BallinaFaktometerE vërtetëPunonjësit e Bashkisë Peqin 3 muaj pa rroga, shkak mungesa e arkëtimit të taksave

Punonjësit e Bashkisë Peqin 3 muaj pa rroga, shkak mungesa e arkëtimit të taksave

Prej 3 muajsh, të paktën 180 punonjës të Bashkisë së Peqinit nuk kanë marrë pagat. Këtë e konfirmoi për Faktoje vetë institucioni në përgjigje të kërkesës për informacion. Verifikimi u krye nisur nga një deklaratë e deputetit të PD Dashnor Sula në Kuvend, rreth një muaj më parë. Shkak për mosdhënien e pagave është mungesa e të ardhurave vendore, si pasojë e pandemisë Covid-19 dhe tërmetit të vitit 2019.

“Problematika atje është e madhe. Janë 3 muaj pa marrë rrogat në Bashkinë e Peqinit”, denoncoi deputeti i PD, Dashnor Sula gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend më 9 maj.

Në lidhje me këtë shqetësim të ngritur nga deputeti demokrat, Faktoje iu drejtua fillimisht me një kërkesë për informacion Bashkisë së Peqnit, për të pyetur si është realisht situata në këtë institucion.

Disa prej pyetjeve që i adresuam Bashkisë ishin: nëse kishte pasur vonesë në shlyerjen e pagave dhe nëse po, cilat ishin arsyet.

Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë së Peqinit, 20 maj 2022

Zyrtarisht Bashkia e Peqinit e pranon se ka pasur vonesa prej 3 muajsh për punonjësit e institucionit, duke theksuar se shkak për këtë është bërë mungesa e fondeve për shkak të mospërmbushjes së të ardhurave. Si arsye të kësaj Bashkia rendit pandeminë Covid-19 dhe tërmetin tragjik të 26 nëntorit të vitit 2019.

Përgjigjia e Bashkisë së Peqinit për Faktoje, 31 maj 2022

“Ka pasur një vonesë në dhënien e pagave vetëm për punonjësit e administratës së Bashkisë Peqin për 3 muaj. Funksionet e deleguara, shërbimi i MZHS (zjarrfikës, arsimi parashkollor, bordi kullimit etj, nuk kanë vonesa në dhënien e pagave. Pagat për këta sektorë janë dhënë për çdo muaj, në mënyrë të rregullt. Arsyet e vonesës për dhënien e pagave është bërë mosrealizimi i planit të të ardhurave vendore të parashikuara për vitin 2021.

Të ardhurat vendore për vitin 2021 kanë qenë më të ulëta se parashikimi dhe kjo ka ardhur si pasojë e situatës së vështirë ekonomike të shkaktuara nga pandemia Covid-19 dhe pasojave të lëna nga tërmeti i datës 26.11.2019.

Nga ana jonë do të merren masat e duhura për adresimin dhe zgjidhjen e kësaj problematike, duke gjetur dhe mirëkuptimin e punonjësve të Bashkisë Peqin”, njofton zyrtarisht Bashkia e Peqinit.

Mospërmbushja e planeve të punës ka penalizuar edhe më herët punonjësit e kësaj Bashkie. Rezulton se edhe më parë, punonjësit e Bashkisë së Peqinit janë përballur me vonesa në marrjen e pagave.

Në vitin 2019, Bashkia e Peqinit kishte lënë për 3 muaj pa rroga punonjësit e saj. Shkak për këtë ishte mosrealizimi i mbledhjes së detyrimeve, duke bërë që institucioni të përballej me një gjendje të vështirë ekonomike.

Edhe në vitin 2012, punonjësit e Bashkisë Peqin kanë vuajtur problemin e pagave. Raportohet se në atë periudhë, kryebashkiaku i Peqinit, Ilir Rrushi gjatë një konference për shtyp kishte bërë të ditur se punonjësit e kësaj njësie të pushtetit vendor në Qarkun e Elbasanit nuk kishin marrin rrogat prej tre muajsh. Sipas kryebashkiakut, Bashkisë së Peqinit i mungonin 7.5 milionë lekë, duke theksuar se shkak i bllokimit të pagesave të punonjësve të Bashkisë së Peqinit ishte bërë ngrirja e llogarive të saj për shkak të borxheve që kishte ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve të këtij qyteti ndaj kompanisë CEZ Shpërndarje.

*Foto kryesore marrë në web

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img