BallinaProjekteForcimi i gazetarisë fact-checkingKonsiderohesh i varfër apo pa mundësi mbijetese me 140 euro të ardhura në muaj?

Konsiderohesh i varfër apo pa mundësi mbijetese me 140 euro të ardhura në muaj?

Deklarata e ministres së Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj se mjaftojnë 140 euro në muaj për të mos u konsideruar i varfër, ka ngjallur reagime dhe debate të shumta. Qytetarët e konsiderojnë të pamundur as mbijetesën me kaq para, ndërsa referuar një drafti të Avokatit të Popullit, minimum jetik llogaritej në rreth 17 800 lekë të reja.  Po sot, me rritjen e pandalshme të çmimeve për produktet bazike, cila është vija e kuqe e mbijetesës?

——————————————

“Pyetja i referohet se sa duhet të gjenerojë një individ për të jetuar, për të mos u konsideruar i varfër, kjo shifër është diku tek 130-140 Euro për person” – deklaroi ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj në emisionin “Opinion” më 17 mars.

Por, a përballohet jetesa me 130-140 euro në muaj në Shqipëri? Faktoje bisedoi me familjarë, të cilët çdo ditë duhet të mbulojnë shpenzimet kryesore, që nga produktet ushqimore e deri te pagesat e tjera që përfshijnë energjinë elektrike, ujin, apo edhe fatura të internetit dhe telefonit.

Moza, nëna e dy fëmijëve jetimë, e cila jeton në zonën e Laprakës tregon sa i kushton çdo muaj vetëm blerja e ushqimeve të domosdoshme.

“Rroga që marr aktualisht 25 mijë lekë, ose rreth 200 euro nuk më del për të blerë ushqimet kryesore, jo më 140 euro që nuk mjafton. Unë blej më shumë groshë, oriz, makarona, vaj, gjëra që më duhen përditë. Tani që janë rrit çmimet nuk dimë çfarë të blejmë më përpara. Nuk ia dalim dot të paguajmë ushqimet, plus që kemi drita, gaz, dru për ngrohje që duhen paguar. Jetesa është bërë shumë e vështirë”- shprehet e shqetësuar 42-vjeçarja.

Ndërsa, Alda, një banore në “Rrugën e Durrësit” tregon se pothuajse çdo produkt ushqimor është rritur me të paktën 100 lekë (të reja), duke konsideruar si luks blerjen e peshkut, që sipas saj ka kapur çmime të frikshme.

“Ushqimet janë rritur të gjitha, që nga djathi, vaji, vezët, peshku, mishi, madje edhe uji i pijshëm që blejmë. Përshembll peshku merluc që unë përdor në kuzhinë kishte shkuar nga 900 lekë (të reja) në 1200 lekë. Djathi që marr ishte rritur gjithashtu, nga 790 lekë në 860 lekë. Mishin e qengjit tani e marr me 1200 lekë nga 900 lekë që ishte. Çdo produkt ka rritje, duke nisur që nga produktet bazë. Me 140 euro dhe këto çmime të ushqimeve nuk jetohet” – thotë 35-vjeçarja.

Faktoje bëri një verifikim në terren në një prej supermarketeve në kryeqytet në datën 19 mars, për të parë si varionin çmimet e disa produkteve bazë të konsumit.

Çmimi i vajit varionte nga 309 -335 lekë të reja. Vezët kishin pësuar një rritje të çmimit, ku një pako me 8 korra kushtonte 279 lekë.

Çmimet e disa produkteve ushqimore në market, 19 mars 2022

Çmimet e disa produkteve ushqimore, 19 mars 2022

Makaronat kushtojnë të paktën 99 lekë gjysmë kilogrami, ndërsa çmimet e salcave 149 lekë e lart. Për sa i përket peshkut dhe rodukteve të tjera të detit, ato varionin nga 600-1500 lekë për kilogramë.  Ndërsa produktet e mishit kushtonin mbi 900 lekë kilogrami.

Çmimet e disa produkteve ushqimore, 19 mars 2022

Çmimet e disa produkteve ushqimore, 19 mars 2022

Çmimet e disa produkteve ushqimore, 19 mars 2022

Sipas të dhënave të fundit nga INSTAT, rritja vjetore e çmimeve në muajin shkurt është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +2,45 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Transporti” me +0,55 pikë përqindje.

Screenshot nga faqja e INSTAT për indeksin e çmimeve të konsumit

Po sipas këtyre të dhënave, krahasuar me muajin Janar 2022, çmimet e grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” u rritën me 3,2 %.

Më 16 mars 2022, në një artikull të publikuar nga Monitor theksohej se 30 artikujt kryesorë të shportës së mallrave, ku përfshihen nafta dhe gazi, më datën 15 mars u shitën 20% më shtrenjtë se në janarin e këtij viti.

Tabela e marrë nga Monitor mbi çmimet e produkteve ushqimore

A ka minimum jetik në Shqipëri?

Shqipëria nuk e ka ende të përcaktuar minimumin jetik dhe duket se është vendi i vetëm në Ballkan dhe Europë që ende nuk ka vlerësuar zyrtarisht një minimum jetik të popullsisë. Ekspertë të ekonomisë theksojnë se bazuar në vlerësimet e Bankës Botërore, afro 40 për qind e popullsisë jetojnë në kufirin e minimumit jetik. Por cili është kufiri?

Sipas ekspertit Selami Xhepa, mjeti i vetëm i matjes së varfërisë sot në Shqipëri është përcaktimi i Bankës Botërore, afro 3 dollarë në ditë për frymë ose 100 dollarë në muaj.

“Me këtë standard të Bankës Botërore, në Shqipëri vlerësohet që rreth 40 për qind e popullsisë jeton nën këtë kufi varfërie, çka e bën varfërinë një dukuri të përhapur gjerësisht dhe shumë të theksuar, krahasuar me vendet e tjera të rajonit”- argumenton zoti Xhepa për “Zërin e Amerikës”.

Në muajin korrik të vitit 2021, institucioni i Avokatit të Popullit prezantoi draft-raportin e ri për minimumin jetik në Shqipëri. Në këtë dokument, vlera e përllogaritur në studim të minimumit jetik të nevojshëm në Shqipëri, është 17.875 lekë.

“Vlera e përllogaritur në këtë studim e minimumit jetik në Shqipëri për vitin 2019 është përafërsisht 17.875 Lek. Kjo vlerë është 9.9 % më e lartë sesa pensioni minimal për zonat urbane, 37.5 % më e lartë se pagesa e papunësisë dhe rreth 3 herë më e lartë se ndihma ekonomike, ndërsa është 45.5 % më e ulët sesa paga minimale. Avokati i Popullit vlerëson se Minimumi Jetik duhet të sigurojë jetesë dinjitoze me shërbimet bazike dhe duhet t’u mundësojë njerëzve që të marrin pjesë aktive në shoqëri, pavarësisht nga aftësia e tyre për të punuar”- thuhet ndër të tjera në dokumentin e propozuar nga Avokati i Popullit.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img