirëqenien e njerëzve dhe duke realizuar potencialin e zhvillimit të vendeve.

Në UNFPA, Fondi i Popullsisë i Kombeve të Bashkuara, ne e kuptojmë rëndësinë e ndryshimeve demografike në formësimin e së ardhmes së vendeve. Ne mbështesim vendet në forcimin e rezistencës së tyre demografike dhe në shfrytëzimin më të mirë të mundësive që kanë.

Sa më shpejt të pranojmë që zgjidhja e problemeve demografike të Evropës nuk qëndron në rritjen e nivelit të lindjeve, aq më shpejt do të jemi në gjendje të përqendrohemi në atë që ka vërtet rëndësi për adresimin e krizës së perceptuar të popullsisë në kontinent: aftësia jonë për të ndërtuar vende ku njerëzit duan të qëndrojnë, të jetojnë dhe të krijojnë familje.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img