BallinaPertej“Mom shaming”, fenomeni i diskriminimit të nënave në rrjetet sociale

“Mom shaming”, fenomeni i diskriminimit të nënave në rrjetet sociale

Në ‘armatën’ e komuniteteve që shënjestrohen nga gjuha e urrjetjes dhe bullizohen në rrjetet sociale janë edhe gratë që janë bërë ose presin të bëhen nëna. Komentet paragjykuese dhe përçmuese për moshën, mënyrën e prindërimit, peshën trupore etj, shpesh vijnë nga vetë nënat. Shumë gra, personazhe publike ose jo, shënjestrohen si në rastet kur vijojnë karrierën bashkë me amësinë, ashtu edhe kur vendosin t’i përkushtohen vetëm familjes, duke u përballur me një lumë stereotipesh që promovohen në rrjetet sociale. Kjo lloj kulture po e bën gjithnjë e më të pranishëm fenomenin ‘Mom shaming’.

Nga Deada Hyka

“A nuk është djali i madh për të përdorur biberonin?

Nuk do t’i jepja kurrë qumësht formule vajzës sime… Si mund të kthehesh në punë dhe t’i lësh fëmijët me një të huaj?

Ky është vetëm një shembull i asaj që njihet si “mom shaming” (bullizimi i nënave”), një fenomen tashmë sidomos në rrjetet sociale, ku komentueset janë më së shumti nëna.

Ivana, nënë e dy fëmijëve binjakë 3 vjeçarë, është përballur me dilema për mënyrën se si të prindërojë. Sa kohë duhet ushqyer me gji? Ta mbajë në krahë fëmijën që qan gjithë natën apo ta lerë të qajë? Gjykimi apo kritikat nga nënat e tjera, më shumë e kanë dyzuar sesa ndihmuar për të marrë vendimin e duhur.

“Mom shaming’, sipas përkufizimit, është kritika e drejtuar ndaj nënave, nga njerëz që, në thelb, përpiqen të kontrollojnë se si gratë luajnë rolin e nënës.

Ajo që e bën ‘mom shaming’ unike dhe ndryshe nga format e tjera të diskriminimit apo gjuhës së urrejtjes, është se synon diçka të lidhur ngushtë me ndjenjën e vlerës së një gruaje. Në shoqërinë ku jetojmë, steka e prindërimit priret të jetë shumë më e lartë për gratë sesa për burrat. Nënat shpesh janë objektiv i përbuzjes, ndërsa baballarët trajtohen shumë më butësisht për të njëjtat vendime prindërore.

Mëmësia është një përvojë e thellë dhe transformuese që sjell gëzim dhe përmbushje. Megjithatë, ajo vjen në paketë bashkë me sfida të shumta. Një prej burimeve kryesore të stresit për shumë nëna është presioni i ushtruar nga shoqëria. Ndërsa normat dhe pritshmëritë shoqërore evoluojnë, rrjetet sociale ndikojnë gjithmonë e më shumë në jetën e grave dhe, veçanërisht, nënave që e gjejnë veten përballë një lufte të vazhdueshme për të përmbushur standardet jo realiste, ndërkohë që kanë përgjegjësi të shumta.

Sjellja e ‘nënës së keqe’ duket se përfshin çdo gjë midis rolit të nënës dhe dëshirës për më shumë liri. Dhe nuk përfundon me kaq.

Nëna ideale: Një standard mitik

Që nga momenti që një grua mbetet shtatzënë, ajo bombardohet me imazhe të idealizuara të mëmësisë përmes mediave, përfshi edhe ato sociale dhe përfaqësimeve kulturore. “Nëna perfekte” portretizohet si dikush që balancon në mënyrë të përsosur karrierën, jetën personale dhe përgjegjësitë familjare, duke u shfaqur gjithmonë e qetë dhe e gëzuar. Ajo pritet të menaxhojë familjen si një profesioniste, të përgatisë ushqime të shëndetshme, të përfshihet në aktivitete të ndryshme me fëmijët e saj dhe të mbetet një pjesëmarrëse aktive në komunitet, të gjitha duke ruajtur pamjen dhe kujdesin për veten. Por ky standard rezulton një mit dhe i paarritshëm.

Aulona Musta, blogere, trajnere fitnesi dëshmon për paragjykime të shumta për jetën e saj edhe si mama.

