BallinaPertejBuxheti i mistershëm dhe kaosi me kostot e rindërtimit

Buxheti i mistershëm dhe kaosi me kostot e rindërtimit

Shtatorin e vitit të kaluar, ministri Arben Ahmetaj publikoi kostot e programit të rindërtimit për periudhën trevjeçare 2020-2022. Për secilin vit u programuan respektivisht 34 mld, 25 mld dhe 6 mld lekë, por për dy vitet e fundit nuk janë detajuar fondet se për cilat projekte do të shpenzohen paratë. Faktoje ballafaqoi të dhënat që i vuri në dispozicion Ministria e Financave me deklaratat publike të ministrit të Rindërtimit Arben Ahmetaj në 3 periudha të ndryshme, 29 shtator 2020, 3 nëntor 2020 dhe 2 shkurt 2021 lidhur me financimin e programit të rindërtimit. Nga ky verifikim rezultojnë disa mospërputhje mes shifrave.


29 shtator, kryeministri Rama dhe ministri i Rindërtimit, zoti Arben Ahmetaj, bashkë me ministren e Financave dhe Ekonomisë, zonjën Anila Denaj, në një konferencë me gazetarët qartësuan ecurinë e procesit të rindërtimit dhe ndikimin e tij në ekonomi.

Marrë nga prezantimi i ministrit Ahmetaj, 29 shtator 2020

Ministri Ahmetaj tregoi koston e programit të Rindërtimit të detajuar në fonde nga burimet e brendshme (ose buxheti i shtetit) dhe donacionet e huaja. Programi u prezantua për tre vite (2020, 2021 dhe 2022) duke përcaktuar edhe shumën e financimit për secilin prej tyre.

Slide i parë i referohet angazhimit të burimeve të brendshme dhe donacioneve të brendshme.

2020-a, ka 34 mld lekë apo 340 mln dollarë, nëse do t’i referoheshim një kursi këmbimi rëndom siç i referohemi 1 me 1. 250 mln dollarë dhe ndoshta, në diskutimet që po bëjmë për buxhetin, të shkojë dhe 280 mln dollarë. Sigurisht që faza përmbyllëse e pagesave, por jo e punëve është në 2022. E punëve do të mbarojë pak më përpara.” – u shpreh ministri Ahmetaj.

Në muajin janar të këtij viti, “Faktoje” iu drejtua Ministrisë së Shtetit për Rindërtimin dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, me një kërkesë për informacion ku kërkonim një listë të detajuar në nivel projektesh për çdo investim si pjesë e rindërtimit, të ndara për të tre vitet, 2020, 2021 dhe 2022.

Kërkesa për informacion dërguar dy ministrive më 12 janar 2021

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ktheu përgjigje e para, duke specifikuar  fondet e parashikuara për rindërtimin për trevjeçarin 2020-2022 si më poshtë:

  1. Viti 2020 – Në ligjin e buxhetit janë parashikuar 32 mld lekë, ku 29 mld janë shpenzime nga buxheti i shtetit, ndërsa 3 mld janë grante.
  2. Viti 2021 – Në ligjin e buxhetit është parashikuar që fondi i rindërtimit prej 28 mld lekësh do të përdoret për të përballuar kostot për projektet e miratuara dhe të pafinancuara në vitin 2020, si dhe për projekte të reja.
  3. Viti 2022 – Në ligjin e buxhetit është parashikuar një fond rindërtimi prej 6 mld lekë.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë na dërgoi gjithashtu një listë me projektet e miratuara me VKM që i përkasin Buxhetit të Rindërtimit për vitin 2020, por thekson se në këtë moment nuk disponohet informacion mbi detajimin e fondeve të rindërtimit për vitet 2021 dhe 2022.

Përgjigjja e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë

Ndërkohë e vetmja përgjigje e Ministrisë së Shtetit për Rindërtimin ishte që t’i referoheshim VKM-ve të publikuara në Fletoren Zyrtare. Ashtu siç na kishte konfirmuar edhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Rindërtimit sqaroi se në këtë moment nuk ka një listë përfundimtare të projekteve për vitin 2021 dhe 2022.

Përgjigjja e Ministrisë së Shtetit për Rindërtimin

Nga një krahasim i të dhënave që na vuri në dispozicion Ministria e Financave, me ato që zoti Ahmetaj paraqiti në fund të shtatorit në konferencë, konstatuam mospërputhje.

32 mld për 2020 (diferenca – 2 mld lekë) në krahasim me M. Rindërtimit

28 mld për 2021 (shtuar 3 mld lekë) në krahasim me M. Rindërtimit

6 mld leke për 2022, e barabartë me M. Rindertimit

Faktoje konstaton se me ndryshimet e ndodhura në buxhet, në pjesën e fundit të vitit, fondi i miratuar i rindërtimit është ulur me 2 mld lekë për 2020-n. Ndërsa totali i buxhetit të rindërtimit për të tre vitet, sipas Ministrisë së Financave, është rritur me 1 mld lekë, respektivisht nga 65 miliardë që raportoi ministri Ahmetaj më 29 shtator në 66 miliardë lekë.

2 shkurt të këtij viti, kryeministri Rama dhe ministri Ahmetaj, gjatë një konference për mediat dhanë përditësimet e fundit për ecurinë e procesit të rindërtimit. Në këtë prezantim, ministri Ahmetaj raportoi buxhetin e rindërtimit përgjatë tre viteve që ky proces është parashikuar të zgjasë, 2020-2022.

