Nga 1 tetori, mbi 767 mijë pensionistë në të gjithë vendin do të përfitojnë indeksimin në masën 8,6% të pensionit të tyre mujor. E thënë ndryshe 1,500 lekë më shumë për pensionin mesatar në qytet dhe 890 lekë më shumë për pensionin mesatar në fshat. Këtë vendimin, kryeministri Edi Rama e propagandoi si rritje pensionesh, por ekonomistët argumentojnë se përse indeksimi nuk mund të quhet rritje. 

Esmeralda Topi 

“Mirëmëngjes dhe duke ju njoftuar se prej 1 Tetorit, mbi 767 mijë pensionistë të të gjitha kategorive do të përfitojnë rritjen në masën 8.6% të pensionit të tyre, ju uroj një ditë të mbarë.”, shkruante Kryeministri Edi Rama në rrjetin social facebook më 29 shtator, teksa lajmëronte pensionistët mbi vendimin e qeverisë që hyn në fuqi nga kjo e dielë. 

Referuar të dhënave nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore pensioni mesatar mujor në zonat urbane rezulton 17,350 lekë. Kjo nënkupton se nga indeksimi 8,6% pensionistët në qytet me pension mesatar do të përfitojnë rreth 1,500 lekë më shumë duke nisur nga ky muaj. 

Nga ana tjetër, pensioni mestar mujor në zonat rurale rezulton 10,349 lekë. Për këtë kategori shtesa nga indeksimi llogaritet 890 lekë në muaj. 

Sipas vendimit të qeverisë, në total përfitojnë mbi 767 mijë pensionistë në të gjithë vendin dhe efekti financiar për tre muajt e mbetur të vitit llogaritet 3,1 miliardë lekë. Ndërsa për vitin e ardhshëm, efekti financiar i indeksimit të pensioneve në buxhet parashikohet 12,1 miliardë lekë. Qeveria thotë se indeksimi mbulon ndryshimin e çmimeve për periudhën gusht 2022 – gusht 2023, të matur nga INSTAT në mënyrë të dedikuar për kategorinë e pensionistëve. 

Ndryshimi midis indeksimit dhe rritjes

Kryeministri e quan rritje të pensioneve indeksimin e tyre këtë tetor. Por ekonomistët argumentojnë se përse rritja nuk është e njëjta gjë me indeksimin. 

“Matematikisht janë e njëjta gjë, ndërsa ekonomikisht edhe ligjërisht nuk janë e gjë.”, shpjegon Irena Beqiraj duke shtuar se ekonomikisht rritja nuk lidhet me nivelin e çmimeve, sikurse indeksimi. 

“Pra konsiderohet rritje kur ajo ndodh e pavarur nga inflacioni, duke rritur kështu mirëqënien e një pensionisti. Indeksimi kompenson pensionistin për uljen e fuqisë blerëse të shkaktuar nga inflacioni pa rritur aspak mirëqenien aktuale të tij.”, argumenton Beqiraj. 

Një tjetër ndryshim thelbësor lidhet me detyrimin ligjor të qeverisë për indeksimin e përvitshëm të pensioneve.

“Ligjërisht indeksimi për shkak të inflacionit është nje detyrim i përcaktuar në ligj për qeverinë, edhe duhet tw kryhet nga kjo e fundit pavarësisht parametrave makro- fiskal. Ndërsa rritja nuk është detyrim ligjor. Ajo vjen si rezultat i përmirësimit të parametrave ekonomike.”, shprehet Beqiraj.

Referuar ligjit 7703 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë” pensionet indeksohen çdo vit për të kompensuar pasojat e ndryshimit të çmimeve të mallrave dhe të shërbimeve. “Këshilli i Ministrave cakton listën e mallrave të zgjedhura, mbi të cilën llogaritet indeksi, metodën e llogaritjes dhe datën e indeksimit.”- shkruhet në nenin 61 të ligjit.

Ndryshimin midis rritjes dhe indeksimit e kuptojnë edhe pensionistët. 

“Nuk është rritje pensioni, por indeksim i imponuar nga ngritja çmimeve. Rritja e pensionit ka të bëjë me përmirësimin e kushteve të jetës në një nivel pak më të lartë dhe jo përpëlitje për të kapur nivelin e cënuar më parë. Prandaj mos u fshihni pas gishtit z. Kryeministër duke na u hequr sikur s’ju zë gjumi për hallet tona.”, i komenton kryeministrit Edi Rama një pensionist, krah qindra komenteve të tjera. 

Përfundim

Nisur nga verifikimi dhe të dhënat e grumbulluara nga Faktoje, vendosëm që deklaratën e Kryeministrit Edi Rama, në lidhje me rritjen e pensioneve ta kategorizojmë gjysmë të vërtetë.