BallinaProjekteForcimi i gazetarisë fact-checkingInflacioni nisi të rritej që në 2021, ndryshe nga ç’deklaron ministrja e Financave

Inflacioni nisi të rritej që në 2021, ndryshe nga ç’deklaron ministrja e Financave

Inflacioni në vend ka arritur në nivele rekord dhe grupi që ndikoi në inflacion në muajt e parë të këtij viti ishte kategoria e ushqimeve. Nga të dhënat e INSTAT vihet re se rritja e inflacionit ka nisur që prej muajit nëntor të vitit 2021, ndërsa në muajt dhjetor 2021 dhe janar 2022, inflacioni ka qenë në të njëjtat nivele, 3.7%. Ndërkohë, institucionet zyrtare shprehen se nuk pritet ulje e çmimeve të paktën deri në vitin 2023.

————————————————————————

“Në vitin 2021, inflacioni nuk ishte rritur. Inflacioni ka filluar të rritet nga janari i këtij viti. Brenda vitit 2021, ne kemi qenë brenda targetit të Bankës së Shqipërisë, madje nën targetin e Bankës së Shqipërisë. Inflacioni u rrit në janar me 3.7%, në shkurt me 3.9%, në mars me 5.7% dhe në prill me 6.2%”, deklaroi ministrja e Financave Delina Ibrahimaj në fjalën e mbajtur në Kuvend më 12 maj.

Faktoje vendosi të bëjë një verifikim, duke iu referuar të dhënave të INSTAT, për të parë si ka ndryshuar inflacioni në muajt e parë të këtij viti dhe sa përputhet me shifrat e deklaruara nga ministrja Ibrahimaj.

Tabela e Institutit të Statistikave tregon se në janar 2022 inflacioni ishte 3.7%, në shkurt 3.9%, në mars 5.7% dhe në prill 6.2%. Të dhënat e raportuara nga ministrja përputhen me ato të institucioneve zyrtare, por vihet re se inflacioni ka nisur të rritet që në fund të vitit 2021.

Screenshot nga të dhënat e INSTAT

Po të shohim të dhënat e INSTAT rezulton se ka pasur një rritje të inflacionit që në muajin nëntor të vitit 2021, duke kapur shifrën 3.1%. Ndërsa, në muajin dhjetor të vitit 2021, shihet se inflacioni është në të njëjtat nivele si ai i janarit të këtij viti, saktësisht 3.7%.

“Ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Dhjetor 2021 është 3,7 %, një vit më parë ky ndryshim ishte 1,1 %. Ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Dhjetor 2021, krahasuar me Nëntor 2021 është 0,8 %. Rritja mesatare vjetore e çmimeve në vitin 2021 është 2,0 % nga 1,6 % që ishte në vitin 2020”, theksohet në raportin zyrtar të Institutit të Statistikave.

Screenshot nga të dhënat e INSTAT

Inflacioni ka kapur shifrat më të larta në 20 vite, pasi në muajin maj ka arritur në nivelin e 6.7%. Raportohet se grupet kryesore që ndikuan në inflacionin e muajit maj janë ushqimet, ndjekur nga transporti dhe më pas vjen grupi i qirasë, lëndëve djegëse dhe energjisë.

Screenshot nga faqja e INSTAT

Në një intervistë televizive, ministrja e Shtetit për Standardet dhe Shërbimet, Milva Ekonomi u shpreh se nuk pritet ulje e çmimeve të paktën deri në vitin 2023.

“Është një nivel i lartë, por duhet të kemi parasysh që ky është një inflacion i importuar, si pasojë e tregjeve ndërkombëtare. Edhe në vende të tjera të rajonit apo në Europë, presioni inflacionist është prezent. Edhe në Amerikë diskutohet se vjen nga lufta në Ukrainë. Në mënyrë të vazhdueshme, Banka e Shqipërisë prodhon parashikime lidhur me inflacionin. Parashikimi më i fundit që ka bërë Guvernatori i BSH është që ne nuk presim që deri në vitin 2023 të ulen çmimet. Parashikimi për rritjen e çmimeve është global”, tha Ekonomi.

Më 8 qershor, Bordi i Transparencës njoftoi çmimin e ri të naftës. Sipas vendimit të ri, një litër naftë do të shitet me 258 lekë duke përcaktuar kështu çmimin më të lartë që prej ngritjes së këtij bordi.

*Foto kryesore marrë në web

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img