Marrë nga prezantimi i ministrit të Rindërtimit Ahmetaj, 2 shkurt 2021

Nga një konsultim që Faktoje bëri me ekspertë të fushës së financave, konstatohet se buxheti i planifikuar për rindërtimin është ulur në totalin e tij me 4 mld lekë, pra nga 66 mld lekë që na konfirmoi Ministria e Financave, në 62 mld lekë që është totali i buxhetit të raportuar më 2 shkurt 2021.

Ndryshimi vjen nga buxheti i vitit 2020, i cili u ul nga 32 mld lekë në 28 mld lekë.

Lëvizja e buxhetit të rindërtimit brenda pak muajsh

Ecuria e buxhetit të rindërtimit për vitin 2020, alokimet ulen me 5 miliardë lekë

Në prezantimin e datës 29 shtator 2020, ministri Ahmetaj për buxhetin e rindërtimit, dha informacion të detajuar sipas sektorëve kryesorë ku është shpërndarë kjo shumë, por nuk dha detajimin e këtyre shifrave në nivele projektesh (banesa, shkolla, apo vepra të tjera).

Marrë nga prezantimi i ministrit Ahmetaj, 29 shtator 2020

Përsa i përket buxhetit të vitit 2020, zoti Ahmetaj specifikoi se ishin miratuar 34 mld lekë të destinuara për rindërtimin, nga të cilat 31 mld nga buxheti i shtetit dhe 3 mld donacione të brendshme. Nga këto 34 mld, ai shpjegoi se deri në atë moment (pra 29 shtator 2020) ishin alokuar 33.1 mld lekë.

Marrë nga prezantimi i ministrit Ahmetaj, 29 shtator 2020 

Faktoje, në bazë të të dhënave që ka vënë në dispozicion Ministria e Financave, konstaton se deri më datë 29 shtator 2020 janë alokuar me VKM 33.02 miliardë lekë, prej të cilave 32.2 miliardë lekë nga buxheti i shtetit, ndërsa 827 milionë lekë nga donacione ose grante.

Ndërkohë që totali i alokimeve përputhet me prezantimin e ministrit Ahmetaj, kemi një diferencë prej rreth 1.5 miliardë lekë në vlerën e raportuar të donacioneve në krahasim me ato që janë alokuar.

3 nëntor 2020, gjatë një tjetër konference me kryeministrin Rama, me fokus situatën ekonomike, ministri Ahmetaj iu rikthye peshës financiare që programi i rindërtimit do të zinte për vitin 2020.

“Janë 33.5 mld lekë të planifikuara në buxhet, 32 mld lekë sot janë tashmë të alokuara në programet specifike.” – tha ministri Ahmetaj më 3 nëntor.

Marrë nga prezantimi i ministrit Ahmetaj, 3 nëntor 2020

Fondi në buxhet u ul disi nga ai që ishte shpallur më 29 shtator. Nga 34 mld që ishte artikuluar në fund të shtatorit 2020, kaloi në 33.5 mld, në raportimin e datës 3 nëntor 2020.

Ndërkohë 33.1 mld lekë që ishin deklaruar si të alokuara më parë, tashmë u tkurrën në 32 mld lekë të alokuara në programet specifike, prej të cilave grantet e alokuara u ulën me rreth 1.4 mld lekë.

Bazuar tek të dhënat e dërguara nga Ministria e Financave, Faktoje konstaton se deri në datë 3 nëntor 2020 janë alokuar me VKM 33.5 miliardë lekë, prej të cilave 32.5 miliardë lekë nga buxheti i shtetit dhe 1.08 miliardë lekë nga donacione ose grante.

Totali i fondeve të alokuara sipas VKM është rreth 1.5 miliardë lekë më i madh se ai që raporton zoti Ahmetaj në 3 nëntor.

Ndërkohë që vlera e deklaruar e granteve të alokuara përputhet me deklaratën, diferenca prej 1.5 miliardë lekë konstatohet tek financimi i brendshmëm (buxheti i shtetit).

As këtë herë nuk u dhanë detaje në nivel projektesh për sa i takon shpërdarjes së këtij fondi të përcaktuar për procesin e rindërtimit.

Faktoje konstaton se nga deklarata e 3 nëntorit deri në fund të vitit 2020, fondet e alokuara nga buxheti i vitit 2020 shkuan në rreth 28.1 miliardë lekë, prej të cilave rreth 25.8 mliardë lekë nga buxheti i shtetit, ndërsa rreth 2.3 miliardë lekë donacione ose grante.

Fondet e alokuara deri në fund të vitit 2020 kanë rënë me rreth 5.5 miliardë lekë në raport me alokimet që janë bërë deri më datë 3 nëntor.

Në muajt nëntor-dhjetor janë alokuar grante në një total prej 1.2 miliardë lekë. Për sa i përket fondeve të alokuara nga buxheti i shtetit, ato janë shkurtuar me 6.7 miliardë lekë.

Vetëm më datën 24 dhjetor 2020, rezultojnë të jenë shkurtuar alokimet nga buxheti i rindërtimit për Bashkinë Tiranë dhe FSHZH në vlerën 5.94 miliardë lekë.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img