“Ka pasur gjithmonë diçka për të thënë. Në fillim, mosha po të ikën , pse s’po bëhesh nënë. Më pas, vazhdoj të kryqëzohem se pse, pasi u bëra nënë, arrita të rikthej trupin tim, sipas meje ideal. Gjykohem pse vishem kështu, çfarë bëj, pse nuk bëj një fëmijë të dytë. Në rast se nuk do të ndihesha mirë me veten time, do lëndohesha shumë. Imagjinoni gra në jetën e përditshme që, ndoshta, nuk kanë forcën e duhur për t’i bërë ballë fjalëve të këqija.”, – thotë Aulona.

Ajo parashtron edhe një tezë interesante.

“E keni pyetur ndonjëherë veten se pse burrat, pasi bëhen baballarë, nuk ndalojnë së qeni burra, jeta e tyre vazhdon normalisht? Ndërsa për gratë ndryshon çdo gjë. Pritet nga nënat që të jenë gjithmonë sakrifikuese dhe gjykohen shumëfish për çdo zgjedhje që bëjnë.”, – përfundon Aulona.

Dilema mes karrierës dhe amësisë

Shoqëria moderne, me modelet që promovon, mund të detyrojë një nënë të bëjë zgjedhje të vështira, që mund të çojnë në ndjesi faji dhe pakënaqësie. Nënat që punojnë mund të ndihen të gjykuara për mungesën e kohës së mjaftueshme me fëmijët e tyre, ndërsa ato që qëndrojnë në shtëpi mund të përjetojnë presion për të justifikuar vendimin për t’i dhënë përparësi prindërimit mbi karrierën.

Linda Balla, nënë e 2 fëmijëve, tregon për “Faktoje” se rikthimi në punë pas lindjes së fëmijëve s’ka qenë i lehtë.

“Burrat duan që gratë të kujdesen për çdo gjë, edhe të punojnë. Se tashmë ekonomia do patjetër angazhimin e të dyve në familje. Kur janë në punë, mamat kujdesen kur fëmijët sëmuren, i çojnë në kopshte, shkolla, i marrin. Ne jemi të diferencuara për shkak të prindërimit. Sikur rolet të ishin të barabarta në Shqipëri, edhe pagat nuk do ishin të diskriminuara nga ana gjinore në të njëjtin pozicion pune.”, – thotë Linda.

Ajo shton se, me fëmijën e parë, i duhej të merrte një dado në shtëpi në mënyrë që të arrinte të bënte orarin e plotë të punës dhe, nga ana tjetër, gjykohej për kohën e paktë që kalonte me fëmijët e saj.

Retis K. me profesion mësuese matematike tregon: “Pasi linda djalin, nuk më pranonin në punë në asnjë institucion arsimor, pasi gjykohesha se me një fëmijë të vogël, i cili me gjasa do sëmurej, s’do të isha në gjendje të jepja mësim dhe do mungoja. Por është një pritshmëri jo e drejtë.”, – thotë ajo.

Gjykimi më i madh vjen po nga gratë, sipas mendimit të Megi Korbit, me profesion juriste.

“Gratë në çdo pozicion, qoftë në nivel me mua, qoftë më lart, kanë shprehur ndër vite diskriminim karshi të qenit një nënë që punon. Sipas tyre s’do të mund të isha kurrë e barabartë pasi nuk punoja jashtë orarit, që në fakt është jashtë ligjit. Është shumë komplekse si temë pasi gjeneza gjendet te karakteri i njeriut, formimi, sjellja. Unë nuk kam pasur të afërm për të më ndihmuar me vajzën dhe automatikisht do merrja raport shëndetësor, që ma njeh ligji për fëmijën deri 7 vjeç. Në praktikë çështja komplikohej.”, – thotë Megi.

Krahasimi dhe kultura e turpit të nënës

Rrjetet sociale e kanë rritur presionin ndaj nënave. Nga platforma që mendoheshin se do të lidhnin njerëzit, ato janë kthyer në arenë për krahasim dhe turpërim (bullizim) të nënave. Ato mund ta shohin veten me dyshim kur krahasojnë stilet e prindërimit, arritjet e fëmijëve, shtëpitë e tyre me modelet që promovohen në rrjetet sociale, ku mbizotëron përsosmëria. Frika nga gjykimi dhe kritikat mund të krijojnë ankth dhe stres, duke çuar në  përkeqësim të gjendjes psikologjike.

Blerta Methasani e cila ka një blog në Instagram me emrin “E dashur nënë”, shpjegon se publikimi i momenteve nga jeta e saj në rrjete sociale nuk ka pasur vetëm efekte pozitive.

“Kam ndërtuar një komunitet shumë të mirë mamash në Instagram, për të cilat jam mirënjohese. Por, në këto 4 vite që kam hapur blogun, kam pasur edhe kritika nga njerëz të ndryshëm. Shpesh profile false, se e kanë më të lehtë të gjykojnë dhe ofendojnë për formën time të prindërimit, për peshën e djalit, me çfarë e ushqej, që mashtroj për jetën etj. Shumica e tyre  janë vetë nëna.”, – thotë Blerta.

