BallinaProjekteForcimi i gazetarisë fact-checking‘Ngritja’ e bujqësisë në rënie të lirë, në 2021 pati vetëm 0.28% rritje

‘Ngritja’ e bujqësisë në rënie të lirë, në 2021 pati vetëm 0.28% rritje

Pavarësisht propagandës së qeverisë për subvencionimin e bujqësisë, shifrat e INSTAT tregojnë se në 2021, ajo pati rritjen më të ulët ndër vite, me vetëm 0.28%. Sipas ekspertëve, një sektor ku rezulton e punësuar gati gjysma e popullsisë, ose 44%, po gënjehet me ‘thërrime’ nga qeveria dhe po na shndërron në shoqëri konsumatore të produkteve të vendeve fqinje.

————————————————-

Në prill të këtij viti, ministrja e Bujqësisë, Frida Krifca deklaroi se fermerët dhe peshkatarët kanë pasur një vëmendje të shtuar nga qeveria.

“Fermerëve dhe peshkatarëve u jemi gjendur pranë në mbështetje të drejtpërdrejtë me buxhetin më të madh të vënë në dispozicion ndonjëherë në bujqësi. Jemi me 3.7 miliardë lekë. Nuk janë dhënë kurrë në vit nga buxheti i shtetit në 30 vite demokraci kaq mbështetje për bujqësinë”, tha ajo.

Mirëpo ministrja e Financave Delina Ibrahimaj gjatë një konferencë po në muajin prill, duke folur për rritjen ekonomike gjatë vitit që lamë pas, nuk e përmendi sektorin e bujqësisë.

“Ekonomia shqiptare u rrit me 8.54 % në vitin 2021, e mbështetur nga politikat fiskale të ndërmarra nga qeveria, rritja e investimeve dhe konsumi”, tha Brahimaj. .

Ajo bëri me dije se sektorët që kishin pësuar rritjen më të madhe, janë ndërtimi me 1.75 pikë përqindje, tregtia me 1.66 p.p dhe Industria me 1.48 p.p.

Bujqësia, një prej sektorëve që sipas të dhënave të Monitor punëson 44% të popullsisë nuk u përmend në asnjë moment nga ministrja e Financave si një “histori suksesi”.

“INSTAT raportoi se gjatë vitit 2021 ishin të punësuar në të gjithë vendin 1,248,749 persona, sipas të dhënave që u grumbulluan nga Anketa e Forcave të punës, por gati gjysma e tyre, 44 për qind ishin të punësuar në sektorin bujqësor, pyjeve dhe peshkimit”, shkruante Monitor në një artikull që mban datën 31 maj 2022.

Por, si ka qenë trendi i rritjes së bujqësisë, si një prej sektorëve kryesore në vendin tonë?

Faktoje iu referua të dhënave të INSTAT ndër vite, ku rezulton se në 2021-n, Bujqësia është rritur vetëm me 0.28%, ndërsa në 2020 kjo rritje ishte në shifrat e 1.35%. Po të vëmë re tabelën e mëposhtme, të përpunuar nga Faktoje për periudhën 2014-2022 rezulton se viti më i suksesshëm për bujqësisë ka qenë 2010 ku rritja e këtij sektori ishte 7.65%. Ndërkohë, po sipas këtyre të dhënave, gjatë të njëjtës periudhë kohore, në vitin 2021, Bujqësia ka pasur ritmet më të ulëta të rritjes.

Tabela e përpunuar nga Faktoje, referuar të dhënave të INSTAT

Ndërkohë, ekspertët e ekonomisë bëjnë të ditur se bujqësia në Shqipëri jep 20% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, GDP.

“Po jap disa statistika, të cilat janë zyrtare, bujqësia në Shqipëri jep 20% të prodhimit, të GDP-së. Ne na jep bujqësia 20%, ndërsa ne si shoqëri i japim bujqësisë vetëm 0.05 të GDP-së”, argumentoi eksperti Adriatik Lapaj.

I pyetur nga Faktoje në lidhje me këtë nivel “rritjeje” të Bujqësisë, eksperti Ervin Resuli thekson:

“Bujqësia për 2021 vazhdoi trendin rënës, 0.28% është një normë shumë e vogël për ne, pasi nuk jemi GDP e Gjermanisë apo SHBA që lëvizim me shifra me presje dhjetore. Fakti që bujqësia dhe blegtoria punëson 40% të popullsisë së aftë për punë, po ashtu mbetet një motor për ekonominë tonë dhe po ashtu rrit mundësitë duke ndihmuar edhe turizmin, duke ofruar kulinari të pasur dhe çmime të leverdisshme. Këto dy fusha janë që gjenerojnë më shumë para në vendin tonë dhe shkojnë në sinkron me njëra-tjetrën.”, thekson Resuli.

Më tej ai renditit edhe arsyet që sipas tij kanë ndikuar në këtë nivel për sektorin e Bujqësisë.

“Përtej propagandës, rënia në bujqësi vazhdon, pasi nisma mbështetëse mbetet në kuotat e ‘thërrimeve’ duke e krahasuar me rajonin. Rasti konkret është Kosova, e cila jep nga buxheti i shtetit drejtpërsëdrejti 50 milionë euro, mbështetje direkt tek fermeri.

Ndërsa Shqipëria mbështet vetëm me 26.4 milionë euro rreth 80 mijë fermërë, një shifër e vogël, e cila nuk shkon e gjitha në dorën e fermerit. Eksperienca e vendeve të Ballkanit ka treguar se rritja e mbështetjes direkte tek fermeri shton mundësinë që bujqësia apo blegtoria të jetë konkurruese, të tërheqë investime apo të tregojë interesin e të rinjve që duhet t’i shërbejnë fshatit.

Braktisja e të rinjve dhe ulja e fuqisë punëtore dhe mosqenia fitimprurës bëjnë sot që bujqësia dhe blegtoria jenë në rënie të lirë, e cila na kthen në shoqëri konsumatore të produkteve të rajonit!”, shprehet eksperti i Bujqësisë, Ervin Resuli.

Në shkurt të 2022, Faktoje raporti mbi problemin që po hasnin fermerët për shkak të shtrenjtimit të kostove, ndërsa mbijetesa e tyre financiare po bëhej gjithnjë e më e vështirë.

*Foto kryesore marrë në web 

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img