BallinaAktualitetShifrat alarmuese për ndotjen e ajrit dhe tkurrjen e hapësirave të gjelbra

Shifrat alarmuese për ndotjen e ajrit dhe tkurrjen e hapësirave të gjelbra

Ndotja e ajrit në Shqipëri është deri në 5 herë më e lartë se normat e lejuara nga Organizata Botërore e Shëndetit, ndërsa vdekshmëria nga pasojat e ndotjes është 2.6 herë më e lartë se në Europë. Sipas ekspertëve, Tirana rezulton qyteti më pak i gjelbëruar. Nisur nga kjo situatë alarmuese, një grup aktivistësh kanë ndërmarrë një nismë duke kërkuar marrjen e masave urgjente përmes një peticioni. Kërkesat fokusohen te përmirësimi i transportit publik, meqenëse trafiku është burimi kryesor i ndotjes së ajrit, si dhe frenimi i betonizimit në kryeqytet.

Në një artikull të publikuar më 2 mars të këtij viti, Faktoje raportoi se ndotja e ajrit në Tiranë e tejkalon normën e BE, çka konfirmohet edhe nga agjencitë vendore.

Thuajse dy javë më pas, më 19 mars, aktivistët e “Lëvizjes BASHKË” bënë thirrje dhe nisën një fushatë për marrjen e masave urgjente për reduktimin e ndotjes së ajrit në Tiranë. Një prej elementëve më alarmues sipas tyre është vdekshmëria e lartë si pasojë e komplikacioneve që sjell kjo ndotje në organizëm.  

Jani Marka, ekspert mjedisi, pedagog dhe aktivist i “Lëvizjes BASHKË” thotë për Faktoje se vdekshmëria në Shqipëri si pasojë e ndotjes së ajrit është 2.6 herë më e lartë se në Europë. Për analizimin e këtyre të dhënave, eksperti i mjedisit i referohet raportit “Botëror të Cilësisë së Ajrit” për vitin 2023.

“Ne na rezulton se kemi një vdekshmëri 2.6 herë më të lartë se në Europë. Nëse në Shqipëri për 1 mijë banorë vdesin 1.9 qytetarë, në Europë vdesin 0.74. Pra, vdekshmëria është 2.6 herë më e lartë se në Europë. Kjo është në nivel Shqipërie, por nuk është gjithë Shqipëria njësoj e ndotur. I bie që 2.6 është mesatarja, por nëse do të llogaritej veçmas për Tiranën kush e di sa fish më e lartë do dilte kjo në raport me mesataren. Por, mungojnë të dhënat për kryeqytetin”- ngre shqetësimin aktivisti Marka.

Raporti Botëror i Cilësisë së Ajrit ofron një përmbledhje globale të të dhënave të cilësisë së ajrit për vitin 2023. Raporti pasqyron të dhënat e cilësisë së ajrit për PM2.5 nga 7,812 qytete që përfshijnë 134 shtete të botës, rajone dhe territore. Të dhënat e përdorura për të krijuar këtë raport u grumbulluan nga më shumë se 30,000 stacione monitorimi të cilësisë së ajrit. Sipas këtyre të dhënave, Shqipëria e tejkalon udhëzimin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për PM2.5, me 3 deri në 5 herë.

Të dhënat nga raporti

Eksperti i mjedisit thekson se ky është problem shumë kompleks dhe institucionet duhet të marrin masa të menjëhershme.

“Shkak kryesor, kryesisht i këtyre grimcave PM2.5 është trafiku, që vjen nga automjetet dhe cilësia e karburanteve. Kërkojmë të fuqizohet transporti publik, duhet patjetër të ketë korsi të dedikuara.

Për ndotjen e ajrit ka shumë institucione që duhet të marrin masa, është Bashkia, është edhe Ministria e Mjedisit, por dhe ajo e Financave për kontrollet për cilësinë e karburantit. Ne kërkojmë që gjithashtu të ketë një moratorium të ndërtimeve brenda Unazës për 5 vjet”, thotë aktivisti Marka.

Tirana, qyteti më pak i gjelbëruar në Europë

Eksperti i mjedisit, Jani Marka gjithashtu thekson se Tirana është një nga qytetet më pak të gjelbëruara të Evropës.

“Sipas një raporti të Bashkisë Tiranë, që i përket vitit 2018,  raportohen 4.6 hektarë për 100 mijë banorë. Po ta përkthejmë këtë në vlerë për individ, i bie gjysmë metri katror. Standardi ndërkombëtar është 4-9 m2 për banor. Nuk ka të dhëna më të fundit, por imagjinoni situatën e cila duhet të jetë përkeqësuar sot në Tiranë me këtë bum ndërtimesh”, argumenton ai.

Ndërsa, një tjetër raport i European Environment Agency mbi hapësirat e gjelbërta tregon se infrastruktura totale e gjelbër në Tiranë është 31%.

“Mbulimin me pemë në zonën urbane ne e kemi 13% në Tiranë, ndërsa mesatarja e Bashkimit Europian është 30%. Ndërsa infrastrukturën e gjelbër ne e kemi 31%, BE e ka 42%”, thekson eksperti i mjedisit, Jani Marka.

Sipas të dhënave më të fundit të disponueshme nga ky raport infrastruktura e gjelbër, e cila përfshin hapësirat e gjelbra dhe blu përbën mesatarisht 42% të sipërfaqes së qytetit në 38 vende anëtare të EEA. Qyteti me përqindjen më të lartë të hapësirës totale të gjelbër (96%) është Cáceres në Spanjë, ku zona administrative e qytetit përfshin zona natyrore dhe gjysmë-natyrore rreth bërthamës së qytetit. Qyteti me hapësirën totale të gjelbër më të ulët me vetëm 7% është Trnava në Sllovaki.

Peticioni i “Lëvizjes Bashkë“

Nisur nga kjo situatë alarmante, aktivistët e “Lëvizjes Bashkë“ ku bën pjesë edhe eksperti Marka, ka nisur mbledhjen e 10 mijë firmave për një peticion ku kërkohet marrja e masave urgjente për reduktimin e ndotjes së ajrit në Tiranë.

“Ne kemi vendosur që të mbledhim të paktën 10 mijë firma. Besoj që ditën që do e dorëzojmë në Këshillin e Ministrave dhe Bashkinë eTiranës do e shoqërojmë me një lloj proteste-manifestimi. Aktualisht, aktivistët e „Lëvizjes Bashkë“ kanë mbledhur 8 mijë firma.

Nëse pakësohet niveli i ndotjes së ajrit, njëherazi përmirësohen edhe shumë probleme të tjera. Trafiku është një nga shkaktarët. Nëse arrin të rregullosh trafikun, jo vetëm ke përmirësuar ajrin, por edhe vetë transportin publik, nivelin e zhurmave, etj.

Të shtohen hapësirat e gjelbra, Shumë njerëz e shohin si të pamundur, por nuk është e pamundur nëse ka vullnet politik”, thotë eksperti i mjedisit dhe aktivisti, Jani Marka.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img