Gjykimi i pamjes së jashtme si formë bullizimi

Një aspekt tjetër i ‘mom shaming’ përfshin ‘body shaming’, pra të gjykuarit e  pamjes së jashtme. Idealizimi se nënat duhet të jenë të gjitha të bukura, elegante dhe tejet të kuruara, si ato që ofrojnë rrjetet sociale, veçse i dëmton nënat.

Ekspertë të shëndetit mendor thonë se ekspozimi ndaj komenteve negative për pamjen mund të ndikojë në imazhin që kemi për veten dhe të na bëjë të ndihemi të shqetësuara, të stresuara, ndërkohë që kemi peshën e rritjes së fëmijëve.

Katerina Trungu, moderatore e një emisoni të përditshëm në televizion thotë se, komentet për peshën e trupit gjatë shtatëzanisë së saj ishin të shumta dhe të shëmtuara.

“U ndjeva keq që më duhej të hapja emisionin duke shpjeguar që, ndonëse jam personazh publik, askush nuk ka të drejtë të më gjykojë për pamjen e jashtme. E dhashë lajmin e shtatzënisë live në televizion jo në mënyrën që kisha menduar, për shkak se gjuha e urrejtjes dhe ofendimet online po shtoheshin. Më duhet ta bëja. Për çdo grua që rrit një fëmijë në trupin e vet, pesha është gjëja e fundit që duhet ta shqetësojë. Ja që komentet nuk na kursejnë edhe këtë aspekt.”, – thotë moderatorja Trungu.

“Gruaja shqiptare paragjykohet që kur lind”

Marsida Simo, sociologe, thotë se shoqëria ku jetojmë ndër vite ka krijuar stereotipe për gruan dhe për nënën në veçanti.

“Duke qenë se jemi në një shoqëri me shumë steriotipe, sidomos për gruan, kjo bën që zhvillimi dhe perspektivat e saj të jenë të kufizuara. Madje ndodh që të kemi edhe paragjykime kontradiktore. Një grua që punon paragjykohet se ajo nuk po kryen rolin e saj si nënë që i është përcaktuar biologjikisht. Madje, akuzohet se është egoiste dhe se po lë pas dore një fëmijë vetëm, sepse do të përparojë në karrierë. Nga ana tjetër, një nënë e cila nuk punon dhe, për arsye të caktuara, qëndron në shtëpi, po ashtu mund të paragjykohet si një grua që nuk ka perspektivë apo që nuk vlen, pasi nuk bën ndonjë gjë me rëndësi. Këto pikëpamje të shtrembëruara prej etiketimeve që pasohen nga brezi në brez, krijojnë stepje te nënat të cilat, edhe nëse kanë mundësi, vetëfrenohen.”, – thotë Simo e cila shton:

“Gruaja shqiptare gjykohet që kur lind. Gjykohet në momentet më të veçanta të jetës së saj, kur ajo sjell në jetë një fëmijë, mund të paragjykohet se nuk mban veten në formë apo nuk i përmbush standardet e bukurisë. Të gjitha këto janë elemente negative, të cilat formojnë fenomene të vështira për t’u sheshuar. Presioni i shoqërisë është aq i madh ndonjëherë sa ndikon totalisht në zgjedhjet e një gruaje. Më e keqja e të gjithave është kur paragjykohen nga të afërm apo nga vetë nënat e tyre. Si vijim, këto gra, të rritura në këtë frymë, do të paragjykojnë edhe veten, duke mos u drejtuar nga mendime racionale, por emocionale, për shkak të këtij presioni të vazhdueshëm.”, – thotë ajo.

Këshilla e saj është që shoqëria të largohet nga standardet jo reale dhe të përqafojë shumëllojshmërinë e përvojave që vijnë me amësinë: empatia, mbështetja dhe një dialog i hapur, me qëllim krijimin e një bote ku gratë mund të lulëzojnë edhe si nëna, edhe si individë.

*Ky shkrim është realizuar si pjesë e projektit “Thuaj po dashurisë, jo gjuhës së urrjetjes”, që mbështetet nga iniciativa rajonale e Agjencive të Kombeve të Bashkuara “Të rinjtë për përfshirje, barazi dhe besim”, financuar nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Paqen. Në Shqipëri kjo iniciativë zbatohet nga zyrat lokale të UNFPA dhe UNDP.

Opinionet e shprehura këtu janë të autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e UNFPA dhe UNDP.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img